MARTESA E (PA)LUMTUR

Oct 21 • Familja

Nga Pavao Brajsha

Psikologu i njohur bashkëkohor amerikan John Gottman, i cili në mënyrë të veçantë merret me problematikën e martesës dhe familjes, përmend inteligjencën emocionale, marrëveshjen e shoqishoqme, respektin dhe konsideratën e çiftit martesor, si diçka që e rrit mundësinë e zgjatjes së lumturisë martesore për gjithë jetën. Pra, çifti martesor emocionalisht inteligjent, që merret vesh njëri me tjetrin, që respektohet dhe kanë konsideratë për njëri-tjetrin, kanë shans të mbesin bashkë dhe t`i shmangen divorcit.

Nëse i kemi para sysh të dhënat e këtij autori, që 67% e martesave përfundojnë me divorc, ndërsa gjysma e tyre në 7 vjetët e parë dhe që në martesën e dytë mundësia e divorcit është 10% më e madhe sesa në të parën, atëherë do të mund të përfundonim që, shumica e çifteve martesore nuk di të sillet me emocionet e tyre, nuk e kuptojnë njëri-tjetrin, shumë pak respektohen dhe shumë pak kanë konsideratë për njëri-tjetrin.

Sipas mendimit të psikoterapeutit të përmendur martesor, martesa e palumtur rrit rrezikun e sëmurjes së çiftit martesor për 35% dhe ua shkurton jetën për 4 vjet. Të martuarit lumturisht jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm se të divorcuarit dhe ata në martesa të palumtura. Në martesa të palumtura njerëzit u ekspozohen streseve difuze kronike, kështu që janë të kërcënuar fizikisht dhe emocionalisht. Martesa e lumtur ndikon pozitivisht në forcimin e  sistemit imunologjik mbrojtës, ndërsa divorci e dobëson. Konkludimi i tij është: Po t`i kushtohej mbajtjes së martesës vetëm 10% e kohës që harxhohet në javë për fitnes [kondicionit fizik], tri herë më shumë do të ishin më të shëndetshëm sesa të vraponin gjatë asaj kohe.

Fshehtësia e parë e martesës, pra,  është zhvillimi dhe mbajtja e lumturisë martesore. Lumturia e ruan martesën, mirëpo edhe shëndetin në të. Fëmijët në martesë kanë nevojë për prindër të lumtur dhe të shëndoshë. Problemi i familjes bashkëkohore nuk është banesa, çerdhet e fëmijëve, shtesat për fëmijë, teknika e bardhë, punësimi i prindërve, por edhe lumturia dhe shëndeti i tyre. Prindërit e palumtur në martesën e tyre shpejt ndahen; ndërsa nëse edhe qëndrojnë së bashku domosdo bëhen për fëmijët prindër më pak cilësorë, pa marrë para sysh çka mendojnë ata për veti dhe çka dëshirojnë vetëdijshëm.

Lumturinë martesore duhet zhvilluar dhe ruajtur, jo vetëm për shkak shëndetit personal, por edhe për shkak të fëmijëve për të cilët shembujt më të mirë dhe edukatorët më cilësorë janë prindërit e lumtur dhe të kënaqur në martesën e tyre. Divorci më së shpeshti nuk është zgjidhje e fatkeqësisë martesore, por vazhdim i saj me një partner tjetër. Kjo nuk është as lidhja e shkurtë apo e gjatë jashtëmartesore, sepse shpesh herë sjell fatkeqësinë e shtuar për “të tretin” apo për te tretë. E vetmja zgjidhje e mençur dhe humane është të shikohet më thellë në martesën personale të palumtur dhe, nëse duhet, me ndihmën e specialistit ta shndërrosh atë në një shans dhe një cilësi të re martesore. Kjo mund të jetë gjë shumë e mirë për te dy partnerët, e ndoshta edhe më së shumti për fëmijët e tyre.

Fshehtësia e martesës së lumtur

Në librin “Shtatë fshehtësitë e martesës së suksesshme“ të John Gottman, theksohet se fshehtësia e martesës së lumtur nuk është aq në personalitetet e partnerëve bashkëshortorë sa në përshtatshmërinë e tyre të dyanshme, jo aq në interesat e përbashkëta sa në sjelljen e tyre me to, jo aq në mirësjelljen e tyre të ëmbël me njëri-tjetrin, të shprehurit e tyre pozitiv, buzëqeshjen, të puthurat dhe ikjes nga konfliktet e dyanshme, sa në cilësinë e miqësisë së tyre.

Si psikoterapeut martesor kam dëgjuar me mijëra herë nga partnerët bashkëshortorë sqarimet e dëshirës së tyre që të ndahen “për shkak të mospërputhjes së natyrave …, dallimin tepër të madh të karaktereve të tyre“. Suksesi apo mossuksesi i martesës nuk ndodhet në kombinimin e suksesshëm apo të pasuksesshëm të personaliteteve, karaktereve të tyre por në përshtatshmërinë e tyre të suksesshme dhe të pasuksesshme. Marrëdhënia martesore ruhet me përshtatshmërinë e dyanshme të përditshme dhe jo me kombinim, me punë të dyanshme për t`u bashkuar gjithnjë sërishmi dhe jo me analizimin e dyanshëm të personaliteteve dhe karaktereve. Marrëdhënia martesore është proces i gjallë i sekuentave gjithnjë të reja dhe të papërsëritshme dhe jo përsëritje e ritualizuar e zgjedhjes së suksesshme apo të pasuksesshme. Martesa është lum që rrjedh dhe jo kënetë që qëndron dhe nuk lëvizë. Edhe suksesi më i madh i përsëritur gjithnjë në të njëjtën mënyrë – çon në mossukses.

Martesa e lumtur nuk bazohet në interesa gjithmonë të njëjta të përbashkëta, por në bashkimin aktiv të interesave të tyre të ndryshme dhe me pasurimin e dyanshëm, pikërisht me ndryshueshmërinë e tyre.

Mirësjellja e ëmbël e shoqishoqme, të shprehurit pozitiv, buzëqeshja, puthjet dhe shmangia e konflikteve të dyanshme nuk janë kurrfarë garancie e lumturisë martesore. Në ordinancën time psikoterapeutike kam takuar shumë partnerë të ëmbël martesor, gjithmonë me buzëqeshje në gojë, mirëpo me aq shumë mllef dhe armiqësi të kontrolluar,  do të mund të thosha edhe urrejtje, sa që ajo mirësjellje dhe buzëqeshje dukeshin groteske dhe qesharake. Helmo i Suzana Gastager e kanë shkruar një analizë të shkëlqyer “të martesës dhe familjes fasadë“, fasada e së cilës kurrqysh nuk përputhet me interierin.

Gottman propozon si kriter të martesës së lumtur, me këtë edhe garancinë e vazhdimësisë së saj, miqësinë ripërtëritëse të sinqertë dhe cilësore, të mbajtur dhe të qëndrueshme në mes partnerëve martesorë. Partnerët martesorë, si miq të sinqertë, janë garancia më e mirë e zgjatjes së një martese të suksesshme.

Më duhet ta pranoj se gjithmonë e kam pyetur veten: A thua njerëzit mund ta urrejnë njëri-tjetrin aq shumë dhe t`ia dëshirojnë të keqen, siç po bëkan kështu partnerët martesorë kur divorcohen? Miqësia e sigurt nuk është garanci e vetme, mirëpo gjithsesi është element i rëndësishëm i një martese të suksesshme dhe të lumtur.

Përveç dashurisë, në martesë është e rëndësishme edhe miqësia

John Gottman tërheq vëmendjen që përballimi i konfliktevedhe aftësia e komunikimit nuk janë të mjaftueshme për një martesë të lumtur. Për këtë është e rëndësishme si të dilet sigurisht nëpër vështirësitë e saja dhe në këtë të arrish ta ruash veten të lumtur dhe martesën stabile. Këtu ndihmon miqësia e thellë martesore që është zemra e çdo martese, si dhe konsiderata e dyanshme dhe gëzimi për shkak të bashkimit të partnerëve martesorë. Miqësia martesore e mban flakën e dashurisë martesore dhe është mbrojtja më e mirë kundër ndjenjave armiqësore të shoqishoqme në martesë.

Si psikiatër dhe psikoterapeut kam takuar me mijëra çifte martesore, si këshilltar dhe terapeut kam kaluar së bashku me ta nëpër një varg vështirësish dhe problemesh, tragjedish dhe katastrofash. Më duhet ta pranoj se shpesh herë kam hasur në armiqësi të tyre të shoqishoqme sesa në miqësi, nënçmime sesa konsideratë, urrejtje dhe hakmarrje sesa dashuri dhe falje. Shpesh herë e kam pyetur veten: A thua është kjo ai porti i qetë dhe i mbrojtur martesor, në të cilin mund të qetësohesh, të pushoh dhe të mbledhësh energji të reja për një nisje të re në detin shpesh herë të rrezikshëm dhe të trazuar të hapur të jetës martesore?

Miqësia, konsiderata e shoqishoqme dhe dashamirësia, ndihmesa dhe mbështetja sigurisht nuk mund ta zëvendësojnë dashurinë martesore, mirëpo mund të jenë bazë solide, prapavijë e mirë për ri-ndezjen e saj të kohëpaskohshme. Martesa ka nevojë për dashurinë martesore, jetën seksuale martesore, mirëpo edhe “miqësinë martesore“. Do të mund ta krahasonim me “stand by“ në televizor, kompjuter apo linja. Kjo është gjendje e një gatishmërie të vazhdueshme për dashuri dhe jetë seksuale në martesë, por jo zëvendësim i tyre. Ky është ai minimumi që e ruan njeriun të gatshëm për maksimume të kohëpaskohshme martesore të dashurisë dhe jetës seksuale, por edhe mbron dhe ruan njeriun në faza të krizave martesore dhe “fashitjeve para stuhisë“, vështirë të durueshme të shkurtra apo të gjata martesore.

“Miqësia martesore“ paraqet minimumin e të qenit njeri, humanitetit, dashamirësisë, qëllimit të mirë, zemërgjerësisë, konsideratës së shoqishoqme dhe besimit të partnerëve martesor në raportet me njëri-tjetrin. Ajo luan rolin vendimtar në fazën e divorcit eventual martesor. Për fat të keq, atëherë jemi dëshmitarë, që me venitjen e dashurisë martesore dhe jetës seksuale martesore, në vend të tyre vjen urrejtja martesore, padurimi, hakmarrja, hedhja e fajit njëri-tjetrit, padia, lufta me mish e shpirt, dhe gjithë kjo para syve dhe në prani të fëmijëve të cilët nuk mund të besojnë që kjo është duke u ndodhë prindërve të tyre. Sa e mirëseardhur do të ishte këtu “miqësia martesore“ e sinqertë dhe e ndershme! Ndoshta në skenën martesore sërishmi do të sillte edhe dashurinë martesore? Ta ruajmë me përkushtim këtë “rezervë të fundit“ të martesës sonë! Kurrë nuk e dimë kur do të na duhet, ndoshta edhe të na shpëtojë martesën.

Zakonisht martesën e fillojmë me rënie në dashuri, po me dashuri do të ishte dashur ta vazhdojmë atë, ndërsa me miqësi të sinqertë martesore ta ruajmë në kriza të shkurtra apo të gjata martesore!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »