SHËRBIMI ËSHTË PUSHTET QË TË BËN NJERI TË MADH!

Oct 17 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXIX gjatë vitit (B)

Leximi parë (Is 53, 2.3.1-11)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Shërbëtori i Tij u rrit porsi pinjolli, porsi rrënja nga toka e thatë. Ishte i përbuzur, më i mbrami ndër njerëz, njeri dhimbjesh, i regjur me vuajtje, si ai, para të cilit mbulohet fytyra, i përbuzur, këndej as s’e çmonin për send! Por Zotit i pëlqeu ta ndrydhë me vuajtje. Nëse e jep jetën e vet fli shpërblyese, do të shohë një trashëgimi jetëgjatë, me anë të Tij do të kryhet vullneti i Zotit. Për shkak të vuajtjes së shpirtit të tij do ta shohë dritën e do të ngihet me njohjen e saj. Shërbëtori im i drejtë do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.           

Fjala e Zotit

 

Psalmi 33

Ref. Na e jep mëshirën tënde, o Zot, sepse në ty shpresojmë.

——————————————————————

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

—————————————————————–

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

——————————————————————

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

——————————————————————-

 

Leximi dytë (Heb 4.14-16)

Lexim i letrës së shën Palit apostull drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt, të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit. T’i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.     

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Jezu Krishti erdhi që të shërbejë

E të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 10, 35-45)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan Jezusit dhe i thanë: “Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.” “Çka dëshironi – u tha Jezusi – të bëj për ju?” Ata i thanë: “Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.” Jezusi u përgjigji: “Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?” “Jemi të zotët!” – i përgjigjën ata. Jezusi vijoi: “Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time – kjo nuk është në pushtetin tim ta jap – kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.” Kur e morën vesh dhjetë tjerët, u hidhëruan në Jakobin e në Gjonin. Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha: “Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e vet. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi i parë, me pak rreshta, tregon vuajtjet e njeriut të drejtë. Shërbëtori i Zotit, vuajtja e të cilit i pëlqen Zotit dhe lejon që të vuajë për një të mirë më të madhe, e gjejmë te rreshti i fundit i leximit: “do të shfajësojë shumë, mbi vete fajet e tyre do t’i marrë.” Këta rreshta Kisha ia dedikon Krishtit, i cili, në kohen e caktuar, do të vuaj për shëlbimin e shumë njerëzve.

Në Leximin e dytë apostulli dëshmon se Jezusi është Biri i Zotit, është ndërmjetës në mes qiellit dhe tokës, Ai na përfaqëson tek Ati. Ne, si besimtarë, jemi të sigurt nëse besojmë dhe jetojmë sipas mësimeve të Tija. Në momente të vështira të jetës i krishteri nuk e humb besimin e as guximin sepse e din kujt duhet t’i drejtohet, pra Krishtit, i cili e dëgjon dhe e ndihmon, sepse Ai na do të gjithëve.

Ungjilli i sotshëm na flet për tendencat e apostujve për të qenë të paret, për pozita. Apostujt ende nuk mund ta kuptojnë Jezusin dhe qëllimin e ardhjes së tij në botë. Ata ende shikojnë dhe mendojnë për gjërat tokësore dhe nuk janë të aftë për të kuptuar gjërat hyjnore. Në mendjen dhe zemrën e tyre është një pështjellim në mes hyjnores dhe njerëzores.

Jezusi nuk ka ardhur për t‘i shpërblyer me pozita tokësore ata që e ndjekin, por do të jenë në shërbim të Zotit dhe të njerëzve, e shpërblimi është jeta me Zotin në tokë, sepse krijon lumturi dhe gëzim, dhe pastaj jeta e amshuar për çka edhe jemi të krijuar.

Nxënësit do ta kuptojnë këtë mësim pas ngjalljes së Jezusit dhe ardhjes së Shpirti Shenjt mbi apostuj, që i rikujton krejt atë që Krishti iu kishte thënë sa ishte me ta. Ideali i krishterë dhe ungjillor është shërbimi dhe përvujtëria të cilat e lartësojnë njeriun.

Pra, të besosh në Jezusin dhe mësimin e tij, do të thotë të jesh i përvujtë dhe i varfër në shpirt, kur je i zbrazur nga të gjitha gjërat tokësore je i mbushur me shpirtin e Hyjit, që të kuptosh dhe veprosh sipas mësimit të Krishtit.

Nga një ngjarje hinduiste lexojmë:

Ekzistonte një kopsht i madh dhe i rrethuar me mure të larta, askush nuk dinte se çfarë ishte ai kopsht! Njerëzit ishin kureshtar për të ditur diçka më shumë për kopshtin e rrethuar. Katër shokë një ditë vendosen që me shkallë të ngritën dhe të shohin çfarë është ky kopsht. I pari u ngrit me shkallë dhe posa arriti në maje, fillojë të qeshë me zë dhe zbriti në kopsht pa thënë asgjë, po ashtu edhe i dyti edhe i treti. I katërti e shikojë kopshtin, ishte i mrekullueshëm me shumë fruta, lule dhe fontana. Edhe ky kishte dëshirë të zbres në kopsht, por mendoj që më mirë do të ishte të shkoj dhe t‘i tregoj botës për këtë kopsht të mrekullueshëm.

Jezusi me shpallje të Mbretërisë hap dyert e parajsës dhe na bënë të mundur ta shohim dhe ta shijojmë, por, para se gjithash, të jemi dëshmitarë të kësaj ngjarje dhe kësaj bukurie. Kështu edhe apostujt edhe Kisha gjatë shekujve kanë kuptuar misionin e dërgimit dhe na ftojnë që edhe ne të jemi të dërguarit e Zotit për ta shpallur Mbretërinë e tij. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T‘i lutemi Hyjit, i cili na e dërgoi Birin e vet, që duke shërbyer i shëlboi të gjithë njerëzit. T’ia drejtojmë lutjet Atij, duke u thënë:

O Zot, na dhuro shpirtin e shërbimit!

– Udhëhiqe dhe ndihmoje Kishën tënde, që gjithmonë të jetë e gatshme t’i shërbej njerëzit në nevoja të tyre për të arritur shpëtimin e amshuar, të lutemi:

– Nxit tek besimtarët shpirtin e shërbimit që të shërbejnë me dashuri dhe gëzim vëllezërit dhe motrat, të lutemi:

– Na jep dhuratën e fesë që të besojmë dhe ta jetësojmë Ungjillin, që na e predikoi, Biri yt Jezu Krishti, të lutemi:

– Vuajtjet dhe kryqet që përjetojnë besimtaret tanë, shpërblej me hire dhe bekime tua, ndërsa mëkatarët kthej në rrugën e drejtë, të lutemi:

– Bëj që të gjithë njerëzit në ditën e fundit të jenë të arsyetuar dhe të shpërblyer nga mundimet dhe vdekja e Krishtit, Birit tënd dhe të fitojnë jetën e pasosur, të lutemi:

O Hyj, po i porositemi mirësisë sate: dëgjoj lutjet tona dhe bëj që të jemi besnik në ndaj teje, familjes dhe Kishës. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »