DURIMI I MADH I ZOTIT

Oct 24 • Meditimi i ditës

24 tetor 2015 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Me gjithë krijimin,
jam i/e zhytur në Hyjin.
I lejoj vetes të lirohem nga e kaluara dhe e ardhmja,
në mënyrë që t`i lë të gjitha brengat e mia në duart e Zotit,
dhe që të jem thjesht me Zotin,
këtu dhe tani.

 

Liria

 

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?

Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?

Lus për hirin e lirimit nga brengat personale

dhe për të qenë i/e hapur se çka dëshiron Zoti të më komunikojë.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo o Zot që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me mirënjohje për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 13, 1-9

 

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

 

 Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 –  Jezusi erdhi për të na ndihmuar në mënyrë që të kemi një marrëdhënie të drejtë me Hyjin. Nëse e dëgjojmë fjalën e tij dhe përpiqemi t`i korrigjojmë gabimet në mënyrën tonë të jetesës, jemi në rrugën e duhur drejt kënaqësisë së brendshme

–  Koha që i është dhënë fikut për të dhënë fryt dëshmon për durimin e Zotit me të gjithë ne.

 

Bashkëbisedimi

 

Nuk po më vijnë fjalët lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shihe dëshirën time të madhe për paqe.

Më ruaj, o Zot. E di se je gjithmonë pranë meje.

 

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »