ÇFARË TË MUNGON QË TA NDJEKËSH JEZUSIN?!

Oct 9 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXVIII gjatë vitit

Leximi parë (Urt 7,7-11)

Lexim prej Librit të Urtisë

U luta e më qe dhuruar mençuria, u përlota e më erdhi shpirti i urtisë. E çmova atë më shumë se mbretëritë e fronet, për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të. Gurin e paçmueshëm as që e krahasova me të, sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë, e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.  E desha më tepër se shëndetin e bukurinë dhe e parapëlqeva më fort se dritën, sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë.    

Fjala e Zotit

 

Psalmi 90                                                

Ref. Na e jep, o Zot, urtinë e zemrës.

———————————————–

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona

që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu?

Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

————————————————–

Na e ndiko në mëngjes mëshirën tënde,

e do të gëzohemi e do të galdojmë

të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove,

për vjetët që i kaluam në mjerim.

—————————————————

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu,

shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë,

bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona,

të përparojë vepra e duarve.

—————————————————–

 

Leximi dytë (Heb 4,12-13)

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin, edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t’i japim llogari.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, t‘ ju japë Shpirtin e dijes,

që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja juaj.

Aleluja!

  

Ungjilli  (Mk 10, 17-30)

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi doli në rrugë, një njeri u lëshua vrap, ra në gjunjë para tij dhe e pyeti: “Mësues i mirë, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?” Jezusi i përgjigji: “Pse më thua ‘i mirë’? Askush s’është i mirë përveç një Hyji të vetëm! Urdhërimet i di: Mos vrit! Mos the kurorën! Mos vidh! Mos dëshmo rrejshëm! Mos bëj kurrfarë padrejtësie! Ndero babën tënd e nënën!” Ai u përgjigj: “Mësues, të gjitha këto i kam zbatuar që prej rinisë sime.”  Atëherë Jezusi e shikoi ëmbël, i pëlqeu dhe i tha: “Të mungon edhe një gjë: shko, shit çka ke, ndajau skamnorëve e do të kesh thesar në qiell; atëherë kthehu e eja pas meje!” Djaloshi u prish kur e dëgjoi këtë fjalë, dhe, i trishtuar, u largua, sepse kishte prona të shumta. Jezusi, pasi e hodhi shikimin përreth, u tha nxënësve të vet: “Sa vështirë do të hyjnë pasanikët në Mbretërinë e Hyjit!”  Nxënësit mbetën shtang të habitur prej këtyre fjalëve të tija. Por Jezusi foli përsëri dhe u tha: “Bijtë e mi! Sa vështirë është të hyhet në Mbretërinë e Hyjit! Më lehtë është të përshkohet devja nëpër veshë të gjilpërës se të hyjë i pasuri në Mbretërinë e Hyjit!” Nxënësit çuditeshin edhe më tepër dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Atëherë kush do të mund të shëlbohet?” Jezusi ua nguli sytë dhe tha: “Sa për njerëz, njëmend, është punë që s’bëhet, por jo për Hyjin: Hyji mund të bëjë gjithçka.”

Atëherë Pjetri mori fjalën e i tha: “Qe, ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje.” Jezusi i përgjigji: “Për të vërtetë po ju them: s’mund të ketë asnjë njeri që la për shkak timin e për shkak të Ungjillit shtëpinë, ose vëllezërit, ose motrat, ose nënën, ose babën, ose fëmijët, ose arat, e të mos marrë tani, në këtë botë, edhe pse me salvime, njëqind herë aq shtëpi, vëllezër, motra, nëna, fëmijë e ara, e, në botën e ardhshme, jetën e pasosur.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Të krishterët dhe të mirat materiale

Tregohet një ngjarje: sesi tre të rinj  dy të pasur e një i varfër, por i bukur, arritën te një lum, i cili, ishte i madh dhe i thellë. Në anën tjetër, thërriste një vajzë e bukur: jam bija e mbretit. Ai që i pari noton dhe vjen tek unë do të martohem me të.

Djaloshi i parë që ishte i pasur mendoj në vete kam mjaft pasuri, s‘ kam nevojë më tepër, më mirë të ruaj këtë që kam.

I dyti, ishte shumë i dhanun pas materializmit; mendonte në vete, të ketë edhe më tepër.

Pasurinë që kishte e lidhi rreth vetes, dhe u zhyt në ujë për të kaluar në anën tjetër, por, nga barra që kishte dhe rrobat që e renduan nuk mundi të kalonte: e barti uji.

Ky djaloshi i tretë nuk kishte ndonjë gjë më rendësi, edhe rrobat i kishte të vjetruara, i hoqi thuaja se të gjitha dhe i dha not e doli pa problem. Vajza u bë gruaja e tij dhe ky djalosh e trashëgoi mbretërinë.

Ndërsa Ungjilli na flet po ashtu për një djalosh të pasur. Ky e ruante pasurinë me shumë kujdes, ishte i lidhur për pasuri, pastaj për pasanikun që s‘ mund të hyjë në mbretërinë e qiellit dhe për Pjetrin që e ndjek Jezusin bashkë me apostuj e që Jezusi i premton këtu në këtë botë të mira të shumta dhe jetën e pasosur.

Ka pasanikë që nuk janë në gjendje të flijojnë pasurinë për gjëra më të mëdha.

Ndërsa, i krishteri i vërtetë, duhet të veprojë ndryshe. Duhet ta çmojë pasurinë, por, mbi të gjitha, ajo nuk guxon të luajë rolin e zotërisë por të shërbëtorit, pasuria duhet të jetë në shërbim të njeriut.

Pasuria që fitohet ndershëm është një mundësi edhe bamirësie- dhe falënderimi Zotit që e ka.

Njeriu i pasur, shpeshherë është i robëruar, ndërsa i varfëri ai që nuk është i lidhur me pasuri është më i lirë shpirtërisht.

Sot ka shumë njerëz që janë të pasur por pak janë të lumtur, nuk janë të lumtur sepse ndoshta ajo pasuri ju ka bërë çdo gjë në jetë.

Neve si të krishterë, Zoti na është pasuria më e madhja. Kur jetojmë sikurse na mëson Ai, një jetë ë rregullt sakramentale, në lutje, në vepra të mira, në dashuri. Kjo na bënë të ndihemi të lumtur dhe mos të jemi shumë të stresuar dhe të ngarkuar. Natyrisht që kemi nevojë edhe për gjëra materiale sepse nuk mund të jetosh, por me masë çdo gjë dhe me ndihmën dhe në nderë e lavd Zotit, të punojmë dhe do të fitojmë.

Djersa dhe mundi gjithmonë shpërblehen dhe Zoti bekon e shenjtëron.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T‘ ia paraqesim Zoti tonë Jezu Krishtit lutjet tona, i cili me shembull na tregoi se si është e mundur plotësisht dhe deri në fund ta duam Hyjin dhe njerëzit, të themi së bashku:

O Jezu dëgjona ne!

– Jezus i mirë, dhuroj Kishës sate trimëri dhe guxim në shpallje të ungjillit tënd, të lutemi:

– Shpallës i së vërtetës, ruaj barinjtë e Kishës sate nga të gjitha tundimet që me shpirt të lirë dhe të fortë në fe të përkujdesen për grigjën që ua ke besuar, të lutemi:

– Jezus frymëzo papën dhe të gjithë etërit e Kishës që Sinodin e filluar mbi familjen ta përfundojnë me sukses dhe për të mirën e të gjithë besimtarëve, të lutemi:

– Mësues i mirë, pastro zemrat e atyre që janë vetjak dhe jetojnë në mendime të këqija, tregoju rrugën e vërtetë të jetës dhe shëlbimit, të lutemi:

– Biri i Hyjit, bëj që kjo bashkësi e jotja këtu e pranishme, të jetojë nën hirin dhe mbrojtjen tënde, të lutemi:

– Shëlbues i ringjallur, pranoj shpirtrat e të vdekurve tanë në jetën e amshuar, të lutemi:

O Jezus Zot, pranoji lutjet dhe kërkesat që t‘ i paraqet Kisha jote nëpër mes Shpirtit shenjtë që të realizohen për të mirën e shpirtit tonë. Ti që jeton e  mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Pëgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »