LEHTËSIA E BINDJEVE EKSTREME

Oct 9 • Meditimi i ditës

9 tetor 2015 – e premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, qetësohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim zhvillimi dhe zbulimi.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Vetëdija

 

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 11,15-23

 

15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16 Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!

21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ungjillii sotëm na sjell ngjarjen e disa njerëzve të cilët refuzonin të pranojnë një të mirë të madhe që Jezusi e kishte bërë. Në vend të kësaj, këta të njëjtit njerëz e akuzonin Jezusin se po vepronte me ndihmën e satanit – djallit. Logjika e kësaj na turbullon mendjen, mirëpo edhe vetë e kemi përjetuarse si njerëzit preferojnë të shkojnë në ekstreme sesa t`i ndryshojnë bindjet e vet

– Jezusi na kujton një fakt të rëndësishëm: kur na ka ndihmuar të përparojmë nën udhëheqjen e tij duhet të jemi të kujdesshëm dhe të qëndrojmë në shoqërinë e tij në qoftë se s`duam të biem në tundimin e kthimit prapa.

– I flas Zotit dhe i kërkoj që të jem i/e hapur ndaj të mirës. Lus që t`i shmangem kritikimit të të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

 

Më udhëheqtë Shpirti yt i shenjtë

në marrëdhëniet e mia me njerëz të tjerë.

Bëj që me kujdes ta përdori dhuntinë e të folurit.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »