NIKAJ APOSTULL I FESË DHE I KOMBIT  

Oct 17 • Recension

Nga Don Nikë Ukgjini

(Dom NdocNikaj, Historija e Shqypnis’ I-II, Shkodër 2015)

Rasti i promovimit të librit të sotëm, Historija e Shqypnis’, me kujton vitin 2001, kur në dorë për të paren herë pata dorëshkrimin e Dom Ndoc Nikajt, Kujtimet e një jete të së kalueme, të cilin e huazova nga  Bibliotekën e Universitetit të Shkodrës për ta lexuar. Dhe duke hyrë në brendësin e tekstit kuptova se nuk kam të bëjë me një dorëshkrim të thjeshtë, por me një ditar më përmbajtje të thukshme, ku shihet një jetë e tërë e një personaliteti të veçantë, i cili në kohen e rilindjes kombëtare ka luajtur rol të shkëlqyer, të priftit, letrarit, historianit, e guximtarit të pa epur për çështjen kombëtare.

Ky kontakt i parë me Nikajn dhe botimi i Kujtimeve të tija në vitin 2003, me nxiti që të lundroj edhe më tej me shpirtin e trazuar të këtij shkrimtari, i cili me tridhjete veprat e tij, me pak përjashtime  të gjitha origjinale, zbërthen në mënyrë të mrekullueshme subjekte shqiptare, e sidomos rreth përshkrimeve të zakoneve të jetës dhe historisë se kombit tonë.

Nikaj, ka një vleftë shumë me rendësi në historinë e letërsisë shqipe, për sa i përket prodhimit të tij të shumtë të botuar, nga viti 1888 deri tek libri i fundit Motra per vellan, botuar 1924. Por në gjithë veprimtarin e tij, puna fillestare të bën përshtypje të veçantë, sepse shkruhej në kohën kur shkrim dhe leximi i gjuhës shqipe ishin akoma të ndaluar rreptësisht nga qeveria turke, dhe kur gjuha dhe historia shqiptare ishin në fazën fillestare të ringjalljes pas një shkëputje prej 450 viteve.

Nikaj, posa u shugurua në vitin 1888, botoi librin e parë, Vakinat e Kishës, që u shtyp në Porpaganda Fide në Romë. Botimi i këtij libri kishte dy qëllime: si pjesëtar i klerit donte të përhapte njohurit fetare, por në të njëjtën kohë përpiqej të ngjallte shijen e leximit të gjuhës shqipe, cila ishte lënë  gati krejt pas dore, duke përdorur gjuhë të huaja. Një vit më vonë, po më të nëjtin qëllim botoi romanin e vogël, por të bukur, me titullin Marcja, e ksctenimi  n’fillest’vet, Shkodër, (1892) duke plotësua nevojën e madhe të leximit shqip dhe me këtë rast do fitonte epitetin e romancierit të parë shqiptar.

Nikaj, ka lënë edhe shtat romane në dorëshkrim, katër historik të vendit dhe tre të marrë nga të tjerët, në përkthim të lire: 1. Lulja e Vyshkun, 2. Dashuni  e Mshehet, 3. Për mik, 4. Ç’pat than gjyshja, 5. Han Hislandi, 6. Nje testament, 7. Te shpella e Marosun.

Nikaj me të drejt mund të quhet, apostull i fes dhe i kombit.

Shpresojmë se puna e filluar për ribotimin e Historisë se Shqypnisë nga famullitari Shkodrës, të vazhdoj dhe me ribotimin e veprave te tjera si dhe atyre të pabotuara.

(Fjala e autorit me rastin e promovimit të ribotimit të “Historija e Shypnis’” në Shkodër, 17 tetor 2016)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »