VËLLAZËRIA UNIVERSALE: NË SHËRBIM TË SË MIRËS SË PËRBASHKËT TË NJERËZIMIT

Oct 6 • Kisha në botë, Opinion

Fjalimi i Atit të Shenjtë Papa Françeskut në Kombet e Bashkuara (New York, E premte, 25 shtator 2015)

 

Zotëri Kryetar, 

Zonja dhe Zotëri!

Edhe një herë, duke përcjell një traditë, me të cilën ndihem i nderuar, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, e ka ftuar Papën që t’i drejtohet këtij kuvendi të nderuar të kombeve. Në emër timin dhe në emër të bashkësisë katolike, Zotëri Ban Ki-Moon, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të sinqertë dhe të përzemërt. Ju falënderoj edhe për fjalët e juaja të ngrohta. I përshëndes: kryetarët e shteteve dhe të qeverive këtu të pranishëm, ambasadorë, diplomatë dhe zyrtarë politikë dhe personat që i përcjellin; personelin e  Kombeve të Bashkuara, të angazhuar në këtë sesion të 70-të të Asamblesë së Përgjithshme; personelin e të gjitha programeve, agjencitë e familjes së OKB-së dhe të gjithë ata, që në një mënyrë apo tjetër, marrin pjesë në këtë takim. Nëpërmjet jush, i përshëndes qytetarët e të gjitha vendeve tuaja të përfaqësuara në këtë takim. Faleminderit të gjithëve për përpjekjet që bëni në të mirë të njerëzimit. 

Kjo është hera e pestë me radhë që një Papë viziton Kombet e Bashkuara. Këtë e kanë bërë paraardhësit e mi, Papa Pali VI, me 1965, Papa Gjon Pali II me 1979 dhe 1996, dhe paraardhësi im i drejtpërdrejt, sot, Papa në pension, Benedikti XVI, në vitin 2008. Të gjithë këta nuk kanë kursyer shprehjen e mirënjohjes për Organizatën, duke e konsideruar një përgjigje adekuate juridike e politike në momentin historik, që karakterizohet nga tejkalimi i distancave dhe kufijve falë teknologjisë dhe, me sa duket, nga çdo kufi natyror për afirmimin e pushtetit.Është një përgjigje e domosdoshme, që, nga momenti kur pushteti teknologjik, i vënë në duart e ideologjive nacionaliste – apo të quajta gabimisht universale, është i aftë të prodhojë krime të frikshme. Nuk mund të mos i bashkohem vlerësimit të paraardhësve të mi, për të riafirmuar rëndësinë që Kisha Katolike ia njeh këtij Institucioni dhe shpresat që i vë në aktivitetet e tij. 

Historia e bashkësisë së organizuar nga shtetet, e përfaqësuar nga Kombet e Bashkuara, që në këto ditë feston 70 vjetorin, është një histori e rëndësishme e sukseseve të përbashkëta, në një periudhë të përshpejtimit të pazakontë të ngjarjeve. Pa pretenduar të jetë shteruese, mund të përmendim kodifikimin dhe zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare, ndërtimin e rregullave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, përmirësimin e ligjit humanitar, zgjidhjen e shumë konflikteve dhe operacionet e paqes dhe pajtimit, dhe arritjet të shumta, në të gjithë sektorët e organizimeve ndërkombëtare të aktivitetit njerëzor. Të gjitha këto të arritura, janë drita që kundërshtojnë errësirat e çrregullimit të shkaktuar nga ambicie të pakontrolluara dhe të egoizmit kolektiv. Është e sigurt që, pavarësisht se problemet e rënda të pazgjidhura akoma janë të shumta, nëse do të kishte munguar gjithë kjo veprimtari ndërkombëtare, njerëzimi nuk do të kishte mbijetuar nga përdorimi i pakontrolluar i vetë mundësive e i potencialitetit të vetë. Secila nga këto përparime politike, ligjore dhe teknike, paraqesin një rrugëtim në realizimin e idealit të vëllazërisë njerëzore, dhe një mjet për arritjen e këtij ideali të madhe.  

Për këtë arsye, iu shpreh nderim të gjithë burrave dhe grave, që i kanë shërbyer me besnikëri dhe sakrificë tërë njerëzimit, gjatë këtyre 70 viteve të fundit. Në veçanti, dëshiroj të kujtoj, sot, ata që dhanë jetën për paqen dhe pajtimin e popujve, nga Dag Hammarskjöld deri te shumë zyrtarë të të gjitha gradave të rënë në misionet humanitare të paqes dhe pajtimit. 

Përvoja e këtyre 70 vjetëve, përtej asaj që është arritur, tregon se reforma dhe përshtatja në kohë, janë gjithmonë të nevojshme, duke përparuar drejt qëllimit përfundimtar të të gjitha shteteve, pa përjashtim, me një pjesëmarrje dhe me vendime të vërteta dhe të drejta. Kjo nevojë për barazi më të madhe, në mënyrë të veçantë vlen për organet me aftësi ekzekutive, siç janë Këshilli i Sigurimit, Entet financiare dhe grupet apo mekanizmat të krijuara në mënyrë specifike për t’i përballur krizat ekonomike. Kjo do të ndihmojë për të kufizuar çdo lloj abuzimi apo shpërdorimi,   sidomos ndaj vendeve që janë në zhvillim. Organizmat financiare ndërkombëtare duhet të vigjilojnë mbi zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve, për të shmangur nënshtrimin mbytës të këtyre vendeve ndaj sistemeve të kredive, të cilat, larg nga promovimi i progresit, i nënshtrojnë popullsitë me mjetet e varfërisë më të madhe, përjashtimit e varësisë. 

Detyra e Kombeve të Bashkuara, duke filluar nga postulatet e Preambulës dhe nenet e para të Kushtetutës së saj, mund të shihet si zhvillim dhe promovim i sovranitetit të ligjit, duke ditur se drejtësia është parakusht i domosdoshëm për të arritur idealin e vëllazërisë universale. Në këtë kontekst, ndjehet nevoja për të theksuar se kufizimi i pushtetit, është një ide e nënkuptuar në konceptin e ligjit. Ti jepet çdokujt ajo që i përket, sipas përkufizimit klasik të drejtësisë, do të thotë: asnjë individ apo grup njerëzish nuk mund të konsiderohet i gjithëfuqishëm, t’i lejohet të shkelë dinjitetin dhe të drejtat e individëve të tjerë, ose të grupeve shoqërore. Shpërndarja faktike e pushteteve (politike, ekonomike, ushtarake, teknologjike, etj), ndërmjet një shumice të subjekteve dhe krijimi i një sistemi ligjor të rregullimit të kërkesave dhe interesave, realizon kufizimin e pushtetit. Sot, megjithatë, skena botërore paraqet shumë të drejta të rreme, dhe – në të njëjtën kohë – sektorë të shumtë pa mbrojtje dhe viktima të një ushtrimi të keq të pushtetit, siç janë mjedisi natyror dhe bota e gjerë e grave dhe burrave të përjashtuar. Janë këta dy sektorë, të lidhur ngushtë mes veti, që marrëdhëniet politike dhe ekonomike mbizotëruese i kanë shndërruar në pjesë të brishta të realitetit. Ja pse është e nevojshme t’i pohojnë me forcë të drejtat e tyre, duke forcuar mbrojtjen e mjedisit dhe duke i dhënë fund përjashtimit.  

Së pari: duhet thënë se ekziston një “e drejtë e vërtetë e mjedisit ” për dy arsye. Së pari, si qenie njerëzore jemi pjesë e mjedisit. Ne jetojmë në bashkësi me të, sepse vetë mjedisi përmban kufijtë etikë që veprimi i njeriut duhet njohur dhe respektuar. Njeriu, edhe kur është  i pajisur me “aftësi të papara” që “shfaqin një tipar të veçantë që kapërcen mjedisin fizik dhe biologjik” (Enc. Laudato sì, n. 81), njëkohësisht është pjesë e atij mjedisi. Ka një trup të përbërë nga elementet fizike, kimike dhe biologjike, dhe mund të mbijetojë dhe të zhvillohet vetëm nëse mjedisi ekologjik është i favorshëm. Çdo dëmtim i mjedisit, pra, është një dëm për njerëzimin. Së dyti, sepse çdo krijesë, veçanërisht qeniet e gjalla, kanë një vlerë në vetvete, të ekzistencës, të jetës, të bukurisë dhe ndërvarësisë me krijesat e tjera. Ne, të krishterët, së bashku me fetë e tjera monoteiste, besojmë se gjithësia vjen nga një vendim dashurie i Krijuesit, i cili, i jep mundësinë njeriut ta përdorë atë me respekt për krijimin, për të mirën e vëllezërve të vet dhe për lavdinë e Krijuesit, por pa e shpërdoruar e pa u ndjerë i autorizuar ta shkatërrojë. Për të gjitha besimet fetare, mjedisi është një e mirë themelore (khs. njëjtë, n. 81). 

Abuzimi dhe shkatërrimi i mjedisit, në të njëjtën kohë, janë të lidhur me një proces të pandalshëm të përjashtimit. Në fakt, një etje egoiste dhe e pakufizuar për pushtet dhe për mirëqenie materiale, të çon të abuzosh si me mjetet materiale në dispozicion ashtu edhe për të përjashtuar të dobëtit dhe të sëmurët, qoftë për faktin se ata kanë aftësi të ndryshme (me aftësi të kufizuara), qoftë për shkak se ju mungojnë njohuritë dhe mjetet teknike të përshtatshme apo kanë kapacitet të pamjaftueshëm për të marr vendim politik. Përjashtimi ekonomik dhe social është mohim i tërësishëm nga vëllazëria njerëzore dhe një sulm i rëndë ndaj të drejtave të njeriut dhe ndaj mjedisit. Nga këto sulme vuajnë më së tepërmi skamnorët, për motivin e rëndë të trefishtë: janë të mënjanuar nga shoqëria, në të njëjtën kohë, janë të detyruar të jetojnë nga hedhurina dhe duhet padrejtësisht të vuajnë pasojat e abuzimit të mjedisit. Këto fenomene përbëjnë sot “kulturën e hedhurinave” aq të përhapur dhe pavetëdijshëm të konsoliduar. 

Natyra dramatike e gjithë kësaj situate të përjashtimit dhe të pabarazisë, me pasojat e tij të qarta, më grish, së bashku me të gjithë popullin e krishterë dhe shumë të tjerë, që të bëhemi të vetëdijshëm edhe për përgjegjësinë time të rëndë në këtë drejtim, kështu që unë ngre zërin tim, së bashku me të gjithë ata që aspirojnë zgjidhje urgjente dhe efektive. Miratimi i “Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm ” në Samitin Botëror, i cili fillon sot, është një shenjë e rëndësishme e shpresës. Unë gjithashtu besoj se Konferenca e Parisit, mbi ndryshimin e klimës, do të arrijë marrëveshje fundamentale dhe efektive. 

Megjithatë, nuk janë të mjaftueshme angazhimet e bëra solemnisht, edhe pse përbëjnë sigurisht  një hap të nevojshëm drejt zgjidhjes së problemeve. Përkufizimi klasik i drejtësisë, të cilit iu referova pak më parë, përmban si element thelbësor, një vullnet të përhershëm dhe të vazhdueshme: Iustitia est et constans perpetua voluntas ius suum cuique tribuendi. Bota kërkon fuqimisht nga të gjitha qeveritë një gatishmëri efektive, praktike, të qëndrueshme, të bërë prej hapave konkretë dhe me masa të menjëhershme për të mbrojtur dhe për të përmirësuar mjedisin natyror dhe të fitojë, sa më shpejt të jetë e mundur, fenomenin e përjashtimit social dhe ekonomik, me pasojat e hidhura: trafikimin me qeniet njerëzore, tregtinë e organeve njerëzore, shfrytëzimin seksual të djemve dhe vajzave, punën skllavëruese, duke përfshirë prostitucionin, trafikimin e drogës dhe trafikun e armëve, terrorizmit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar. Është kaq e madhe rëndësia e këtyre situatave dhe numri i viktimave të pafajshme të përfshira në to, saqë duhet të shmangim çdo lloj tundimi për të rënë në një nominalizëm deklamues, me efekte anestetizuese për ndërgjegje. Ne, duhet të jemi të kujdesshëm që institucionet tona të jenë realisht të efektshme në luftën kundër këtyre fatkeqësive.

Shumëllojshmëria dhe kompleksiteti i problemeve kërkon përdorimin e mjeteve teknike të matjes. Megjithatë, kjo të çon në një rrezik të dyfishtë: të limitohesh në një përdorim burokratik për të hartuar regjistrimet e gjata të qëllimeve të mira – qëllimet, objektivat dhe indikacionet statistike – ose të besosh se e vetmja zgjidhje teorike dhe aprioristike do të jap përgjigje për të gjitha sfidat. Ne, nuk duhet të harrojmë për asnjë çast se veprimtaria politike dhe ekonomike është efektive vetëm kur ajo është konceptuar si një aktivitet i kujdesshëm, i udhëhequr nga një koncept i pandryshueshëm i drejtësisë dhe ka gjithmonë parasysh, që para dhe përtej planeve e programeve, janë gratë dhe burrat konkreti, të barabartë me qeveritarë, që jetojnë, duke luftuar dhe vuajtur, dhe se shumë herë janë të detyruar të jetojnë në kushte të mjeruara, të privuar nga të gjitha të drejtat. 

Që këta burra dhe gra konkret, të mund të dalin nga varfëria ekstreme, ne duhet t’u lejojmë atyre që të jenë aktorë të denjë të fatit të tyre. Zhvillimi njerëzor integral dhe ushtrimi i plotë i dinjitetit njerëzor, s’mund të imponohen. Do të jenë të ndërtuar dhe të zbatuar nga secili, nga çdo familje, në bashkësi me qeniet e tjera njerëzore dhe në një marrëdhënie të drejtë me të gjitha mjediset, në të cilat zhvillohet shoqëriariteti i njeriut – miqtë, bashkësia, fshatrat dhe komunat, shkollat, ndërmarrjet dhe sindikatat, provincat, kombe, etj. Kjo kërkon të drejtën për arsimim – përfshirë edhe vajzat e vogla, të përjashtuara në disa vende – që të sigurohet së pari, duke respektuar e duke forcuar të drejtën parësore të familjeve për të edukuar dhe të drejtën e Kishave e të organizatave të tjera shoqërore, për të mbështetur e për të bashkëpunuar me familjet në edukimin e bijve e të bijave të tyre. I kuptuar kështu, edukimi është baza për realizimin e Agjendës 2030 e për përtëritjen e ambientit. 

Në të njëjtën kohë, udhëheqësit, duhet të bëjnë gjithçka të mundshme në mënyrë që të gjithë të mund të kenë bazën minimale materiale dhe shpirtërore për ta bërë efektiv dinjitetin e tyre dhe për të formuar dhe për të mbajtur një familje, e cila është qeliza themelore për çdo zhvillim shoqëror. Ky minimum absolut, në nivelin material, ka tre emra: shtëpi, punë dhe tokë. Dhe një emër në nivel shpirtëror: liria e shpirtit, që përfshin lirinë fetare, të drejtën e arsimimit dhe të gjitha të drejtat e tjera civile. 

Për të gjitha këto arsye, masa dhe treguesi më i thjeshtë dhe i përshtatshëm në përmbushjen e duhur të Agjendës së re për zhvillim do të jetë qasja efektive, praktike dhe e drejtpërdrejtë për të gjithë, në të mirat materiale dhe shpirtërore të domosdoshme, siç janë: shtëpia, puna e dinjitetshme dhe denjësisht e shpërblyer, ushqimi i mjaftueshëm dhe uji i pijshëm, liria fetare dhe, më në përgjithësi, liria e shpirtit dhe edukimit. Në të njëjtën kohë, këto shtylla të zhvillimit njerëzor integral kanë një themel të përbashkët, që është e drejta për jetën, dhe, në kuptimin edhe më të gjerë, atë që mund të quhet e drejta për ekzistencë e natyrës njerëzore. 

Kriza ekologjike, me shkatërrimin e një pjesë të konsiderueshme të biodiversitetit, mund të rrezikojë ekzistencën e llojit njerëzor. Pasojat e këqija të një keqmbarështimi të papërgjegjshëm të ekonomisë botërore, i prirë vetëm nga ambiciet për të fituar dhe për pushtet, duhet të përbëjnë një apel për të bërë reflektim pa kompromis mbi njeriun: “Njeriu nuk krijohet vetë. Ai është shpirt dhe vullnet, por edhe natyrë” (Benedikti XVI, Fjalimi në Parlamentin e Republikës Federale të Gjermanisë, 22 shtator, 2011;. Cituar në Enc. Laudati sì, n. 6). Krijimi shikohet i paragjykuar “aty ku ne vetë jemi instanca e fundit […]. Dhe krijimi fillon të kuptohet si hedhurinë kur nuk njohim asnjë instancë mbi ne, por shohim vetëm veten tonë. “(I njëjti,  Takimi me Klerin e Dioqezës Bolzano-Bressanone, 6 gusht, 2008, cituar po aty.). Prandaj, mbrojtja e mjedisit dhe lufta kundër përjashtimit, e kërkojnë njohjen e një ligji moral të gdhendur në vet natyrën e njeriut, e cila përfshinë dallimin natyror midis burrit dhe gruas (khs. Enc. Laudato sì, n. 155) dhe respektin absolut për jetën në të gjitha fazat dhe përmasat e tija. (khs. njëjtë, n. 123; n. 136). 

Pa njohjen e disa kufijve etikë natyror të pakapërcyeshme dhe pa zbatimin e menjëhershëm të këtyre shtyllave të zhvillimit njerëzor integral, ideali për t’i “shpëtuar brezat e ardhshëm nga kamxhiku i luftës” (Karta e Kombeve të Bashkuara, Preambula) dhe “të promovojë progresin social; një standard më të lartë të jetesës brenda një lirie më të gjerë,”(njëjtë.) rrezikon për t’u bërë një mirazh i paarritshëm apo, më keq akoma, fjalë boshe që shërbejnë si justifikim për çdo abuzim dhe korrupsion, apo për të promovuar një kolonizim ideologjik përmes imponimeve të modeleve dhe stileve të jetës jo normale, të huaja për identitetin e popujve, dhe, në fund të fundit, të papërgjegjshme. 

Lufta është mohimi i të gjitha të drejtave dhe një agresion dramatik për mjedisin. Në qoftë se dëshirohet të kihet një zhvillim autentik njerëzor integral për të gjithë, duhet të vazhdohet pa u lodhur në angazhimin për të shmangë luftën në mes kombeve dhe në mes popujve. 

Për të arritur këtë qëllim, ne duhet të sigurojmë sundimin e pakundërshtueshëm të ligjit dhe  apelimin e  palodhshëm për negociata, ndërmjetësim dhe arbitrazh, siç është propozuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, e cila përbënë, vërtet, normën themelore juridike. Përvoja e 70 viteve të ekzistencës së Kombeve të Bashkuara. në përgjithësi dhe të përvojës së 15 viteve të para të mijëvjeçarit të tretë, në veçanti, tregojnë si efektivitetin e zbatimit të plotë të normave ndërkombëtare ashtu edhe paefektshmërinë për t’i realizuar në plotni. Nëse respektohet dhe zbatohet Karta e Kombeve të Bashkuara, me transparencë dhe sinqeritet, pa synime të dyta, nëse konsiderohet pikë referimi e detyrueshme për drejtësinë e jo mjet për të maskuar qëllime të dyshimta, arrihen rezultate paqeje. Kur, në të kundërtën, norma ngatërrohet me një mjet të thjeshtë për t’u përdorur kur na duhet e për t’u lënë mënjanë herë të tjera, hapet një vazo e vërtetë e Pandorës me forca të pakontrollueshme, që dëmtojnë rëndë popullsi të pafajshme, ambientin kulturor dhe ambientin biologjik.

Preambula dhe neni i parë i Kartës së Kombeve të Bashkuara, tregojnë themelet e ndërtimit ligjor ndërkombëtar: paqja, zgjidhja paqësore e konflikteve dhe zhvillimi i marrëdhënieve miqësore midis kombeve. Do të bie në kundërshtim të fuqishëm me këto pohime, dhe mohohen në praktikë, kur do të kemi të pranishme tendencën e përhershme të prodhimit të armëve, sidomos të atyre të shkatërrimit në masë, siç mund të jenë armët bërthamore. Një etikë dhe një ligj i bazuar mbi kërcënimin e shkatërrimit të ndërsjellë – dhe potencialisht të gjithë njerëzimit – janë kontradiktore dhe një mashtrim ndaj krijimit të Kombeve të Bashkuara, e cila do të bëhej “Kombet e Bashkuara nga frika dhe mosbesimi.” Duhet përpjekur të krijojmë një botë pa armë bërthamore, duke zbatuar plotësisht Traktatin në mosprodhimin e armëve, në letër dhe shpirt, për një ndalim të tërësishëm  të këtyre instrumente.

Marrëveshja e fundit për çështjen bërthamore në një rajon të ndjeshëm të Azisë dhe Lindjes së Mesme, është një dëshmi e mundësisë së vullnetit të mirë politik dhe të drejtësisë, të kultivuar me sinqeritet, durim dhe këmbëngulje. Unë do të kushtohem që kjo marrëveshje të jetë e qëndrueshme, efektive dhe të japë rezultatet e dëshiruara me bashkëpunim të të gjitha palëve të implikuara. 

Në këtë kuptim, nuk mungojnë dëshmi të rënda nga pasojat negative të ndërhyrjeve politike dhe ushtarake të pa koordinuara në mes anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar. Për këtë arsye, ndonëse nuk do të doja të kisha nevojën për të bërë një gjë të këtillë, megjithatë s’mund të mos i rithem ankesat e mia të përsëritura në lidhje me situatën e dhimbshme në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe vende të tjera afrikane, ku të krishterët, së bashku me grupet e tjera kulturore dhe etnike, e gjithashtu me anëtarët e pjesës religjioze shumicë, që nuk duanin të merrnin pjesë në urrejtje dhe në çmenduri, kanë qenë të detyruar të bëhen dëshmitarë të shkatërrimit të vendeve të tyre të kultit, të trashëgimisë së tyre kulturore dhe fetare, të shtëpive të tyre dhe pasurisë. Atyre, iu është imponuar si alternativë një zgjedhje: të iknin ose të paguajnë të drejtën e të mirave dhe paqe me jetën e tyre ose me skllavëri. 

Këto ngjarje duhet të bëhen apel serioz për shoshitjen e ndërgjegjes të atyre që janë përgjegjës për drejtimin e çështjeve ndërkombëtare. Jo vetëm në rastet e persekutimit fetar apo kulturor, por në çdo gjendje konflikti, si në Ukrainë, në Siri, në Irak, në Libi, në Sudanin e Jugut e në rajonin e Liqeneve të Mëdha, para interesave të veçanta, edhe kur janë të ligjshme, qëndrojnë fytyra konkrete. Në luftëra e në konflikte ka njerëz, vëllezër e motra, burra e gra, të rinj e të moshuar, fëmijë, që derdhin lot, që vuajnë e vdesin. Njerëz, që bëhen hedhurina, ndërsa s’bëhet tjetër, veçse numërohen problemet, strategjitë e diskutimet. 

Siç kam kërkuar nga Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, në letrën time më 9 gushtit 2014, “kuptimi më elementar i dinjitetit njerëzor [e detyron] bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti, përmes rregullave dhe mekanizmave të ligjit ndërkombëtar, të bëjë çdo gjë të mundshme për të ndaluar dhe për të parandaluar dhunën e mëtejshme sistematike ndaj pakicave etnike dhe fetare, ” dhe për të mbrojtur njerëzit e pafajshëm. 

Në këtë linjë të njëjtë, do të doja të përmend një lloj tjetër të konfliktit, i cili, jo gjithmonë është i hapur, por që në heshtje përfshin vdekjen e miliona njerëzve. Një tjetër lloj i luftës që e jetojnë shumica e shoqërisë sonë me fenomenin e trafikut të drogës. Një luftë që merret të jetë e vetëkuptueshme dhe dobësisht e luftuar. Trafikimi i drogës nga natyra e vet është shoqëruar me trafikimin e qenieve njerëzore, pastrimit të parave, trafikut të armëve, shfrytëzimit të fëmijëve dhe formave të tjera të korrupsionit. Korrupsioni që ka depërtuar në nivelet e ndryshme të jetës sociale, politike, ushtarake, artistike dhe fetare, duke krijuar, në shumë raste, një strukturë paralele, e cila rrezikon kredibilitetin e institucioneve tona. 

Fillova këtë fjalim duke kujtuar vizitat e paraardhësve të mi. Tani, do të doja, në mënyrë të veçantë, që fjalët e mia të ishin si një vazhdim i fjalëve të fundit të fjalimit të Papa Palit VI, të shqiptuara pothuajse saktësisht 50 vjet më parë, por me vlerë të përhershme. “Është koha që të bëhet një pushim, një moment heshtje, një reflektim, gati një lutje; të mendohet për origjinën tonë të përbashkët, për historinë tonë, për fatin tonë të përbashkët. Kurrë si sot […] është bërë  nevojshme për të apeluar në ndërgjegjen morale të njeriut [sepse] rreziku nuk vjen as nga progresi e as nga shkenca: këto, nëse përdoren mirë, në të vërtetë mund të zgjidhin shumë nga problemet serioze që e preokupojnë njerëzimin.”(Fjalim drejtuar përfaqësuesve të Shtetit, 4 tetor, 1965). Ndër të tjera, pa dyshim, urtia njerëzore, e aplikuar mirë, do të ndihmojë në zgjidhjen e sfidave serioze të degradimit të mjedisit dhe përjashtimit. Po vazhdoj me fjalët e Papa Palit VI: “Rreziku i vërtetë vjen nga njeriu, zotërues i mjeteve gjithnjë e më të fuqishme, të afta për shkatërrim dhe për arritje pushtime më të mëdha!” (Njëjtë.) 

Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve, duhet të vazhdojë të ndërtohet mbi kuptimin e drejtë të vëllazërimit universal, e mbi respektin për shenjtërinë e çdo jete njerëzore, të çdo burri e të çdo gruaje, të të varfërve, të të moshuarve, të të palindurve akoma, të të sëmurëve, të të papunëve, të të braktisurve, të atyre që gjykohen si hedhurina, sepse konsiderohen vetëm numra të kësaj apo asaj statistike, e asgjë më shumë. Shtëpia e përbashkët e të gjithë njerëzve, duhet të ndërtohet edhe mbi kuptimin e një farë shenjtërie të natyrës së krijuar. 

Mirëkuptimi dhe respekti i tillë, kërkon një shkallë më të lartë të urtësisë, e cila, pranon transcendencën – atë të vetvetes – të heq dorë në ndërtimin e një elite të fuqishme dhe të kuptojë që kuptimi i plotë i jetës individuale dhe kolektive gjendet në shërbimin vetëmohues për të tjerët dhe në përdorimin e kujdesshëm  dhe të respektueshëm të krijimit për të mirën e përbashkët. Duke i përsëritur fjalët e Palit VI, “ndërtesa e qytetërimit modern duhet të bazohet në parimet shpirtërore, të aftë jo vetëm ta mbajnë, për më tepër, për ta ndriçuar dhe t’i dhënë shpirt” (ibid.). 

Gaucho Martin Fierro, një klasik i literaturës nga vendi im i lindjes, këndon: “Vëllezërit të jenë të bashkuar, sepse ky është ligji i parë. Të kenë një bashkim të vërtetë në çdo kohë, sepse nëse hahen me njëri-tjetrin, të huajt do t’i hanë.” 

Bota bashkëkohore, botërisht e lidhur mes veti, po e përjeton një copëzim social gjithnjë në rritje, të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, që paraqet një rrezik “çdo themel të jetës shoqërore”, madje “vjen deri atje sa që të na bën kundërshtar njëri me tjetrin për të mbrojtur interesat vetjake.” (Enc. Laudato sì, n. 229).  

Koha e sotme, na fton të privilegjojmë veprime, që mund të lindin dinamizma të ri në shoqëri e që mund të sjellin fryte në ngjarje historike të rëndësishme e pozitive. (khs. Nxitja Apos. Evangelii gaudium, n. 223).  

Nuk mund t’ia lejojmë vetes t’i shtyjmë për më vonë “disa agjenda”. E ardhmja na kërkon vendime kritike e globale para konflikteve botërore, që shtojnë numrin e të përjashtuarve e të nevojtarëve. 

Ndërtimi i lavdërueshëm ndërkombëtar juridik i Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha të arriturat e saj, e përmirësueshme si çdo vepër tjetër e njeriut dhe, e në të njëjtën kohë, e nevojshme, mund të jetë një peng për një të ardhme të sigurt dhe të lumtur për brezat e ardhshëm. Kjo do të jetë në qoftë se përfaqësuesit e Shteteve do të dinë të vendosin mënjanë interesat sektoriale dhe ideologjike, duke kërkuar sinqerisht shërbimin e të mirës së përbashkët. Unë i kërkoj Zotit të Gjithëpushtetshëm që të jetë kështu dhe iu siguroj mbështetjen time, lutjen time dhe mbështetjen dhe lutjet e të gjithë besimtarëve të Kishës Katolike, në mënyrë që ky Institucion, të gjithë shtetet anëtare të saj dhe secili prej zyrtarëve të saj, gjithmonë të bëjë një shërbim efektiv për njerëzimin, një shërbim që respekton diversitetin, dhe di të forcojë, për të mirën e përbashkët, më të mirën e çdo populli dhe çdo qytetari. Zoti ju bekoftë të gjithëve! 

Nga italishtja: Motër Amanda Shkoza

Shpërndaje

Comments are closed.

« »