FRIKA – PENGESË PËR TË ECUR PËRPARA

Oct 6 • Opinion

Shkruan: m. Franciska (Suzana) Lekaj

Sipas shumë psikologëve, e sidomos prej psikologut biheiviorist Johan B. Watson, i cili ka argumentuar se njeriu lind me pak frikëra, të cilat quhen frikëra të lindura si; frika nga zhurma, rënia dhe  errësira, ndërsa frikërat e tjera janë të mësuara përmes kushtëzimit klasik.

Por që ta kuptojmë këtë pjesë më mirë është e nevojshme të kemi të qartë se: Çfarë është frika?

Nga studiuesit, frika përkufizohet si një ngritje emocionale që shkaktohet nga pritshmëria e një stimuli të rrezikshëm që është prezent në një situatë konkrete. Është emocioni primar bazë tek qenia njerëzore. Është reagimi emocional i fuqishëm përballë perceptimit të një rreziku të vërtet objektiv apo imagjinar. Është një prej  fenomeneve më të rëndësishme në jetën e krijesave njerëzore.  Është një ndjenjë shqetësimi në momentin kur individi gjendet përballë të së ardhmes dhe të së panjohurës.

Frika është e lidhur me sjellje specifike të ikjes apo shmangies. Është një reagim i menjëhershëm për diçka e cila ndodh aktualisht. Është pjesë e pandarë e përjetimeve të shumta njerëzore dhe prej saj mund të rrjedhin çrregullime të ndryshme të cilat zgjatin relativisht në kohë dhe kështu prishin rrjedhën normale të jetës. 

Sistemi i frikës është një pjesë gjenetike e brendshme e natyrës njerëzore. Që do të thotë tek të  gjithë  është i pranishëm ky sistem i frikës, tek dikush më shumë e tek dikush më pak por askush nuk mund të gënjej veten dhe tjetrin  se nuk ka frikë. Sepse frika është e lindur. Frika, u tha  se është e lindur, ndaj  kemi parasysh dy lloj frikash: Frika normal dhe ajo jo normale.

Frika normale

Frika normale është pozitive që do të thotë na ndihmon për të ruajtur veten.( P. sh. Kur dëgjoni se ju afrohet ndonjë automjet, atëherë ju largoheni anash për të ruajtur kokën tuaj). Pra frika se do t’ju shkelë automjeti është më e shpejtë se sa reagimi i individit.

Frika jo normale

Frika jo normale lind kur imagjinata del nga kontrolli. Kur mendimet bëhen më të forta se realiteti. E kështu pengojnë individin për të vepruar, bllokon individin për të qenë vetja. Është ajo që e bën individin të largohet nga kërkesat e jetës dhe të nënshtrohet  përballë të gjitha atyre që e rrethojnë. Pra është një pengesë që nuk e lejon individin të veprojë edhe përballë atyre gjërave që di dhe mundet. Është një re që mbulon dritën e besimit. Frika është një kafaz prej të cilit duhet të lirohemi, për të zhburgosur gëzimin dhe forcën e brendshme.

Kur lind frika?

Frika lind nga mosbesimi që individi ka në vetvete dhe përballë asaj që i kërkohet të bëjë. Gjithashtu qëndron pas mossuksesit, sëmundjes dhe pas marrëdhënieve jo të mira ndërnjerëzore. Në shumë raste personi është i prirur të shfaqë frikë edhe kur sheh se të tjerët janë të frikësuar, përjeton  të njëjtën situatë e kështu që ndjen nevojën për t’u larguar ose për t’u bashkuar me të tjerët.

Individi që përfshihet nga frika, zgjat dorën për ndihmë, dhe përpiqet t’i tërheqë dhe t’i mbërthejë tek vetja njerëzit e tjerë. Në këtë rast kemi të bëjmë me individë, që kërkojnë mbështetje, që dëshirojnë që dikush t’i mbajë vazhdimisht në fokusin e vëmendjes së vet. Kur personi ka frikë përpiqet të bëhet sa më i vogël në përmasa ose mundohet të shfaqë të kundërtën e kësaj ndjesie që përfshin në vetvete etjen për epërsi ndaj të tjerëve. Krijesat njerëzore i nënshtrohen në veçanti frikës, për shkak të dobësisë së tyre të natyrshme dhe të inferioritetit.

Sipas studimeve frika zakonisht është e lidhur me gjendjes e dijes  apo njohurive që ka një individ si edhe me ndjenjën e sigurisë dhe fuqisë së tij përballë botës së jashtme. Ajo  mund të shfaqet në disa forma të saj, si frikë reale, frikë fëmijërore dhe frikë neorotike.

Pavarësisht se është e mësuar apo jo, ndjenja e frikës rritet nga shfaqja e papritur e një stimuli të perceptuar si kërcënues, por duhet thënë se ky perceptim, veç të tjerash, varet edhe nga faktorë të tillë si; mosha e individit apo eksperiencat e mëparshme motive. Kur frika hyn në mendjen e personit, është një shenjë për aksion, që do të thotë që personi duhet të ndërmarrë diçka e kurrë mos të përkulet para saj. Frika është një mendim dhe mendimet mund të largohen.

Erik Erikson thotë: Frikën arrita ta zhduk duke bërë pikërisht atë që më frikësonte,  dilja para publikut dhe flisja dhe frika u zhduk.

Pra kërkohet që të mos ndalemi përballë frikës por të kemi guxim që të përballemi edhe me atë që na frikëson. Sepse po të ndalemi përballë saj, ajo bllokon veprimin dhe rrjedhjen e vetvetes së vërtetë, se  sa më shumë që e mbajmë të fshehur aq më shumë ajo fuqizohet.

Zëvendësimi i frikës me besimin

Frika është mungesë besimi në Zot, në vetvete dhe tek të tjerët. Por nëse marrim dhe lexojmë  Shkrimin e Shenjtë (Biblën) e gjejmë disa herë ftesën që Zoti i bënë  njeriut,  që do t’i thotë secilit nga ne mos ki  frikë! Është një ftesë që na bëhet çdo ditë, sot, tani dhe këtu.

Këtë i tha engjëlli Marisë: Mos ki frikë! (Khs. Lk 1, 30). Të njëjtën gjë i tha edhe Jozefit Mos ki frikë!(Khs. Mt 1, 20) Gjithashtu edhe në Besëlidhjen e Re e gjejmë këtë ftesë që Jezusi u drejton nxënësëve të vet. Mos kini frikë!(Khs. Mt 10, 26; Mt 14, 27) Pra kërkohet që personi ta zëvendësoj frikën me besim. Sepse ai që ushqen një besim të thellë është në gjendje të pranojë gabimet ose rreziqet që mbartin situatat. Në psalmin 34 shkruan E kërkova Zotin e ai më dëgjoi edhe më çliroi nga çdo frikë që pata. Frika është ajo që të nxit të kërkosh por është e nevojshme dhe të dimë se ku të kërkojmë. Të kërkojmë në horoskop? Të kërkojmë tek falltoret? Të kërkojmë tek magjistarët? E tek shumë gjëra të tjera. Por jo këto të gjitha që përmenda na ngarkojnë dhe na frikësojnë edhe më shumë. Por psalmi 34 na fton që ta kërkojmë Zotin sepse është Ai i cili na çliron nga çdo lloj frike.

Frikë nuk ka atje ku sundon besimi në Zot. Nuk ka frikë atje ku sundon ndershmëria në vetëdijen e njeriut. Mposhte frikën me besimin te Zoti dhe te çdo gjë që është e mirë. Besimi nuk është besim formal, dogmë, ose religjion. Besimi është mënyrë e të menduarit, qëndrim pozitiv mendor. Është ilaçi më i fort në botë.

Të besosh do të thotë të marrësh pjesë në jetën e Zotit, të bëhesh bashkëpunëtor me Të. Sepse duke qenë pjesëmarrës në jetën e Tij personi fillon të shikojë e të vlerësojë gjërat gati njësoj sikur t’i kishte sytë e Tij. Besimi bën të mundur që të mendojmë si  mendon Ai, si në shqyrtimin që i bëjmë vetës ashtu dhe ndaj gjithëçkaje që na rrethon. Të besosh do të thotë të identifikosh dhe sintetizosh mendimin tënd me atë të Zotit. Besimi na jep mundësinë që të kapërcejmë pamjen e jashtme të diçkaje e na bënë që të dallojmë shkaqet parësore nga ato dytësore.

Falë besimit, mund të ndodhë tek personi një transformim i plotë i mënyrës së të të shikuarit, të të menduarit e të të përjetuarit të çfarë do lloj përvoje.Mos keni frikë të përballeni me të vërtetën dhe realitetin. Zëvendësoni frikën me besim sepse vetëm kështu mund t’i mposhtim ato pengesa që nuk na lejojnë të jemi vetvetja.

Përse keni frikë

Një  familje e lumtur jetonte në një shtëpi në periferi. Por, një natë në kuzhinën e shtëpisë shpërtheu një zjarr i tmerrshëm. Ndërsa flaka po e kaplonte mbarë shtëpinë, prindërit dolën me vrap jashtë së bashku me fëmijët e tyre. Në atë moment, me tmerr vunë re se mungonte djali i vogël, një vogëlush pesëvjeçar. Në momentin e ikjes, i tmerruar nga zjarri, ishte frikësuar dhe ishte ngjitur në katin e sipërm. Si t’ia bënin? Babai dhe nëna e shikuan njëri-tjetrin të dëshpëruar, dy motrat e vogla filluan të bërtasin. Të hynin brenda në shtëpi nuk ishte e mundur… Ndërsa zjarrfikësit po vonoheshin, por ja se atje lart në katin e dytë, u hap dritarja e

tavanit u duk fëmija duke bërtitur i dëshpëruar: “Babi, babi?”. I ati i tij iu afrua me vrap dhe i thirri me të madhe: “Hidhu poshtë!”. Poshtë fëmija nuk shinte asgjë, veçse zjarr dhe tym të zi, por e dëgjoi zërin e të atit dhe iu përgjigj: “Babi, unë nuk të shoh, nuk di se ku je…” “Të shoh unë, mjafton që të shoh unë. Hidhu poshtë!”, bërtiti i ati. Vogëlushi u hodh dhe përfundoi në duart e forta të atit të tij i cili e kapi ndërsa ai po binte.

Ti nuk e sheh Zotin. Është ai që të sheh ty. Hidhu!

Hidhu, është një ftesë që kërkon besim dhe guxim, ose ndryshe mund të thuhet lëshohu në dorën e Zotit, sepse përpara tij  të gjithë jemi  fëmijë pavarësisht moshës, pushtetit, famës, etj.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »