JEZUSI ËSHTË ZOTI QË TË DHURON SHIKIM

Oct 23 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXX gjatë vitit (B)

Leximi parë (Jer 31,7-9)

Lexim prej Librit të Jeremisë profet

Kështu thotë Zoti: “Brohoritni me gëzim për Jakobin, lavdëroni të parin ndër popuj t’ju kumtoj zëri, këndoni e thoni: ‘Shpëtoje, o Zot, popullin tënd, tepricat e Izraelit!’ Ja, unë po i kthej nga toka e veriut, do t’i bashkoj nga skajet e tokës: ndër ta janë të verbër e të shqepët, së bashku shtatzëna e ajo që do lindë: bashkësi e madhe që këtu po kthehet! Do të vijnë duke vajtuar prej mallit, do t’i kthej duke u lutur, do t’u prij gjatë rrjedhës së përrenjve, udhës së drejtë ku s’do të zënë në thua, sepse jam babai i Izraelit, Efraimi është djali im i madh.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 126

Ref. Punë të mëdha bëri Zoti për ne

—————————————————

Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,

na dukej si të ishim në ëndërr.

Atëherë goja na u mbush me gaz

e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!

——————————————————–

Asohere thuhej ndër paganë:

“Zoti bëri për ta punë të mëdha!”

Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

——————————————————–

Ktheji, o Zot, robërit tanë

porsi përrenjtë e Negebit!

Ata që mbjellin me lot,

deh, le të korrin me gëzim!

———————————————————

Në të shkuar ecnin e qanin

duke mbartur farën për ta mbjellë,

kurse në kthim do të vijnë plot gëzim

duke mbartur dorëzat e veta.

———————————————————

 

Leximi i dytë (Heb 5,1-6)

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve, dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, unë sot të linda”- sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu: “Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.”          

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Unë jam drita e botës, thotë Zoti;

kush vjen pas meje do ta ketë dritën e jetës.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 10,46-53)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!”

Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbëritë dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi.

Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigji i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.       

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë: Libri i Jeremisë quhet edhe si libër i ngushëllimit, i shkruar rreth vitit 586 para Krishtit. Populli i Izraelit shpeshherë gjendej pa shpresë dhe në vështirësi e pikëllim. Hyji përkujdesej për ta duke ju dërguar profetët të cilët e ngushëllonin që do të vijnë ditë më të mira dhe ditë shprese. Profeti paralajmëron kthimin nga robëria, duke shprehur falënderimin ndaj Hyjit dhe këtë do ta bëjnë edhe teprica e Izraelit, e cila do të bashkohet në Tempull për t‘ i dhënë lavdi dhe nder Hyjit që përkujdeset për ta..

Këtë falënderim mjaftë mirë e shpreh psalmi i sotshëm që është një nder psalmet më të mira lavdërimi dhe falënderimi Hyjit për kujdesin që tregon ndaj njerëzve: ‘Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr. Atëherë goja na u mbush me gaz e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit…. Zoti bëri për ne mrekulli

e zemrat na u mbushën me gëzim!

Leximi dytë:Ndërsa letra, drejtuar hebrenjve, tregon për kryepriftërinjtë, të cilët janë në shërbim të Zotit, dhe përkujdesen për popull, duke u lutur e duke kushtuar fli për mëkate. Edhe kryepriftërinjtë, janë të ligsht në krahasim me Kryepriftin që erdhi prej qiellit, Jezusi, i cili i mori mëkatet e njerëzve dhe u bë fli pajtuese për të gjithë ata që i besojnë.

Ne, pra, nuk duhet të jemi të dëshpëruar në rrethana të ndryshme të jetës sepse do të bimë nën peshën e mëkatit dhe të keqes, por jetojmë në shpresë e të hapur ndaj Zotit, i cili na flet, na mëson, na qorton dhe aftëson të jetojmë ashtu sikurse i pëlqen Atij. Dhe kjo nuk na bënë robër por të lirë në shpirt.

Ungjilli:Ngjarja e Ungjillit të cilën e lexojmë sot, ndodhet në Jerihon, rreth tridhjetë kilometra larg Jerusalemit. Aty, kanë ndodhur edhe ngjarje tjera, por është e bukur kjo e sotmja që na flet për një njeri të verbër me emrin Bartime, i cili e thërret në ndihmë Jezusin me emër mesianik: Biri Davidit, ki mëshirë për mua! Është kjo një lutje plot teologji. Është kjo një lutje e thjesht, por domethënëse, sepse në rend të parë njeriu është i varfër, është i verbër dhe pa përkujdesje.

Bartimeu para se Jezusi, t’ia kthej të pamurit në brendinë e vet ka pasur dritën e fesë e ka parë Jezusin, ishte i shndritur. Ai që qëndronte galuc skaj rrugës i vetmuar, e gjeti prapë kuptimin e jetës (I. Herman). Në Krishtin gjithmonë realizohet shpëtimi nëpërmes fesë, besimit personal. Në personin e Bartimeut duhet  të shikojmë çdo njëri vetveten, sepse Bartimeu ka një peshë të madhe për të kuptuar rëndësinë e besimit.

Ky person me ngulm lutej edhe pse të tjerët tentonin që të heshtë. Mendonin që Jezusi nuk ka kohë të merret me njerëz që ishin sikurse ai, Bartimeu.  Por ja Bartimeu i cili e kërkoi ndihmën e Zotit, e fitoi të pamurit në saje të besimit. Dhe ky nuk u largua, por vazhdoi ta ndjek Jezusin, u bë bashkëpunëtorë i tij duke i dhënë lavd dhe nder Hyjit.

Të gjithë më një mënyrë jemi sikurse Bartimeu, të verbër jo në sy por në zemër. Sepse shpesh herë nuk e ndjejmë dashurinë dhe kujdesin që Hyji ka për ne.

Jemi ata të cilët tentojmë që në forma të ndryshme të shohim por me sy të gabuar me zemër të helmuar.

Mirë pati thënë profeti kemi vesh e nuk dëgjojmë, kemi sy e nuk shohim, sepse në saje të botës së sotme jetojmë me një pështjellim të madh ku vlerat njerëzore dhe jeta shpirtërore janë në ngecje të madhe.

Edhe ajo pakicë e njerëzve që lutet dhe përkushtohet në ndjete të mira shpesh herë nga vetë anëtarët e familjes, bashkëshortë, prindër vëllezër apo motra, të afërm i pengojnë dhe dëshirojnë ta heshtin, sikurse Bartimenunnga Ungjilli.

Sa ka sot njerëz që nuk marrin pjesë në meshë për shkaqe të ndryshme që nuk e arsyeton mospjesëmarrjen në takimin e së dielës.

Kanë kohë për shumëçka por jo për Zotin.

Një herë me tha një besimtare: thuaj zotëri në predikim që burrat tanë po na bien deri te dera e Kishës, për meshë dhe ata po shkojnë në kafe, thuaj që të hyjnë edhe ata në Kishë e të marrin pjesë në meshë.

Ndërsa fëmija mbesin në gjumë, njëri prind në meshë e tjetri në kafe, a nuk është një shpartallim i familjes?

T’ i lutemi Krishtit që edhe ne të na kthej të pamurit e shpirtit e të zemrës, që të jemi të orientuar kah Zoti dhe të kemi bashkëpunim nëpërmes lutjes që Jezus si Biri i Davidit të ketë mëshirë për ne dhe kështu jeta jonë të ketë një ecje të mbarë kah shenjtërimi dhe shëlbimi. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër e motra, t’ ia drejtojmë lutjet tona Zotit, me shpresë që Ai do t’ i dëgjoj dhe realizojë për të mirën tonë: Të themi së bashku:

 

– Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!

– Ki mëshirë për Kishën tënde të shpërndarë në botë, ndihmoje që me besnikëri të bartë dritën e Krishtit në terrinat e botës, të lutemi:

– Ki mëshirë për popullin tënd që vuan nga padrejtësitë, luftërat, keqkuptimet dhe keqtrajtimet; ndihmoju të gjithëve që të kuptojmë jetën si dhuratë të cilën duhet çmuar dhe vlerësuar, të lutemi:

– Ki mëshirë për të gjithë ata që janë të sëmurë dhe ë verbuar në shpirt, ndihmoju të gjithëve që të përjetojnë praninë tënde duke fituar shërimin e shpirtit dhe të trupit, të lutemi:

– Ki mëshirë edhe për ne këtu të bashkuar; na ndihmo o Jezu që të mundemi të jetojmë prej hireve tua dhe na jep bekimin dhe paqen tënde, të lutemi:

– Ki mëshirë për të gjithë të vdekurit tanë, bëj që të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

 

O Zot, ti e di që edhe ne shpesh herë jemi të ngjashëm sikurse i verbëri nga Ungjilli dhe kemi nevojë për ty: na ndihmo që nëpërmes hireve të tua të shndritur prej Shpirtit shenjtë të sigurt dhe me fe të jetojmë dhe veprojmë sipas vullnetit tënd, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »