ZJARR! NDARJE! VENDIM!

Oct 22 • Meditimi i ditës

22 tetor 2015 – E enjte, Shën Gjon Pali II, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Mendoj një moment për praninë e fshehur të Hyjit në sende: në elemente duke u dhënë që të ekzistojnë;

Në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke bërë që të ndiejnë;

dhe më në fund në mua, sepse m`i jep të gjitha këto, dhe më shumë,

më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

 

Pak ka njerëz që e kuptojnë

se çfarë do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Vetëdija

 

E pyes veten, si po ndihem sot?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka nga kjo ekziston në mua,

a mund të provoj t`i largoj tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në atë mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 12, 49-53

 

49 “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

53 babai do të zihet me djalin,

e djali me babain,

nëna me të bijën,

e bija me t’ëmën,

vjehrra me të renë

e reja me vjehrrën.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  – Jezusi është plotësisht i përfshirë në misionin e tij për të na shpëtuar. Zjarri është imazhi që ai e përdor për të folur për këtë dëshirë të madhe në zemrën e tij. Jo të gjithë do ta pranojnë mesazhin e tij dhe kjo do të çojë në ndarje midis njerëzve në një nivel më të thellë. 

   -Sa i rëndësishëm është për mua Lajmi i Mirë të cilin e ka sjellë Jezusi? Kur mendoj se sa i ka kushtuar kjo, a po më ndihmon kjo për të kuptuar se sa i çmueshëm jam unë për të?

 

Bashkëbisedimi

 

Nganjëherë nuk di çka do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit o Zot që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbartur

dhe me fuqinë tënde i kam tejkaluar dhe mbijetuar kohët e vështira në jetën time.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »