ZEMËRMIRË

Oct 5 • Meditimi i ditës

5 tetor 2015 – e hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është:
Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

 

O Zot, më ke krijuar të jetoj në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 10, 25-37

 

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?



Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Kur e pyetën Jezusin: “Kush është i afërmi im?” ai nuk jep një përkufizim por përgjigjet me një shëmbëlltyrë. Ky pasazh nga Ungjilli tregon se si përgjigjja duhet të vijë nga zemra, jo nga koka.

– Në lutje i kërkoj Zotit që të më ndihmojë që ta kuptoj me zemër se Jezusi është Samaritani i im i mirë.

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »