JEZUSI NA SHËRBEN

Oct 18 • Meditimi i ditës

18 tetor 2015 – e diela 29-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Me afsh e dëshiroj fuqinë tënde që shëron.

 

Liria

 

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të kisha mundur ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të kisha mundur këtë ta vëreja?
Lus për hirin e lirimit nga brengat vetjake
dhe për të qenë i/e hapur ndaj asaj çfarë dëshiron të më komunikojë Zoti.

 

Vetëdija

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e mërzitur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej realisht.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 10, 35-45

 

35 Atëherë Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, iu afruan dhe i thanë:

“Mësues, dëshirojmë të bësh për ne çka po të kërkojmë.”

36 “Çka dëshironi ‑ u tha Jezusi ‑ të bëj për ju?”

37 Ata i thanë:

“Bëj që në lavdinë tënde të rrimë njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

38 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A jeni të zotët ta pini gotën që unë e pi? Ose të pagëzoheni me atë pagëzim me të cilin unë pagëzohem?”

39 “Jemi të zotët!” ‑ iu përgjigjën ata.

Jezusi vijoi:

“Vërtet do ta pini gotën që unë e pi dhe do të pagëzoheni me pagëzim me të cilin unë pagëzohem. 40 Por të vë ndokënd të më rrijë në të djathtën ose në të majtën time ‑ kjo nuk është në pushtetin tim ta jap ‑ kjo gjë u përket atyre për të cilët është bërë gati.”

41 Kur e morën vesh dhjetë të tjerët, u hidhëruan me Jakobin e në Gjonin.42 Prandaj Jezusi i thirri përreth dhe u tha:

“Ju e dini se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. 43 Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 44 dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve, 45sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të qenë shërbyer, por që ai të shërbejë e të japë jetën e vet si shpërblim për të gjithë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Kërkesa e nxënësve nxjerrë në dritë prirjen e natyrshme të njerëzve për afirmim, famë dhe shpërblim, siç ndodh kjo tashmë në botë. Jezusi e shpjegon kuptimin e vërtetë të madhësisë – shërbimin dhe kujdesin për të tjerët.

– Kuptimi se Jezusi është shërbëtori ynë është ajo që na ndihmon dhe na jep zemër në shërbim të të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

Me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat vetjake.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »