ZOTI E SHTRON TRYEZËN PËR NE DHE NA SHËRBEN

Oct 20 • Meditimi i ditës

20 tetor 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës që jam duke ndenjur pranë kompjuterit, Hyji është këtu.

Rreth meje, në përjetimet, mendimet e mia dhe thellë në mua.

Do të ndalem një moment dhe do të ndërgjegjësohem

për praninë jetëbërëse të Hyjit.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të çlirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Vetëdija

 

Si po e përjetoj sot veten?

Si po sillem me Hyjin?  Me të tjerët?

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.

A ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu të përgjoj që të dëgjoj çka dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 12, 35-38

 

35 “Jini gati ‑ të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura ‑ 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. 37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshet, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. 38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata!

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 –Këtu hasim imazhin lidhur me Jezusin si shërbëtor – zotëria që u shërben robërve. Një imazh i tillë rrotullon me krye poshtë mentalitetin e asaj kohe; sikurse atëherë kur Jezusi më vonë ua lanë këmbët nxënësve të vet. Marrja e rolit nga ana e mësuesit, që iu shërben atyre skllevërve që ishin zgjuar dhe vigjilent, flet më shumë për bujarinë dhe finsnikërinë e hirshme të Hyjit.

– Në dishepullim nuk ka vendpër vetëkënaqësi apo të jetuarit me gjysmë zemre. Kërkohet përkushtim total dhe shpërblimi është po aq i madh. Llambat ndezur simbolizojnë vigjilencën që kërkohet prej nesh. Si qëndron drita ime?

– Ardhja e Zotit është gjithmonë e papritur. A mund të më kujtohet një surprizë e tillë në jetën time? A jam i/e hapur sot për një gjë të tillë?

 

Bashkëbisedimi

 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe i tregoj për të gjitha çfarë ndjej.

  

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta në bazë të Fjalës tënde.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »