TAKIMET E DOM MIKELIT NË STUBËLL – MBAJNË GJALLË KULTURËN DHE IDENTITETIN TONË SHQIPTAR

Oct 7 • Kisha në Kosovë

Takimet e Dom Mikelit në Stubëll të Karadakut, janë ngjarje e rëndësishme për kulturën shqipe, ku promovohet shkenca, historia, poezia dhe identiteti evropian shqiptar, u tha ndër të tjera në manifestimin e sivjetshëm që  u mbajt si çdo vjet në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë.

Në këtë manifestim, i cili mbahet për  të 26-tën herë me radhë, u shënua 110 vjetori i Shkollës së Parë Legale Shqipe në Kosovë (1905-2015).

Manifestimi filloi me meshën të cilën e udhëhoqi Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë, Dom Lush Gjergji, me disa meshtarë të dioqezit që bashkëmeshuan në këtë kremtim.

Ndërkaq pjesa tjetër, tribuna shkencore, e manifestimit filloi me fjalën e rastit të kryetarit të Komunës së Vitisë, i cili tha se këto takime i kanë dhënë gjallëri kulturore Vitisë dhe Anamoravës, ndaj duhet mbështetur e afirmuar.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, në Manifestimin Letrar, Kulturor dhe Shkencor “Takimet e Dom Mikelit”, ndër të tjera tha: “Ky manifestim, me traditën tanimë të mirënjohur kulturore e shkencore mbarëshqiptare, është shndërruar në një festë nacionale që promovon kulturën, historinë, poezinë dhe identitetin tonë.” 
Ministri Shala, po ashtu, shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë së Kosovës që “këto vlera dhe këto dëshmi t’i përkrahim, ndihmojmë, afirmojmë dhe promovojmë, sepse jemi të bindur se kështu punojmë në shërbim të së mirës së përbashkët, të përhapjes dhe njohjes së kulturës dhe traditës tonë.”

Po ashtu, në këtë manifestim ishte i pranishëm Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, i cili përshëndeti me një fjalë rasti duke e vlerësuar lartë  Stubllën, e cila, sipas tij, rrezaton dashuri dhe shqiptarizëm, ndaj vlerat e këtij vendi duhet afirmuar në të mirë të kulturës së përgjithshme.

Pas fjalëve të rastit, u vazhdua me Tribunën Shkencore, e cila organizohet nga  Shoqata Kulturore Shkencore “Dom Mikel Tarabulluzi”, nën bashkëpunim me Qendrën për Studime Albanologjike në Tiranë, e në të cilën referuan historianët e shquar: Pëllumb Xhufi, Gjon Berisha dhe Lush Culaj.

Për ta begatuar këtë manifestim, sivjet janë promovuar edhe monografia “Miqtë e mi në amshim” e autorit stubllas Dom Lush Gjergji, për të cilën foli Don Fatmir Koliqi, si dhe vepra “Arbërorët ndërmjet Kishës perëndimore dhe asaj lindore” e Gjon Berishës e për të cilin foli historiani i mirënjohur, Pëllumb Xhufi.

Don Fatmir Koliqi, në fjalën e tij, çmoi lart kontributin e Dom Lush Gjergjit në fushën e kulturës, dijes dhe të botimeve, sidomos rolin e tij të madh në Revistën dhe Shtëpinë Botuese Drita, dhe e ndërlidhi emrin e Dritës me emrin e tij. Ai tha se me këtë libër, Dom Lushi na mëson sesi luftohet harresa dhe si kultivohet kujtesa.

Ndërkaq Pëllumb Xhufi, tha se vepra e Gjon Berishës, përbën një vlerë të shtuar në fushën e historiografisë shqiptare. Ai shtoi se Gjoni shkruan me argumente, faktet i mbarështon drejt dhe gjithmonë me ngulmë i qëndron besnik të vërtetës shkencore.

Si zakonisht, në manifestimin e sivjetshëm u organizua edhe Ora e Madhe Letrare dhe u ndanë çmimet “Agim Ramadani” për poezinë me të mirë dhe veteran i arsimit “Qeshk Uka”.

Në manifestim morën pjesë poetë të shumtë nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Kosova dhe diaspora shqiptare. Lexuan 25 poetë, ndërkaq vendin e parë e fitoi Halil Matoshit me poezinë “Mërzia”,  vendi i dytë i takoi poetit Rushit Ramabaja me poezinë “Vjelësit e mëkatit” dhe vendi i tretë Myrvete Osmani me poezinë “Enigma ime”.

Juria profesionale ishte përbërë nga Qibrije Demiri-Frangu, Naime Beqiraj dhe Prend Buzhala.

Çmimet për fituesit e poezisë, i ndau vëllai i dëshmorit Agim Ramadani, Dr. Jashar Ramadani.

Për të pranishmit, është dhënë një programi i pasur muzikor nga Filarmonia e Kosovë dhe Ansambli “Kemajl Azizi” nga Viti.

Çmimi “Qeshk Ukaj – veteran i arsimit” për kontributin në fushën e arsimit iu dha profesorit të ndjerë, Lluk Pera.

(Revista Drita)

 

0

1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

11 (2)

12

12 (2)

13

13 (2)

14

17

18

19

20

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »