LËVIZJA E FOKOLARËVE: NJË FLAKË PËR TA NGROHUR KISHËN

Oct 21 • Këndvështrime

Shkruan: Veneranda  Qerimi

 

Lëvizja e Fokolarëve ose “Vepra e Marisë”, ka lindur në vitin 1943, në Trento, një qytet në veri të Italisë. Zoti kishte vënë farën e kësaj vepre në zemrën e një vajze 19 vjeçare, e quajtur Chiara Lubich (22 janar 1920 – 08 mars 2008).

Ishte Lufta e Dytë Botërore dhe bombardimet dukej se dëshironin të përmbysnin gjithçka. Ajo lë familjen e sajë që shkonte në mal për t’u strehuar nga bombardimet dhe kthehet në qytet për të ndihmuar njerëzit që kishin nevojë. Bashkë me të qëndrojnë edhe disa shoqe bashkëmoshatare. Kur binin alarmet e bombardimeve,ato vraponin për të gjetur vendstrehime, me vete mbanin një Ungjill të vogël, dhe kur gjendeshin aty, e lexonin atë.

Gjatë këtyre momenteve të leximit, ishte një frazë e Ungjillit e cila u ngulit në zemrat e këtyre të rejave dhe u bë zemra e lëvizjes. Ajo pjesëz ishte: “Që të gjithë të jenë një. Sikur se ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty,ashtu edhe ata të je në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove.”(Gjn 17, 21). Kjo u bë karizma e “Veprës së Marisë”.

Më vonë këto vajza vendosen të jetonin së bashku, duke themeluar kështu “fokolaren” e parë. Ata i dhanë këtë emër për të përcaktuar vendin ku ndizet zjarri. Në italisht fjala “focolare” do të thotë vatër zjarri, prandaj edhe “Fokolarja” do të ishte vatra prej ku do të ndizej zjarri i dashurisë për ta çuar në botë. Grupit do i bashkëngjiten edhe shumë persona të tjerë, ndër të cilët edhe Igino Giordani, deputet i asaj kohe. Në Lëvizje, Kiara e ka pranuar atë si bashkëthemelues. Kështu lëvizja është pasuruar edhe nga laikët, prandaj njihet akoma edhe sot si një lëvizje e cila i ka laikët në qendër. Pranimin e parë lëvizja e merr nga ipeshkvi i Trentos i asaj kohe, Mons. Carlo de Ferrari, në vitin 1947, dhe nga Kisha në vitin 1990 prej Papa Gjon Pali II.

Në gjirin e sajë “Vepra e Marisë” ka thirrje të ndryshme, që vetë Kiara i quante thirrje brenda thirrjes. Kemi Fokolarinët dhe Fokolarinet të cilët ecin në gjurmën e Kiarës, në një jetë të kushtuar. Të jesh anëtar i lëvizjes së fokolarëve nuk duhet të jesh detyrimisht i kushtuar. Familjet janë një element i pazëvendësueshëm brenda lëvizjes, e bashkë me to edhe të rinjtë të cilët në “fjalorin” fokolarin njihen si “Gen” (brez i ri). Meshtarët, rregulltarët e urdhrave të ndryshëm, seminaristët edhe ata janë pjesë përbërëse e rëndësishme e jetës së lëvizjes. Takimet në brendësi të sajë organizohen në bazë të grupmoshave dhe thirrjeve, por ka edhe nga ata që organizohen për të gjithë anëtarët. Një takim tipik dhe i rëndësishëm është takimi vjetor që quhet “Maripoli” (qyteti i Marisë), traditë që prej fillimeve të lëvizjes. Ditë intensive në të cilat e gjithë bashkësia mundohet të jetë shëmbëllesë e bashkësive të krishtera të Kishës së fillimit, ku Ungjilli preket në jetën e njerëzve. Qendrore është për të gjithë anëtarët jetimi i “Fjalës për Ta Jetuar” e më pas bashkëndarja e përvojave të bëra nga jetimi i sajë.

Lëvizja është e pranishme në 182 vende të botës, mes tyre edhe në Shqipëri prej vitit 1991, fillimisht në Durrës më pas në Tiranë. Ndërsa në Kosovë ka disa familje të cilat e kanë njohur Lëvizjen në Shqipëri dhe marrin pjesë po atje në takime të ndryshme të organizuara nga ajo. Ekumenizmi është një aspekt themelor që buron nga karizma e lëvizjes “Që të gjithë të jenë një…”. Këtë bashkim me besimet e tjera fetare Kiara është munduar ta arrijë edhe nëpërmjet “Rregullës së Artë” “Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre!” (Mt 7, 12) e cila është e pranishme në shumë prej besimeve fetare.

Leximi dhe jetësimi i Ungjillit, qendra e jetës së Lëvizjes

Tradita e leximit dhe jetimit të Ungjillit ishte qendra e jetës së lëvizjes që po lindte dhe ka mbetur e tillë edhe sot. Kiara çdo muaj i dërgonte të gjithë anëtarëve të lëvizjes një frazë të Ungjillit me një koment të shkurtër, dhe e gjithë lëvizja angazhohej për ta jetuar konkretisht atë. Të njëjtën gjë vazhdon të jetojë Lëvizja akoma sot. Pas kthimit të Kiarës tek Ati në vitin 2008, lëvizja ka zgjedhur çdo muaj nga pjesëzat e shkruara nga ajo ndër vite. Tani lëvizja ka zgjedhur një rregulltar të lëvizjes, Atë Fabio Ciardi, i cili vazhdon traditën brenda lëvizjes.

Pjesëza e zgjedhurngaaikëtëmuaj,ështëmarrëngaUngjillisipasGjonitnëkapitullin e 13, rreshti 35.Ajoështë:“Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi”.

“Kjo është shenja dalluese, shenja njohëse, karakteristika tipike e të krishterëve. Ose të paktën duhet të jetë, sepse Jezusi kështu e ka menduar bashkësinë e tij.

Një shkrim magjeps i shekujve të parë të krishterimit, Letra drejtuar Diognetit, konstaton se të krishterët nuk dallohen prej njerëzve të tjerë as prej territorit, as prej mënyrës se si flasin, as prej dukjes së veshjeve të tyre. Në të vërtetë nuk banojnë në qytete të veçanta, nuk përdorin ndonjë gjuhë të çuditshme, dhe nuk kanë një mënyrë të veçantë të jetuari. Janë njerëz normalë, si gjithë të tjerët. E megjithatë zotërojnë një sekret, që u mundëson atyre të ndikojnë thellë në shoqëri, duke u bërë porsi shpirti i saj (khs. kap. 5-6).

Është një sekret që Jezusi ua ka dorëzuar dishepujve të vetë pak para se të vdiste. Sikurse pleqtë e urtë të Izraelit, sikurse një babë për birin, edhe ai, Mësuesi i urtisë, ka lënë si trashëgimi artin e dijes për të jetuar dhe për të jetuar mirë. Ai e kishte mësuar drejtpërdrejt prej Atit: “Ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim” (Gjn 15,15), dhe ishte fryti i përvojës së tij në marrëdhënien me Të. Ai art qëndron në dashurinë e ndërsjellë. Ky është amaneti i fundit i tij, testamenti i tij, ështëjetaqielloreqë ka sjellënëtokë, që e ndan me ne, me qëllim që të bëhet vetë jeta jonë.

Jezusi dëshiron që ky të jetë identiteti i nxënësve të tij, që të njihen si të tillë prej dashurisë së ndërsjellët:

Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi

Por, a njihen nxënësit e Jezusit prej dashurisë së tyre? “Historia e Kishës është historia e shenjtërimit” ka shkruar Gjon Pali II. Megjithatë ajo “shënon jo pak ngjarje që janë një kundër-dëshmi përballë krishterimit” (Incarnationis Mysterium, 11). Me shekuj, të krishterët kanë luftuar në lufta pambarim dhe vazhdojnë të jenë të ndarë mes tyre. Ka njerëz që ende sot bëjnë lidhjen e të krishterëve me Kryqëzatat, me gjykatat e inkuizicionit, ose i shohin si mbrojtës deri në fund të një morali të vjetruar, që kundërshtojnë përparimin e shkencës.

Nuk ishte kështu për të krishterët e parë të bashkësisë që po lindte në Jerusalem. Njerëzit i shihnin me admirim prej bashkimit të pasurive, prej bashkimit që mbretëronte, prej “haresë e thjeshtësisë” që i karakterizonte (khs. Vap 2,46). “Populli u jepte nderim”, lexojmë gjithnjë tek Veprat e Apostujve, dhe, si rrjedhim, çdo ditë “shtohej numri i burrave e i grave që besonin në Zotërinë” (Vap 5,13-14). Dëshmia e jetës e bashkësisë kishte një forcë të madhe tërheqëse. Përse edhe ne sot nuk njihemi sikurse ata që dalloheshin prej dashurisë? Çfarë kemi bërë me urdhrin e Jezusit?

Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi

Sipas traditës, në rrethin katolik, muaji tetor i kushtohet “misionit”, reflektimit mbi porosinë e Jezusit për të shkuar në të gjithë botën për të shpallur Ungjillin, lutjes dhe përkrahjes për ata që gjenden në vijën e parë. Kjo fjalë për ta jetuar mund të jetë një ndihmë për të gjithë, që ta vendosin në qendër përmasën themelore të çdo shpalljeje të krishterë. Nuk është diktat i një besimi, nuk është prozelitizëm, nuk është ndihmë me interes për të varfëritë, me qëllim që ata të ndërrojnë fenë. As nuk është në thelb mbrojtja e ngurtë e vlerave morale ose qëndrim i palëkundur përballë padrejtësive dhe luftërave, ndonëse janë qëndrime me vend, që i krishteri nuk mund t’i bëjë bisht.

Para së gjithash shpallja e krishterë është një dëshmi jete, që çdo nxënës i Jezusit duhet ta japë personalisht: “Njeriu bashkëkohor dëgjon më me dëshirë dëshmitarët se sa mësuesit” (Evangelii nuntiandi, 41). Edhe kush është armiqësor me Kishën shpesh mbetet i prekur prej shembullit të atyre që ua kushtojnë jetën e tyre të sëmurëve, të varfërve, dhe janë të gatshëm të lenë dheun e tyre për të shkuar në vende të ndryshme dhe t’u japin ndihmë dhe t’u qëndrojnë afër skamnorëve.

Por mbi të gjitha, dëshmia që Jezusi kërkon, është ajo e një bashkësie të tërë që dëfton të vërtetën e Ungjillit. Ajo duhet të dëshmojë se jeta e sjellë prej tij mundet me të vërtetë të lindë një shoqëri të re, në të cilën ekzistojnë marrëdhënie vëllazërie të sinqertë, ndihme dhe shërbimi të ndërsjellët, vëmendjeje e përbashkët ndaj njerëzve të ligshtë dhe në nevojë.

Jeta e Kishës ka njohur dëshmi të tilla, si fshatrat për vendasit të ndërtuar prej Françeskanëve dhe Jezuitëve në Amerikën e Jugut, ose manastiret bashkë me lagjet që lindnin përreth. Edhe sot bashkësitë dhe lëvizjet kishtare u japin jetë qytezave dëshmitare, ku mund të shihen shenjat e një shoqërie të re, fryt i jetës ungjillore, i dashurisë së ndërsjellët.

Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi

Pa u larguar prej vendeve ku banojmë dhe prej njerëzve që frekuentojmë, nëse e jetojmë mes nesh atë bashkim për të cilin Jezusi ka dhënë jetën, mund të krijojmë një mënyrë jetese alternative dhe të mbjellim rreth nesh farat e shpresës dhe të jetës së re. Një familje e cila e përtërin çdo ditë vullnetin për të jetuar me konkretësi dashurinë e ndërsjellët mund të bëhet një rreze drite në indiferentizmin e ndërsjellë të shkallës apo lagjes. Një “celulë”, ose e thënë ndryshe, dy ose më shumë njerëz që vendosin të zbatojnë në thellësi kërkesat e Ungjillit në fushën e vet të punës, në shkollë, në selinë e sindikatës, në zyrat e administratës, në një burg, mund të thyejë logjikën e luftës për pushtet dhe të krijojë një klimë bashkëpunimi dhe të nxisë lindjen e një vëllazërie të papritur.

A nuk bënin kështu të krishterët e parë në kohën e perandorisë romake? A nuk është në këtë mënyrë që e kanë përhapur risinë shndërruese të krishterimit? A jemi ne sot “të krishterët e parë”, të thirrur, sikurse ata, për ta falur njëri-tjetrin, për t’u përtërirë gjithnjë, për të ndihmuar njëri-tjetrin; me një fjalë, për ta dashur njëri-tjetrin me fuqinë me të cilën Jezusi na ka dashur, me sigurinë se prania e tij në mesin tonë ka pushtet t’i përfshijë edhe të tjerët në logjikën hyjnore të dashurisë.”

Ndërsa Kiara njëherë ka shkruar: (…) “Bota ka nevojë për një pushtim dashurie e kjo varet nga gjithsecili prej nesh. Njeriu është rezervuari i këtij elementi të çmuar: njeriu në hirin e Zotit. Çdo ditë vdesin një numër i pafund njerëzish: edhe të mëdhenj, e mbetet pak prej tyre. Kalon një shenjtë në jetën e amshuar, duke u zgjuar kur Zoti ta thërrasë, në të njëjtën jetë të mëparshme pak të ndryshuar, e të gjithë flasin për të. Kujtimi i tij kalon prej breznie në brezni dhe shembulli i tij ndiqet prej shumë të tjerëve. Mbi atë krevat që një trup, jo më një shpirt, askush nuk arrin ta kuptojë vdekjen, por të gjithë ndjejnë që Jeta është e tillë. Dashuria nuk vdes, sepse shërben, mbretëron.”

Shpërndaje

Comments are closed.

« »