ATY KU KA FE S’KA DHUNË, ATY KU KA DHUNË S’KA FE!

Oct 17 • Kisha në Kosovë

Nga  Imzot Dodë Gjergji

 

Fort të dashur vëllezër e motra,

në radhë të parë dëshiroj të shpreh konsideratat e mia për autoritetet civile dhe diplomatike këtu të pranishme; vëllazërisht përshëndes autoritetet fetare në Maqedoni,  sidomos juve që jeni të pranishëm në këtë Konferencë; miqësisht dëshiroj të përshëndes bashkë-organizatorët e kësaj Konference, nga Vjena dhe Innsbruck; përzemërsisht e falënderoj autoritetin drejtues të këtij Universiteti, që sot më ka ftuar të marrë pjesë në hapjen solemne të kësaj Konference.

Të nderuar relatorë dhe auditorë,

tema që ju do ta trajtoni  “Religjioni dhe dhuna”,  është imperativ i kohës në të cilën po jetojmë. Nisur kjo, e konsideroj se është detyrë e të gjitha institucioneve shoqëroro -politike, enteve kulturore dhe akademike, organizatave qytetare dhe bashkësive fetare, po edhe i çdo njeriu vullnetmirë, që të angazhohen për t’iu dhanë përgjigje pyetjeve që na shqetësojnë dhe për t’i dhënë shpjegim ngjarjeve që na rrethojnë; në mënyrë që të ndihmohet njeriu i sotëm, që të mos bie pre e moskuptimit, fli e keqinterpretimeve, që të mos shndërrohet në mjet dhune, të mos bie në dorë të shpërdoruesve të paqes, shpërndarësve të urrejtjes dhe të propaganduesve të shoqërisë pa vlera.

Zoti është dashuri, Zoti është paqe, Zoti është e vërteta dhe jeta, këndej besimtari duhet të jetë bartës i kësaj dashuri mes njerëzve, punëtor i palodhur në ndërtimin e paqes, bartës i përgjegjësive të jetës dhe dëshmitar i së vërtetës. Nga kjo e vërtetë del se fetë dhe regjionet vëllazërojnë njerëzit mbi tokë, këndej është detyrë e të gjithëve të promovojnë vëllazërinë universale mes njerëzve.

Çdo përpjekje ndryshe, s’është gjë tjetër, përveç se kundërdëshmi, çdo shpjegim tjerët nuk përkon me të vërtetën, e për pasojë edhe çdo veprim i dhunshëm është mohim i Zotit. Zoti ka nevojë që ta duami Atë nëpërmjet krijesave të tij, e jo që ta mbrojmë Krijuesin duke shkatërruar veprën e mrekullueshme të tij, krijimin dhe krijesën më të dashur që ai ka, njeriun.

Këndej edhe mund të themi se: Religjioni dhe dhuna, janë dy të kundërta që s’mund të pajtohen kurrë njëra me tjetrën. Sepse, aty ku ka fe s’ka dhunë e aty ku ka dhunë s’ka fe.

Dhuratat e fesë janë:  dashuria, shpresa, gëzimi, lumturia, mirëkuptimi, toleranca, paqja e pajtimi, harmonia mesë gjërave dhe bashkëjetesa mes njerëzve. Kurse dhuna është pasojë e urrejtjes dhe padrejtësisë, që shkakton rrënim, ngecje, frikë, tmerr, trishtim, ankth, gjëmë, vaj e lot.

Pa marrë parasysh a janë besimtarë apo jo besimtarë, besojnë në Bibël apo Kuran, i frymëzon një ide apo filozofi,  shumica e njerëzve që jetojnë sot mbi këtë tokë të përbashkët,  e duan Zotin që është dashuri! Ata kanë nevojë për një Zot që i mbron, jo për një Zot që ka nevojë ta mbrojnë. Ata kanë nevojë për një Zot që është i mëshirshëm dhe fal, që vëllazëron të bijtë dhe të bijat e veta, jo një Zot që i përçanë. Njerëzit vullnetmirë dëshirojnë të jetojnë në paqe me njëri-tjetrin dhe nuk duan luftë e konflikt në historinë e jetës së tyre.

Miq të dashur, klerikë e laikë, besimtarë e jo besimtarë,

dialogu mes institucioneve fetare dhe mes qytetarëve besimtarë është i nevojshëm, por mbi të gjitha është i domosdoshëm dimensioni i dialogut për dialog brenda bashkësive fetare. Mbetet sfidë dhe detyrë e secilës bashkësi fetare, që ta kultivojë kulturën e dialogut brenda përbrenda familjes së vet, bashkësisë së vetë dhe personave që i drejtojnë ato; të inkurajojnë ata që i promovojnë vlerat dhe të merren seriozisht me ata tjerët që kanë prirje për të mohuar ato.

Urojë që kjo konferencë, e cila do të vazhdojë punimet këto ditë, të jetë kontribut i mirë në përpjekjet e përbashkëta  për të forcuar harmoninë ndërfetare dhe të shërbejë si mjet për gërshetimin e kulturave të ndryshme dhe diversiteteve të tjera, që i kemi në Maqedoni dhe rajon.

Punë të mbarë dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Fjala përshëndetëse e Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkvit të Kosovës, në Konferencë Ndërkombëtare “Religjioni dhe dhuna” e organizuar nga  Universiteti Shtetëror i Tetovës. Tetovë, më 16. 10. 2015.

(Titulli është i redaksisë)

2 (1)

2 (2)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »