DALLIMI I SHENJAVE

Oct 12 • Meditimi i ditës

12 tetor 2015 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

 

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Vetëdija

 

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.

Diçka që ndjehem fajtor? Atëherë do të lus për falje.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 11, 29-32

 

29 Pasi populli shkonte gjithnjë duke u bashkuar ai filloi të flasë:

“Kjo brezni është brezni e keqe: po kërkon një shenjë! Porse nuk do t’i jepet shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës. 30 Sikurse Jona u bë shenjë për ninivitët, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë shenjë për këtë brezni.

31 Mbretëresha e Jugut ditën e Gjyqit do të ngrihet bashkë me njerëzit e kësaj breznie dhe do t’i dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i dheut për të dëgjuar urtinë e Salomonit. Dhe, ja, këtu është Dikush më i madh se Salomoni!32 Njerëzit e Ninivës, ditën e Gjyqit, do të ngrihen bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse u kthyen me predikimin e Jonës, dhe, ja, këtu Dikush më i madh se Jona!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Njerëzit vinin te Jezusi duke kërkuar shenja. Ai krahasohet me Solomonin dhe Jonën–ata ishin njerëz të cilët ishin shenjat e Hyjit në kohën e tyre. Por Jezusi flet me një autoritet më të madh se ata.

– Cilat shenja në jetë të çojnë te Jezusi? Kush janë këshilltarët e tu dhe zërin e kujt e dëgjon kur mendon për një kuptim më të thellë të jetës?

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »