U MBAJT TAKIMI I VI NDËRFETARË I TË RINJVE TË KOSOVËS

Oct 18 • Bota e të rinjve

Në rendin e takimeve ndërfetare të organizuar nga OSCE (Mission in Kosovo), më 12.10.2015 deri më 14.10.2015, në Brod-Dragash u mbajt takimi i VI i bashkëpunimit, njohjes dhe bashkëndarjes së mendimeve, në mes të komuniteteve të Kosovës, si ai Islam, Katolik, Ortodoks. Mungonte komuniteti Protestant. Po ashtu në këtë takim kishte serbë dhe shqiptarë nga Maqedonia.

Temë e këtij takimi ishte: “Punëtorì për promovimin e dialogut ndërfetarë dhe tolerancës fetare te të rinjtë e Kosovës“.

Përfaqësuesit e religjioneve ishin të rinj të përcaktuar nga komunitetet përkatëse. Kishën Katolike e përfaqësuan 6 anëtarë: Edona Gojani, Manuell Krasniqi, Astrit Dedaj, Kosovare Gjoni, Jezuela Muji, Engjëll Azizi, Leonard Lleshi, të udhëhequr nga Don Kastriot Gjoni.

Në agjendën e organizatorëve, si ditë të parë, ishte qyteti i Prizrenit dhe vizitat në objektet fetare, duke filluar nga Xhamia e Sinan Pashës, pastaj Kishën Ortodokse Serbe – Bogoslovija dhe përfundoi me Katedralen Katolike Zoja Ndihmëtare në Prizren. Pjesëmarrja në këto vende të shenjta ka pas për qëllim njoftimin e përgjithshëm të feve dhe funksionizimin e tyre.

Pas kësaj vizite, takimi vazhdojë në Brod të Dragashit, me një prezantim nga Znj. Valbonë Dermaku, këshilltare vendore për të drejtat e njeriut, OSBE Misioni në Kosovë, që u zhvillua në orët e pasdites. Në ditën e dytë,  vazhduam me aktivitetet dhe diskutimet e zhvilluara gjatë ditës se parë dhe prezantimi i ditës se dytë, po ashtu nga znj. Dermaku.

Karakteristike e veçantë e këtij takimi ishte edhe pjesëmarrja e dukshme  e gjinisë femërore, pasi që edhe një ndër temat ishte “Barazia Gjinore“ e udhëhequr nga znj. Shehida Miftari, zyrtare vendore për program OSBE, Misioni në Kosovë.

Detyrë e të rinjve ishte ndarja në grupe dhe aranzhimi i një liste stereotipesh që hasen në kuadër të gjinisë mashkullore dhe asaj femërore, pastaj roli i femrës, pabarazia gjinore, dallimet dhe pikat e përbashkëta. Znj. Miftari, gjatë paraqitjes së saj, theksoi më qartë konceptet gjinore ne disa pika: gjinia, seksi, barazia gjinore, stereotipat  gjinore, diskriminimi në bazë të gjinive, këto gjithmonë sipas konceptit të OSBE-se. Pastaj u fol edhe për  kornizat ligjore ndërkombëtare, dhe kornizat ligjore politike në Kosovë. Në vazhdimësi të asaj që foli, për më gjerësisht na bëri të kuptojmë  mbi analizën gjinore, që  është një studim i ndryshimeve në kushte, nevoja, në shkallën e pjesëmarrjes, qasje në burime, në fuqinë vendimmarrëse, në mes të grave dhe burrave,  në të gjitha sferat politike dhe sociale të jetës, duke marrë në konsideratë  kontekstin  që përcakton rolet gjinore.  

Dita e takimit ishte e aranzhuar me pika të ndryshme e pauza të kohëpaskohshme. Një aktivitet tjetër i rëndësishëm ishte “Prezantimi i ciklit të administrimit të projektit” i cili ishte e ndarë në dy pjesë dhe u udhëhoq përsëri nga znj. Miftari. Y prezantim ishte i rëndësishme pasi ne të rinjtë përmes këtij trajnimi patëm rastin të mësojmë si të planifikojmë e realizojmë projekte nga fusha të ndryshme profesinale. Gjithashtu, u zhvillua puna në grupe duke diskutuar çështje aktuale në vendin tonë, në të cilat mendojmë se duhet ndërhyrë përmes planifikimit të projekteve të ndryshme, u rivetdijësuam për problemet apo, më saktësisht, me realitetin e Kosovës. Kështu detyra jonë pas trajnimit ishte të planifikojmë ndonjë projekt ku secili grup kishte kuptuar aq mirë atë punë dhe me të vërtetë zgjodhëm çështje të rëndësishme për të cilat mendonim se ja vlen të ndërhyjmë për ndryshime sociale.

Në këtë kamp ne u shoqëruam me njëri tjetrin, debatuam, qeshëm, vizituam natyrën e bukur të Brodit …

Ndërsa tema “Rinia dhe Toleranca fetare“ u zhvillua në ditën e tretë, me prezantim të udhëheqësve fetarë, me argument bosht organizimin hierarkik të bashkësive fetare. Prezantimet i bënë udhëheqësit e grupeve: Prifti Sërgjan Stankoviq, nga Kisha Ortodokse Serbe, Don Kastriot Idrizi-Gjoni, përfaqësues i komunitetit Katolik, Znj. Ines Demiri, përfaqësuese e Komunitetit Hebre dhe Z. Vedat Sahiti, përfaqësues i Bashkësisë Islame.

Takimi përfundoi me vlerësimin e punës së bërë, rezultatet të cilat ishin mjaft të mira. Falënderojmë Zotin për këto takime të frytshme për rininë, që promovojnë respektimin e dinjitetit njerëzor, respektimin e mirëqenies së njëri tjetrit e paqe mes vete.

Për Dritën: Manuell Krasniqi & Edona Gojani

1

2

3

4

5

Shpërndaje

Comments are closed.

« »