DY TIPA PRINDËRISH

Oct 9 • Familja

Shkruan: Pavao BRAJSHA

Tipi i parë i prindërve, veten dhe sjelljen e vet si dhe fëmijën dhe sjelljen e tij, e identifikon me shkakun dhe pasojën në nivelin e ndikimit të drejtpërdrejtë. Të njëjtën gjë e bëjnë edhe në mes veti. Këta prindër veten e konsiderojnë si të vetmin përgjegjës për gjithçka i ndodhë fëmijës, me bindjen se mund të ndikojnë direkt në zhvillimin e fëmijës, për ta drejtuar dhe programuar. Për çdo mossukses të zhvillimit të fëmijës e fajësojnë veten dhe sjelljen e vet, gjë që qartë vlen edhe për çdo sukses të fëmijës, që ia përshkruan vetes dhe aktiviteteve të veta. Rezultat i kësaj janë hedhjet e njëri-tjetrit, fajësimi, paditja, ndjenja e fajit dhe frustrimi për shkak të të gjitha pritshmërive të parealizuara në planin e edukimit dhe zhvillimit të fëmijës. Mundohen ta ndryshojnë, drejtojnë dhe dirigjojnë njëri-tjetrin dhe bashkërisht fëmijën. Të qenët prindër e identifikojnë me “një punë” që duhet kryer mirë në bazë të të gjitha recetave të ekspertëve dhe shkencës bashkëkohore, kurse rezultatet duhet qenë të përputhshme me orvatjet dhe mjetet e ndërmarra. Një prindërim i tillë për ta është shumë i mundimshëm dhe zhgënjyes, kurse për fëmijën i dëmshëm. Ai është jetësisht jo real, shpesh herë pas tij fshihet një dashuri egoiste dhe posesive prindërore, në të cilën fëmija trajtohet si lilë e prindërve dhe jo si qenie njerëzore e pavarur dhe autoktone, që ka të drejtën e zhvillimit personal dhe të ardhmes pavarësisht prej prindërve.

Tipi tjetër i prindërve e pranon qarkullimin real jetësor të dinamikës, si në mes veti ashtu edhe në raport me fëmijën. Veten dhe fëmijën e konsiderojnë pjesëtarë të një procesi qarkullues jetësor të përbashkët, të komplikuar dhe kompleks, brenda të cilit edhe shkaqet edhe pasojat janë të kushtëzuara dyanshmërish. Edhe fëmija edhe prindërit janë edhe shkaktarë edhe pasoja të asaj çfarë ndodh ndërmjet tyre. Qëllimi i prindërve është krijimi i kushteve sa më të volitshme, brenda të cilave mund të zhvillohet papengueshëm ky proces qarkullues i edukimit dhe zhvillimit të fëmijës. Ata janë të gatshëm t`i pranojnë rezultatet që nuk i presin, pasojat që nuk kanë shpresuar që do të vijnë dhe zhvillimin që nuk e kanë parashikuar. Ata nuk fajësohen në mes veti, por bashkëpunojnë, merren vesh dhe provojnë të orientohen në rrethanat e paparashikuara të zhvillimit të fëmijës. Orvaten ta kuptojnë çfarë ndodh në mes tyre dhe fëmijës, pa e fajësuar për këtë veten apo fëmijën. Kujdesen për kushtet nga më të volitshmet të zhvillimit, por këtë nuk e përkufizojnë. Bashkë me fëmijën zhvillohen dhe edukohen, dhe nuk i kufizojnë funksionet e veta prindërore vetëm në edukues dhe “dirigjentë” aktivë të fëmijës, të zhvillimit të tij. Bashkë me fëmijën ndodhen në procesin e përbashkët qarkullues zhvillimor dhe edukativ, rezultatet e të cilit nuk mund t`i etiketohen njërit prind, por as të dy prindërve, por të gjithë pjesëmarrësve të këtij procesi, që do të thotë edhe prindërve edhe fëmijës dhe pjesëmarrjes së tyre të përbashkët në gjithë këtë. Një prindërim i tillë është më real, më pak zhgënjyes, më pak i mundimshëm, por edhe më pak i dëmshëm për fëmijën dhe për prindërit. Edhe suksesi edhe mossuksesi ndahen, nuk i përvetësojnë as nëna as babai, por as që mbartet i tërë faji te fëmija.

 

Prindërit dhe zhvillimi i fëmijës

Edhe këtu i kemi dy tipa prindërish. Njëri tip i prindërve nuk e shoqëron zhvillimin e fëmijës por e zhvillon sipas qëllimeve, planeve dhe programeve të veta. Fëmijën e formojnë sipas modelit të vet. Shërbehen me të ashtuquajturën lidhjen negative kthyese, që do të thotë që ia vënë mendjen mirë çdo shmangieje nga normat e dhëna tek sjellja e fëmijës si dhe me ndalime, ndëshkime, shantazhime, vërejtje, por edhe me shpërblime, e kthejnë në atë kallëpin sipas të cilit dëshirojnë ta formojnë. Prindër të tillë sillen ngjashëm edhe në mes veti. Njëri-tjetrin vazhdimisht e kthejnë në do farë skema sjelljesh amësore ose atërore, në disa “fasada” të prindërimit, për të cilat mbahen si pula pa krye. Ia vështirësojnë fëmijës zhvillimin, ardhmërinë, jetën, lumturinë dhe kënaqësinë e tij origjinale, autoktone dhe vetëm të tij. Zakonisht këto skema dhe modele janë marrë nga fëmijëria e vet, kështu që fëmijët i edukojnë për të kaluarën dhe jo për të tashmen, e jo se jo për të ardhmen. Një prindërim i tillë është i dëmshëm edhe për vetë prindërit, sepse ata vetëm e përsërisin të kaluarën e vet, pa e shfrytëzuar rastin që ta vazhdojnë zhvillimin e vet duke mundësuar edhe zhvillimin e fëmijës.

Tipi i dytë i prindërve e shoqëron zhvillimin e fëmijës dhe nuk e dirigjon. Zhvillohen bashkë me fëmijën. E nxisin atë në forma të reja sjelljesh. E përdorin lidhjen pozitive kthyese, që do të thotë që te shmangiet nga ajo çfarë është pritur dhe planifikuar nuk shohin vetëm diçka negative dhe të rrezikshme, qoftë për veten qoftë për fëmijën, por në to kërkojnë diçka pozitive, të re, interesante dhe të dobishme dhe në këtë drejtim e vazhdojnë zhvillimin e vet dhe të fëmijës. Janë të gatshëm të kërkojnë në të renë edhe atë anën pozitive dhe jo vetëm atë negative, të dobishmen dhe jo vetëm të dëmshmen, të mirën dhe jo vetëm të keqen. Të renë dhe të ndryshmen provojnë ta kuptojnë dhe jo vetëm ta gjykojnë, ta pranojnë dhe jo menjëherë ta refuzojnë, të reflektojnë për këtë e jo apriori, d.m.th. sipas disa shemave të tyre, ta përjashtojnë. Këta prindër vazhdimisht përgjojnë se çfarë gjëra të reja po ndodhin në mes tyre dhe në raport me fëmijën, si dhe te vetja e tyre, prandaj gjithmonë i riformojnë qëndrimet, principet dhe sjelljen e tyre. Ata janë të hapur ndaj të ardhmes, jo vetëm asaj vetjake por edhe të fëmijës. Së bashku me fëmijën ecin drejt ardhmërive të përbashkëta por edhe të ndara. Nuk kanë frikë nga zhvillimi i ndryshëm nga ai i planifikuar as te vetja, por as te fëmija. Këta janë prindër pozitivisht të orientuar, të cilët orvaten në të gjitha format e sjelljes së fëmijës të gjejnë diçka pozitive, të dobishme, të mirë ose të paktën qëllimmire. Në bazë të kësaj të reje, të papriture dhe të ndryshme te fëmija i ndryshojnë planet dhe programet e veta, veprimet dhe kallëpet e veta edukative. Ata edukojnë por edhe lejojnë të edukohen. Marrin pjesë në zhvillimin e fëmijës, por edhe vetë zhvillohen. Vërtet i duan fëmijët e vet dhe nuk besojnë që ata bash gjithçka bëjnë, e bëjnë keq, gabim, dëmshëm. U ndihmojnë që në këtë të mirën dhe të ndryshmen ta ndajnë të keqen nga e mira, të dëmshmen nga e dobishmja, të padëshirueshmen nga e dëshirueshmja.

Nga kroatishtja: P. Shtjefën Dodes, SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »