PUSHTETARËT, SHËRBYES, JO SUNDUES

Oct 14 • Meditimi i ditës

14 tetor 2015 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Po bëhem i/e vetëdijshëm/e, o Zot, për praninë tënde.

Po mbështetem në zemrën tënde të butë.

Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.

Në momentet e mërzisë ngushëlluesi im.

 

Liria

 

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat vetjake i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 11, 42-46

 

42 Porse; vaj për ju, o farisenj që jepni të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por e lini pas shpine drejtësinë dhe dashurinë e Hyjit! Këto të fundit është dashur të bëhen e ato të parat s’është dashur të lihen!

43 Vaj për ju farisenj, sepse jua ka ënda katedrën e parë në sinagoga dhe përshëndetjet në sheshe!

44 Të mjerët ju, sepse jeni porsi varret që nuk shihen e njerëzit, pa ditur, ecin mbi to!”

45 Atëherë një mësues i Ligjit i tha:

“Mësues, ti, duke folur kështu, po na fyen edhe ne!”

46 “Vaj edhe për ju, mësues të Ligjit ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vetë as me gisht të dorës nuk i prekni!

  

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Njerëzit në pushtet shpesh e përdorin pozitën e tyre për të kërkuar nga të tjerët miratim të detajuar dhe njohjen e statusit të tyre. Shpesh kjo rezulton në neglizhencë të faktit se drejtësia dhe kujdesi për të tjerët janë elementet thelbësore të shërbimit të atyre që janë në pushtet.

– Të gjithë jemi të thirrur për të vepruar me drejtësi, të duam dhe të ecim me përvujtëri para Zotit.

 

Bashkëbisedimi

 

Dhuntia e të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.

Bëj që këtë dhuratë të mund ta përdor me dashamirësi.

Qofsha i ngadalshëm kur tjetri më flet vrazhdë dhe më lëndon,

kur më thuhen fjalë në zemërim.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »