ME SHPIRT TË (PA)TRAZUAR

Oct 17 • Meditimi i ditës

17 tetor 2015 – E shtunë, Shën Injaci i Antiokisë, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Kur jam i/e grishur të rri me shokun/shoqen,

mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.

Kur më grish Hyji që ta kaloj një kohë në praninë e tij,

Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.

Me besim dhe shpresë ia çeli mendjen dhe zemrën Zotit,

dhe lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm për dashurinë dhe praninë e tij.

 

Liria

 

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.

Madje edhe nëse jam i/e robëruar fizikisht, shpirti im është i lirë.

Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me ndihmën tënde, ta përdor me mençuri.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,

majat, cektësitë dhe atë rutinën e përditshme.

A mund ta vërej ku ka qenë Hyji i pranishëm në gjitha këto?

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

  

Lk 12, 8-12

 

8 “Unë po ju them: kushdo të dëshmojë para njerëzve se është imi, edhe Biri i njeriut do ta dëshmojë se është i tiji para engjëjve të Hyjit. 9 E ai që të më bjerë mohit para njerëzve, edhe atij do t’i bihet mohit para engjëjve të Hyjit.

10 Kushdo të thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, ka për t’iu falur, por kush të shajë Shpirtin Shenjt, nuk do të ketë falje. 11 Pastaj, kur t’ju qesin para sinagogave, para ushtruesve të drejtësisë e para pushteteve, mos u shqetësoni [se] si do të mbroheni e çka do të thoni: 12 sepse Shpirti Shenjt në atë orë do t’ju mësojë çka duhet të thoni.”

  

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

–  Jezusi këtu flet për mënyrat e ndryshme se si raporti me të ndikon në jetën tonë. Në lutje i afrohemi atij në zemrat tona si mikut dhe Zotit tonë, dhe kjo lutje na mbështet që të jemi të fortë kur i jetojmë vlerat e krishtera në botën e sotme.

– Veçanërisht në kohë të vështira Shpirti i Shenjtë na ndihmon sipas nevojave që i kemi në ato momente. 

 

Bashkëbisedimi

 

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Ç`më nxiti më së shumti në meditim?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të teksti në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë më dalin në kujtesë fjalët e shokut/shoqes, ose ndonjë tregim që e kam dëgjuar kohëve të fundit.

Nëse është kështu, a po e ndriçon tregimi atë çka teksti i Shkrimit Shenjt dëshiron të më thotë?

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »