NËNË TEREZA: SHENJA E DASHURISË SË ZOTIT NË BOTË

Oct 19 • Kisha ndër Shqiptarë

PAPA GJON PALI II*

1. Kush dëshiron të jetë i pari ndërmjet jush do të jetë shërbëtori i të gjithëve” (Mk 10, 44) . Këto fjalë të Jezusit drejtuar nxënësve, që jehuan rishtas pak më parë në këtë Shesh, tregojnë cila është rruga që çon në “madhështinë” ungjillore. Është e njëjta rrugë që përshkoi vetë Krishti, deri në Kryq; një udhë dashurie e shërbimi, që përmbys çdo logjikë njerëzore. “Të jesh shërbëtor i të gjithëve!”. 

Nga kjo logjikë është udhëhequr Nënë Tereza e Kalkutës, Themeluese e Misionareve e Misionarëve të Bamirësisë, të cilën sot kam gëzimin ta shkruaj në Librin e të Lumturve. I jam mirënjohës personalisht kësaj gruaje guximtare, të cilën e kam ndjerë gjithnjë pranë meje. Ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte gjithandej për t’i shërbyer Krishtit ndër më të varfrit. S’kishte luftë as konflikt që ta ndalonte.

Herë pas here vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore. Kujtoj, për shembull kur, duke marrë Çmimin Nobel, pati thënë: “Nëse dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e saj e dëshiron ta abortojë, përpiquni ta bindni të ma sjellë mua atë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shenjën e dashurisë së Hyjit” (Oslo, 10 dhjetor 1979). 

2. A s’është domethënës fakti që Lumnimi i saj ngjet pikërisht në ditën kur Kisha kremton Ditën Misionare Botërore? Me dëshminë e jetës së saj Nënë Tereza na kujton se misioni ungjillëzues i Kishës kalon përmes dashurisë së krishterë, të ushqyer nga lutja e nga dëgjimi i Fjalës së Zotit. Simbol i këtij stili misionar është figura që e paraqet të Lumen e re duke shtrënguar, me njërën dorë, atë të një fëmije e, me tjetrën, Rruzaren e Shenjtë.

Kundrim e veprim, ungjillëzim e përparim njerëzor: Nënë Tereza e kumtoi Ungjillin me jetën e saj të cilën ua dhuroi plotësisht të varfërve, e njëkohësisht, e mbështjellë me lutje.

3. “Kush dëshiron të jetë i madh ndërmjet jush, duhet të bëhet shërbëtori juaj” (Mk 10, 43). Me emocion të posaçëm po kujtojmë sot Nënë Terezën, shërbëtoren e madhe të të varfërve, të Kishës e të botës. Jeta e saj është dëshmi e dinjitetit dhe e privilegjit të shërbimit të përvuajtur. Ajo nuk pati vendosur të ishte thjeshtë e fundmja, por shërbëtorja e njerëzve më të fundmë. Si Nënë e vërtetë e të varfërve, ajo vendosi t’i provojë vetë format e ndryshme të varfërisë. Madhështia e saj qëndron në aftësinë për të dhënë pa pritur shpërblim, për të dhënë “deri në dhembje”. Jeta e saj radikale, ishte Ungjill i gjallë.

Britma e Krishtit në kryq “Kam etje!” (Gjn 19, 28), që shpreh dëshirën e thellë të Zotit për njeriun, hyri në thelb të shpirtit të Nënë Terezës dhe gjeti një tokë pjellore në zemrën e saj. Të shuash etjen e Jezusit për dashuri dhe për shpirtra njerëzore, në bashkim me Shën Marinë, Nënën e Krishtit, u bë qëllimi i vetëm i jetës së Nënë Terezës; u bë forcë e brendshme, që e shtynte atë të mos kujdesej për vetveten dhe të vraponte papushim rreth e përqark globit për të punuar për shpëtimin dhe shenjtërimin e më të varfërve ndër të varfër. 

4. “Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezërve të mi, ma keni bërë mua”. (Mt 25, 40) Kjo pjesë e Ungjillit kaq e rëndësishme për të kuptuar shërbimin e Nënë Terezës ndaj të varfërve, ishte baza e bindjes së saj, e besimit se duke prekur trupat e shkatërruar të të varfërve, prekte Trupin e Krishtit. Ajo i shërbente vetë Jezusit, të fshehur pas pamjes së mjerë të më të varfërve ndër të varfër. Nënë Tereza zbuloi kuptimin më të thellë të shërbimit si vepër dashurie që, duke u bërë për të uriturit, të eturit, të huajt, të zhveshurit, të sëmurët, të burgosurit, (khs. Mt 25, 34- 36), bëhet për vetë Jezusin.

Duke e parë atë tek të varfëritë, ajo i shërbeu me devocion të thellë, dhe shprehu kështu delikatesën e dashurisë për Dhëndrin e saj. Prandaj në dhurimin e plotë të vetvetes për Zotin dhe për të afërmin, Nënë Tereza e realizoi plotësisht vetveten dhe zbuloi cilësitë më fisnike të femërisë së saj. Ajo donte të ishte një “shenjë e dashurisë së Zotit, e pranisë së Zotit, e mëshirës së Zotit”, dhe kështu na kujton të gjithëve vlerën dhe dinjitetin e secilit prej bijve të Zotit, që “janë krijuar për t’u dashur dhe për të dashur”. Prandaj, Nënë Tereza ishte ajo që “i çonte shpirtrat tek Zoti e Zotin tek shpirtrat” dhe shuante etjen e Krishtit, sidomos për ata që kishin më shumë nevojë, për ata që e shikonin vagëllimthi fytyrën e Zotit, me sytë e mjegulluar nga vuajtja e dhimbja. 

5. “Biri i njeriut ka ardhur për të dhënë jetën e vet në shpërblim të shumëkujt” (Mk 10, 45). Nënë Tereza jetoi mundimet e Tij të dhimbshme posaçërisht në vitet e gjata “të errësirës së brendshme”. Kjo provë, të cilën ajo e pranoi si “dhuratë e privilegj”, i shkaktoi dhimbje të thekshme. Në orët më të errëta, ajo lutej edhe më fort para të Shenjtnueshmit Sakrament. Kjo tronditje e rëndë shpirtërore e bëritë njësohej gjithnjë më shumë me ata, të cilëve u shërbente çdo ditë, duke provuar dhimbjen, e nganjëherë, edhe braktisjen. I pëlqente të përsëriste se varfëria më e madhe është të jesh i padëshirueshëm, të mos kesh njeri që kujdeset për ty.

6. Na e jep o Zot hirin tënd, në ty shpresojmë!” Sa herë, ashtu si Psalmisti, edhe Nënë Tereza, në çastet e përhumbjes shpirtërore i përsëriti Zotit të vet. “Në Ty, në Ty shpresoj, Zoti im!”

Ta lavdërojmë këtë grua të vogël, të dashuruar me Zotin, këtë lajmëtare të përvuajtur të Ungjillit e bamirëse të palodhur e njerëzimit. Nderojmë në të një nga personalitetet më të rëndësishme të epokës sonë. Ta pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj.

Virgjër Mari, Mbretëreshë e të gjithë shenjtërve, na ndihmo të jemi zemërbutë e të përvujtë, si kjo lajmëtare sypatrembur e dashurisë. Na ndihmo t’i shërbejmë me gëzim e buzëqeshje çdo njeriu që takojmë. Na ndihmo të jemi misionarë të Krishtit, paqja jonë e shpresa jonë. Amen!

*Homelia e Atit të Shenjtë Gjon Palit II, mbajtur gjatë kremtimit të Eukaristisë në Lumnimin e Nënë Terezës, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, më 19 tetor 2003.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »