NDËRGJEGJE E (DE)FORMUAR

Oct 15 • Meditimi i ditës

15 tetor 2015 – e enjte, Shën Tereza e Avilës, MOMENTI I SHENJTE – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezusi pret të hyjë në zemrën time, në heshtje dhe i papashëm.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi pse jam në afërsinë e tij.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj të gjitha brengat e mia,

që të jem i hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Vetëdija

 

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Lk 11, 47-54

 

47 Të mjerët ju, që u ngritni përmendore profetëve, kurse etërit tuaj i patën vrarë. 48 Kështu dëshmoni se i pëlqeni veprat e etërve tuaj; ata vranë, ndërsa ju ndërtoni përmendore! 49 Këndej edhe Dija e Hyjit tha: ‘Do t’u dërgoj profetë e apostuj. Ata do t’i vrasin e do t’i salvojnë disa prej tyre, 50 që prej kësaj breznie të kërkohet llogari për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga krijimi i botës: 51 prej gjakut të Abelit deri te gjaku i Zakarisë, që u vra ndërmjet lterit e shenjtërores’. Po, unë po ju them: do të kërkohet llogari prej kësaj breznie.

52 Vaj për ju, mësues të Ligjit! Ju e morët çelësin e dijes: vetë nuk hytë e, ata që deshën të hyjnë, i penguat!”

53 Kur Jezusi doli prej andej, skribët e farisenjtë filluan ta sulmojnë rëndë dhe t’i bëjnë shumë pyetje, 54 duke i ngrehur leqe për ta zënë pisk në ndonjë fjalë prej gojës së tij.

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Historia e njerëzimit ka shumë shembuj të njerëzve profetikë që pësuan vdekjen për të vërtetën. Jezusi vetë kishte vuajtur për shkak të mos pranimit të mesazhit të tij. Është liri e madhe të jesh i/e hapur për të vërtetën dhe të mos jesh i/e ngurtësuar nga paragjykime vetjake.

– E lus Zotin të jem i/e sigurtë në marrëdhënien time me të. Pikërisht ajo ma mundëson të jem me mendje dhe zemër të hapur.

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »