NËNA TEREZË NË LETËRSINË SHQIPE

Oct 5 • Letërsi

Shkruan: Resmije Kryeziu

Shkrimtarët e vjetër shqiptarë, në veprat e tyre, i kanë trajtuar figurat e ndritura të së kaluarës së krishterimit. Kjo flet më së miri për lidhjet e forta që ata kishin me këtë kulturë. Në të e shihnin mbrojtjen e tyre nga valët barbare që vinin nga Lindja, edhe, siç thotë Kadare “në trupin e një gjuhe të vdekur ( latinishtes) ata e ruajtën gjallë gjuhë e tyre”.

Formula e pagëzimit është prekja e parë letrare e gjuhës shqipe me këtë kulturë që e ka vazhdimin në poezinë e Jul Varibobës Gjella e Shën Mërisë virgjër. Pra, shekuj pas shekujve, krijuesit letrarë inspirimit të tyre ia vishnin frymën e shenjtë të personaliteteve nga kultura e krishterë.

Shikuar nga ky aspekt është një vazhdimësi e natyrshme që Nëna Terezë të jetë subjekt i krijimtarisë së tyre, pikërisht për vlerat e larta morale që kishte ajo.

Prej çastit kur Nëna Terezë ka vendosur t’i përkushtohet Krishtit, shërbimit me një devocion të pafund, edhe në emër të tij t’i shërbejë të pashpresëve, duke u ofruar strehë sa në hapësira fizike as edhe më shumë në zemrën e saj, ajo në një mënyrë ka shkelur në hapësirat përtej njerëzores dhe përtej kufijve realë të kohës. Mendimi i Senekës se “mes njerëzve të virtytshëm dhe hyjnive ka një marrëdhënie të ngushtë miqësie, të bazuar mbi virtytin” do ta përkufizonte më së miri Nënën Terezë. Ndërkaq, shkrimtari ynë i mirënjohur, Ismail Kadare, për këtë personalitet do të shprehte kështu: “Nënë Tereza dhe Gjergj Kastrioti, dy personazhet më të mëdhenj të kombit tonë dhe ndër dy më të mëdhenjtë e Evropës e të njerëzimit mbarë, sado të largët të jenë në kohë e sado të ndryshëm në trajtë, për ne, shqiptarët, kanë një gjë sublime që i bashkon…. Gjergj Kastrioti, simbol i vullnetit tonë për liri dhe për qytetërim evropian, libri i Gjon Buzukut, mishërimi i etjes së shqiptarëve për kulturë dhe dritë, dhe Nënë Tereza, mesazhi ynë i madh i harmonisë, përdëllimit dhe dashurisë për popujt dhe njerëzimin mbarë, janë vlerat tona morale që do të na shoqërojnë përherë në rrugëtimin tonë të madh.”

Prandaj, të trajtosh në veprën letrare një personalitet të tillë është e barabartë si të shkruash për një të shenjtë që më nuk është në mesin tonë. Edhe Nëna Terezë nuk ishte në mesin e njerëzve të rëndomtë, ngase ajo e kishte tejkaluar vetveten, hapësirën që i takon një individi. Ajo ishte e gjithë botës dhe e të gjithë kohëve.

Nëna Terezë, zemrën dhe punën e saj të palodhshme në të mirë të nevojtarëve e kishte çelës që hap jo vetëm dyer, por edhe zemrat më të ndryshme. Të kesh vlera të tilla është e natyrshme që do të jesh e adhuruar; se për personalitete të tillë është e natyrshme që të shkruhen ode, himne, panegjirike.

Kostumi i saj i përbërë prej dy ngjyrave, të kaltrës dhe të bardhës, u ngjan dy ngjyrave më të bukura të ylberit. Derisa e bardha simbolizon paqen, e kaltra shëmbëllen pafundësinë e qiellit- amshimin. Shkrimtarët, si dhe krijuesit e arteve të ndryshme të cilët janë marrë me portretizimin e Nënë Terezës, secili në mënyrë të veten është munduar që depërtojë në vlerat përmbajtjesore të këtyre dy ngjyrave për të arritur te shpirti i nënës së madhe Terezë.

Në poezitë që janë shkruar për të vërehet se poetët janë ballafaquar me dy sfida të mëdha, e para, pafundësia e mirësisë  që e karakterizon personalitetin dhe veprimet  e Nënës Terezë, dhe e dyta pamundësia e njeriut ta përkufizojë, qoftë edhe në art pafundësinë.

Shigjetat e muzës janë munduar pareshtur ta qëllojnë cakun e kësaj pafundësie dhe dashuria është ajo që atyre u ka mundësuar të arrijnë sado pak pranë saj. Bazë e këtij rrugëtimi – drejt të pa mundurës janë fjalët e Nënë Terezë: “Bëni punë të vogla me dashuri të madhe” dhe dashuria është ajo që punëve të vogla, të bëra me dashuri të madhe u jep vlerë të pakufishme. Dhe, me të drejtë, në këtë linje të të menduarit Erich Fromi shprehet se “Dashuria nuk është fuqi madhore që zbret te njeriu as detyrë që është imponuar;  ajo është vetë fuqia, me anë të së cilës ai lidhet me botën duke e bërë vërtetë të tij.”

Krijuesit me dashuri mundohen ta mundin të keqen dhe në këtë luftë të pambarim jeton letërsia.

Nëse i aktualizojmë titujt e vjershave nga libri” Lule për nënën”, mund ta vlerësojmë dashurinë me të cilët poetët i janë qasur kësaj teme – Nënës Terezë, që i tejkalon kufijtë e njerëzores pikërisht duke qenë njerëzore, mbi të gjitha arrin të lumturohet drejt shenjtërisë.

Secili nga poetët është përpjekur që figuracionin e poetikës së vet ta verë në sprovë përballë kësaj figure që përshkon botën në çast si mendimi. Në vargjet e secilit prej tyre pulson dashuria dhe kjo mjafton që ata të bëhen pjesë e dashurisë së pafundme të Nënë Terezës për Krishtin në njeriun dhe njeriun në Krishtin.

Poetët Nënë Terezën, që në titujt e poezive, e kanë quajtur me emra që simbolizojnë mirësinë, dashurinë, jetën. Ajo, për ta është: nënë e yjësive, e bardha nënë, motër, motra jonë, motër e dritës, motër e Gjergj Elez Alisë, pëllumb paqeje, fishekzjarr mirësie, det mirësie, mirësi, flakë që jetën përtërin, dritë e zjarrit, çerdhja e diellit, zemra- sofër.

Në poezinë e Ali Podrimjes Mbi ëndrra të shqetësuara Nënë Terezë merr botën në sy:

Botën sapo marrim në sy

Shoh Lumi

Të duan

Kur ti hesht

Kur ti nuk kërkon asgjë

Ajo nuk kërkon asgjë e shpirtin e vet e jep. Për t’u bërë pjesë e botës, ajo botën e merr në sy se vetëm ashtu ajo mund të matet me atë.

Mbi ëndrra të shqetësuara mbi zjarmi

Ngrihet Nënë Terezë

Me Drinin mbi shuplakë

Lan shkrumin vdekjen

Sapo në sy marrim botën

Në këtë vjerdhë uji është simbol i amshueshëm i pastrimit fizik dhe shpirtëror. Përzgjedhja e ujit – lumit që është më shumë se ujë në poezinë e Ali Podrimjes i përgjigjet figurës së Nënës Terezë: pagëzimi, krezmimi, kungimi – të gjitha lidhen me ujë. Pikërisht Ali Podrimja në figurat e tij të studiuara, në mënyrë simbolike, përmes simbolit të ujit – ujit të Drinit që buron në Kosovë dhe derdhet në Shqipëri, ja jep Nënë Terezës rolin e Krishtit dhe Gjon Pagëzorit.

Anton Gjocaj në poezinë Motër e Gjergj Alisë bën lidhjen e miteve të reja me mitet e se kaluarës. Motra e Gjergj Alisë ndihmonte shërimin e të vëllait, i cili duhej të përballej me bajlozin e zi – shëmbëllesën e së keqes. Krahasimi i Nënë Terezës me motrën e Gjergj Elez Alisë e fuqizon edhe më tepër  këtë mit të kujdesit. Nënë Tereza të gjithë të lënduarit, të sëmurët, të vetmuarit, të gjithë ata që i ka gërryer vetmia dhe mospërfillja e botës, i ndien për vëllezër:

Ua lanë varrët

Me lot të syve

Ua zbut dhembjet

Me fjalët e shpresës

Motër e Gjergj Elez Alisë

Ky personalitet që, për gjerësia veprimit, i tejkalon caqet e njerëzores dhe preket me hynji është në një mënyrë e pakapshme për trurin e rëndomtë. Autori Anton Gjocaj atë e zbret në tokë duke e bërë njeri, siç është edhe motra e Gjergj Elez Alisë, njeri që populli e ka pjesë të etnopsikologjisë së vet.

Autori Zois A. Shuttie në poezinë e tij Nënë së dhembjes përdor një simbolik pagane:

Si moti është mplakur

Dhe si moti përtërihet

E cila simbolikë lidhet me vdekjen natyrës dhe ringjalljen e saj që vazhdoi të jetojë si e tillë në kulturat politeiste e që u përjetësua në atë të krishterën, me vdekjen-kryqëzimin e Krishtit dhe ringjalljen e simbolike të tij në çdo pranverë, e që e përkufizon shumë mirë personalitetin e Nënë Terezës. Ajo vdekjen kurrë nuk e pranon si fund, por vetëm si një pikë kalim nga jeta e kësaj bote në jetën e amshueshme që synon ringjalljen. Ditët e saj në cepat e botës kanë përfunduar në lutje që e nesërmja të jetë me e ndritshme në shërbim të të pashpresëve.

Autorë të ndryshëm janë munduar ta përjetësojnë figurën e Nënë Terezë edhe ne gjininë e dramës. Ibrahim Kadriu në dramën Deri në Oslo shpalos biografinë e saj dhe e tërë përmbajtja e dramës e ka për qellim njohjen e Nënës Terezë nga publiku. Duke i analizuar dhe duke i realizuar në skenë periudhat e ndryshme të jetës së familjes së saj, çerdhes në të cilën ajo lindi dhe i mori hapat e parë të njohjes me dashurinë që Krishti rrezaton ndër shekuj për të përfunduar në marrjen e çmimit Nobel, autori në asnjë çast nuk i këput rrënjët e saj me mjedisin në të cilin lindi, por atë mjedis e përshkënditi me mirësinë qiellore të cilin ajo si naforë e shpërndau anekënd botës. Ibrahim Kadriu e nis dramën me sofër në të cilën nuk ushqehen vetëm familjarët por edhe të tjerët. Ky simbol i sofrës gjatë mbarështimit të dramës, edhe pse merr forma të ndryshme, shëmbëllen bujarinë me të cilën në familjen e saj u brumos Nëna Terezë, Jeta e saj rrjedh nga familja deri në Oslo, ku u laureua me çmimin Nobël, pa  e shkëputur atë nga përkushtimi ndaj Hyjit – Jezu Krishtit, të cilin ajo e shihte te të gjithë nevojtarët që u shërbente.

Rexhep Qosja në monodramën Bardha nuk merret me biografin e Nënë Terezës, por e trajton atë si një simbol në kuadër të dramës për një grua të vetmuar. Kryepersonazhi Bardha, e vetmuar komunikon me kukulla si me qenie të gjalla, kjo dëshmon për tëhuajtën e individit dhe luftën e tij për ekzistencë. Gjendja e vështirë materiale e detyron atë t’i shesë kukullat. Në fund i ngelin vetëm dy: kukulla e princeshës Dajana dhe Nënë Terezës.

Bardha, duke ngelur me këto dy kukulla, të cilat ishin punë dore te saj, është para dilemës se cilën nga këto dy personalitete do ta përzgjedhin blerësit: princeshën Dajana, të cilën autori e paraqet si personifikim të një jete të kamur, apo Nënë Terezën, mbështetëse ne të përvuajturve të botës. Duke qenë e pamundur që autori ta japë përzgjedhjen e publikut, ai me këto dy oferta flet për dilemën me të cilën bota duhet të ballafaqohet.

Historia që pason dëshmon se bota e ka mbështetur njëmend bamirësen Nënë Tereza dhe, në këtë mënyrë, duke e mbështetur  përkushtimin e saj, ata disi e kanë shpëlarë ndërgjegjen e tyre.

Dilema me të cilën përballet Bardha e Rexhep Qosjes është dilemë e përhershme e jetës së njeriut e cila ballafaqohet në letërsi që prej antikës e deri sot. Autorët nuk e kanë për detyrë t’i tejkalojn kufijtë që jeta i ka, prandaj edhe ballafaqohen me pamundësinë e përzgjedhjes të njërës anë. Nëse Dante në kryeveprën n e tij “Komedia Hyjnore”, në mënyrë të barabartë i paraqet Ferrin dhe Parajsën, edhe lartësia e mëvonshme merret me këtë dualizëm të jetës së njeriut. Ferri dhe Parajsa janë dilemë e pakapërcyeshme te shkrimtarët. Përzgjedhja e Nënë Terezë si subjekt i stisjeve artistike flet se autorët  nëpërmjet saj dëshirojmë ta prekin parajsën dhe në këtë mënyrë atë t’ua ofrojnë lexuesve si një mundësi të kapërcimit të kësaj dileme.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »