JEMI TË KRIJUAR PËR T’U BËRË MIQ

Oct 7 • Kulturë, Recension

(Don Lush Gjergji, Miqtë e mi në amshim, Drita, Prishtinë 2015)

 

Nga Don Fatmir Koliqi

Para se të them pak fjalë për librin, në cilësinë e përgjegjësit të Sh. B. Drita, do të doja të shfrytëzoj këtë moment për të shprehur mirënjohje të thellë Don Lush Gjergjit, në emër të redaksisë, që për vite të tëra e ka drejtuar Revistën Drita dhe Sh. B. Drita, si kryeredaktor i revistës dhe si përgjegjës i botimeve. Unë, si pasardhës i tij që nga viti i kaluar, e ndjejë që më ngarkohet një detyrë me përgjegjësi të madhe, por edhe një privilegj njëkohësisht, që të vazhdoj një punë të shkëlqyer që e kanë filluar, dy njerëz të mëdhenj, Mons. Nikollë Mini dhe Don Gaspër Gjini, nismëtarët e shtypit katolik në Kosovë pas Luftës II botërore, protagonistët e Revistës Drita, meshtarët që e kanë rifilluar një traditë pas shumë kohës, dhe me ndihmën e Imzot Nikë Prelës e ka vazhduar Don Lush Gjergji. Edhe sot, ndonëse ka detyrën e lartë në Ipeshkvi – është Vikar Gjeneral – Don Lushi vazhdon të jetë bashkëpunëtori më i ngushtë dhe më frytdhënës në Revistë dhe në botime. Në fakt, mund të them me plotë gojë, se historia e Dritës nuk mund të shkruhet pa emrin e Don Lush Gjergjit.

Libri i ri i Don Lush Gjegjit “Miqtë e mi në amshim” i botuar nga Sh.B. “Drita” që doli nga shtypi këto ditë, për të cilin jam ftuar të flas, është një monografi e autorit për personalitetet e njohura botërisht ndër ne e disa edhe në botë, dhe të atyre të panjohura, por që kanë pasur një rëndësi të veçantë në jetën e autorit, siç e thotë edhe vetë në parathënie “ata, në jetën time, më kanë dhënë shumë – kanë lanë gjurmë të pashlyeshme; më kanë dhuruar miqësinë, mirëkuptimin, vëllazërinë, dashurinë”. Nga kjo vetëdije e thellë për vlerën e takimit dhe të miqësisë konsiderohen nga autori të jenë thesare, perla që nuk duhet të harrohen.

Dyzet personazhet e këtij libri flasin secili për një histori që ka lënë gjurmë në historinë e dekadave të fundit, në arenën ndërkombëtare dhe kombëtare, në Kishën Universale dhe në Kishën Lokale Shqiptare. Janë personalitete të ndryshme, nga Papët e deri te meshtarët, nga shkrimtarët e deri te humanistët. Kjo larushi personazhesh, miq të autorit, shfaqin një indikator të rëndësishëm, i cili tregon për pasurinë që ka marr nga këto takime.

Sot, në një kohë kur duket se gjithçka ecën shpejt, kur tempoja frenetike thua se nuk lënë gjurmë gati për asgjë, apo siç do ta definonte kohën bashkëkohore, sociologu Zygmunt Bauman, kohë e lëngshme, likuide, që çdo ngjarje pas një jave duket se harrohet nga të gjithë, një libër i këtij lloji është një guxim dhe dhuratë e madhe për të ushqyer kujtesën, për të medituar për kujtesën e për ta trashëguar kujtesën.

Pas librit të autorit “Dashuria që nuk vdes – të mëdhenjtë e shek. XX”, i botuar vitin e kaluar nga Sh.B. “Drita” libri “Miqtë e mi në amshim” mund të konsiderohet si vazhdim i saj, apo pjesa e dytë e saj, edhe pse me një pikëvështrim pak më ndryshe. Hetohet shumë qartë se, Don Lushi kohët e fundit, i jep vetës një angazhim shtesë në veprimtarinë e tij krijuese: të luftojë kundër likuiditetit bashkëkohor, duke e sfiduar harresën personale dhe kolektive, që na imponohet nga zhargonizmi i egër i shoqërisë sonë.

Derisa tek libri i parë paraqiten njerëz të mëdhenj botëror, në këtë libër dominojnë njerëz të botës sonë shqiptare, e kjo na shpie tek një tregues tjetër: autori ka dashur të krijojë një tablo me përmasë historike dhe antropologjike të dekadave të fundit, që ka dominuar në nënqiellin tonë shqiptar, apo atë themel mbi të cilin është ndërtuar e tashmja që po e jetojmë. Janë personalitete të shquara që kanë vërë themele në kulturë, në art, në shkencë, në botën tonë shqiptare shpirtërore dhe humane, siç janë Don Gasper Gjini, Atë Zef Valentini, Ernest Koliqi, Don Simon Filipaj, Lin Delija, Ibrahim Kodra, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Simon Shiroka, Engjëll Sedaj, Bajram Kelmendi, Ibrahim Rugova, Anton Çetta, Kardinal Mikel Koliqi, Mons. Eleuterio Fortino, Imzot Nikë Prela, Imzot Mark Sopi. Janë vetëm disa emra të atij vargu miqsh që Don Lushi i ka renditur në këtë monografi dhe që spikatin për kontributin e pashoq në dekadat e shekullit të kaluar, pa të cilët ne sot nuk do të ishim këtu ku jemi. Në fakt, edhe vet autori bën pjesë këtu, sepse ishte njëri ndër protagonistët dhe bashkëpunëtorët e kësaj historie, që shpresoj s’do të harrohet.

Don Lushi, me këtë libër monografik, na kujton të mos harrojmë të kaluarën dhe na mëson se si të veprojmë për të mos harruar, se e kaluara bën pjesë në të tashmen, e në mënyrë të veçantë ajo e kaluar që ka vërë themelet e të tashmes sonë; na mëson që të vazhdojmë të kujtojmë burrat dhe gratë që, me punën dhe jetën e tyre, kanë shkruar edhe historitë tona dhe vazhdojnë akoma të shkruajnë atë përmes nesh. Madje do të vazhdojnë të shkruajnë mu këtë histori, sepse na obligojnë dhe ju kemi borxh të bëhemi trashëgimtarë që e promovojnë, e begatojnë dhe e mbajnë gjallë pasurinë e madhe që na kanë dhuruar.

Për fund, dua të përmend një përmasë tjetër që e hetojmë që nga titulli i librit: Don Lushi, me librin me librin e vetë, na bën të qartë se jeta e njeriut e merr kuptimin e plotë dhe pasurohet duke krijuar miq dhe duke jetuar me miq. Ne jemi të krijuar për tu bërë miq, që del të jetë raporti më fisnik ndaj njeriut, ndaj njëri-tjetrit, i bazuar në dashuri, që nuk mbaron vetëm në të tashmen, porse miqësia e vërtetë merr përmasën e dashurisë nga teologjia e shën Palit, që nuk mbaron kurrë, por e vazhdon jetën e saj në amshim.

Dua të shpresoj se Don Lushi, s’do të ndalet vetëm me këtë monografi, por do të vazhdojë  të nxjerr nga harresa edhe personalitete tjera, në mënyrë të veçantë nga kleri shqiptarë të shek. XX, që shumë pak njihen sot nga gjenerata të reja.

(Fjala nga promovimi i librit në Manifestimin kulturor “Takimet e Don Mikelit”, Stubëll e Epërme, 3 tetor 2015)   

Shpërndaje

Comments are closed.

« »