ZÂNI I TЁ DEKUNIT!

Oct 9 • TRADITA

Nga Lazër Shantoja

Carlyle e fillon historin qi shkroi mbî revolucionin e Francës tё vjetit 1848 me kёto fjalё tё Montesquieu: «Lum ai popull qi kà nji histori tё merzitshme«!

Po kjè se qetёsija e monotonija e ndolljevet historike pêrbâjn lumnín e nji kombi, atёherё Shqyptarёt e soçem do t’ishin me tё vertetё njerzt mâ tё mjerёt e botёs.

Historija e Shqypnís sё lirё âsht nji kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicjonesh, partinash kaq tё mёdhaja, tё shpeshta, tё ndyeta e tё damshme qi nuk e gjênё askûnd shoqen nё botё. Sot me hapjen e Kuvêndit Kushtetues populli shqyptàr çilё nji fletё tё rè e ngûlё nji cak tё ri qi kà me shenjue nji epokё n’historín kombёtare.

Me Kuvêndin Kushtetues na shqyptarёt dishrojm e pretendojm me e diejt tek e mbramja se kû jena! Do tё kuvêndim me letra tё zbulueme! Jena teper tё lodhun e tё merzitum prej ndolljevet tё vjetvet qi shkuen: lypim qi historín e kombit t’onё t’a përshkojё mbas sodi jo mâ era e duhís, por flladi i nji jete mâ tё stabilizueme e tё normalizueme. Me daten e Kuvêndit Kushtetues historija shqyptare do tё fillojё m’u bâ mâ monotone!

Do t’a diejm mâ nji herё at «ubi consistam» t’Arkimedit, pse me droje, dyshime, kercnime, pasigurina tё pàprâshme ekzistenca e jonё nuk mûnd tё mbâhet mâ. Mjaft e kèm pà Shqypёniёn e mjerё tё bâme dûgajё për fitimin ekskluziv tё disà klasavet tё privilegjueme: mjaft mâ ndêj livadh kulloset kû rênd mbas rêndit u lёshuene politikâjt e improvizuem; mjaft e durueme porsi lâmё eksperimentash per aventurjera kozmopolitё; mjaft pësoj e bâme skakjerё lojnash diplomatike.

Mjaft! Sot popullit i kà ardhё shpirti nё fyt: sot populli don me diejt kategorikisht: a kà a s’kà Shqypni?

Tё mêndojm se kёsajё pvetje qeveritarёt t’onё tё deritashem nuk i kan gjegjё enè! Se kà Shqypni e beson sot, ndoshta, ministri, deputati, oficeri, nёpûnsi: me nji fjalё i frang-ar-rroguemi; por populli qi luftoj, qi pagoj, qi u dogj, qi u vorfnue, qi u fik… nuk mûnd t’a besojё kurr! Janё disà vjet qi shteti ynё i ri velëzon neper udhet e hapёta tё lirís. Si lexohet nё nji nder vjerrshat mâ tё bukurat e tё permêndunat t’Henrik Ibsenit, edhè Shqypnija i kà ngja «nji anijes qi udhton me nji tё dekun mbrêndё».

Nё barken e shtetit t’onё tё rrênuem ekonomikisht nuk gjêjm sot tjeter perposё nji trup tё dekunit. Ky i dekun âsht populli! Qeveritarёt t’onё deri mё sot kujtuen me mbâjtё Shqypnín e… mytne popullin! Por ky popull sot flet! prej gjumit tё dekёs çon zânin e me shpresё por edhè me guxim e kercnim pvetё: A kà Shqypni edhè per mue? Po kjè se antarët e Kuvêndit Kushtetues me ligjёt qi do tё bâjn e me drejtёsín qi do tё ndjekin nuk kan me muejt me i gjegjё kёsajё pvetje, atbotё ajo Mbledhje s’kà me kên tjeter veç se fundi i nji farse e fillesa e nji tragjedije!.. Hyu mos e prêmtoftё!

Ora e Maleve, Shkodër, 19 Kallnduer 1924

Shpërndaje

Comments are closed.

« »