MISIONI KATOLIK SHQITAR NË STUTTGART PËRKUJTON NËNË TEREZËN

Oct 24 • Kisha ndër Shqiptarë

Misioni Katolik në Gjermani “E Lumtura Nëna Terezë” me seli në Stuttgart,  në bashkëpunim me Shoqatën “Yjet e Kosovës”, ka organizuar akademi përkujtimore për nder të Nënë Terezës, më 18 tetor 2015, në ambientet e Kishës së St. Konrad, aty ku kjo bashkësi tubohet të dielave dhe festave në kremtimet e veta, për të kremtuar meshën e shenjtë dhe takimet e tjera kulturore.

Akademia ishte organizuar për të përkujtuar tre ngjarje që lidhen me Nënë Terezën: përvjetori i lindjes së Nënë Terezës, përvjetori i themelimit të Rregullit të Misionareve të Dashurisë dhe Shoqata “Nënë Tereza”. Gjithashtu, pasi sivjet mbushen 20 vjet nga pajimi i  gjaqeve në Kosovë, u kujtua edhe kjo ngjarje e rëndësishme për qytetarët e Kosovës, si një epokë e pajtimit mbarëpopullorë.

E gjithë ky eveniment u përcjell nga një numër i madhe i diasporës shqiptare dhe mysafirëve gjermanë, miq të popullit tonë. I ftuar i posaçëm ishte biografi i njohur i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, Vikar Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, i cili i priu meshës solemne që u kremtua para akademisë.

Akademia filloi me himnin e Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” të interpretuar nga Inva Mula, i cili u inaugurua më 5 shtator 2015, në Katedralen “Nënë Tereza” Prishtinë.

Në mesin e shumë pjesëmarrësve mund të dallohen këto personalitete: z. Hafiz Gagica, znj. Donika Gërvalla, me bashkëshortin, ish deputeti i Bundestagut Gjerman dhe anëtari i CDU- së, z. Stefan Schwarz, z. Jahja Gashi – kryetar i Shoqatës ” Nëna Tereze ” nga Göpingeni, z. Vitor Spaqi,  kryetar i Qendrës Kulturore Shqiptare në Stuttgart, z. Xhafer Leci, veprimtar dhe kryetar nderi i Shoqatës ”Kadri Zeka” nga Kircheim Teck, z. Mufail Sinani, kryetar i Shoqatës ”Isa Boletini” nga Sindelfingen, Dr. Balidema, z. Mejdi Laçaj, z. Sadik Halilaj (babai që fali gjakun e djalit para varrit të Presidentit Rugova muaj më parë!), sekretari i LShAKSh z. Franë Tanushi, etj.

Akademinë e hapi, misionari i Misionit Katolik Shqiptar, Don Marjani Lorenci, i cili, në fjalimin e tij, theksoj rëndësinë e kësaj ngjarje dhe urojë që Nënë Tereza të bëhet shembulli i përfaqësimit dhe veprimtarisë së shqiptarëve në Diasporë, sepse vlerat e Nënë Terezës, prekin thelbin e identitetit tonë; janë pasqyra e vlerave që na rritin si popull dhe na promovojnë denjësisht. Ja një fragment nga fjala përshëndetëse e Don Marjanit: “Nënë Tereza më përkushtimin e saj të palodhshëm ndaj të varfërve, të braktisurve, i ka dhënë kontribut të madh Kishës dhe botës. Në botën moderne, ku çdo gjë matet me ligjet e ekonomisë dhe të përfitimit, ajo me privilegjin e më të varfërve, e ka sfiduar kulturën bashkëkohore dhe ka prekur zemrat e njerëzve, të cilët janë hapur ndaj shembullit të saj dhe e kanë ndjekur atë. Dëshmi janë përmasat e Rregullit të Nënë Terezës dhe të shoqatave që mbajnë emrin e saj. Mund të themi se Nënë Tereza, me jetën e saj, ka shkruar një ndër faqet më të bukura të dashurisë, të drejtësisë dhe të solidaritetit në historinë e botës së sotme; dhe për këtë mesazhi i saj është gjithmonë aktual.

Aroma e mirë e dëshmisë së Nënë Terezës tashmë ka prekur të gjitha kontinentet. Ne jemi krenar se kjo motër, murgeshë, nënë, është bijë shqiptare dhe dëshirojmë që, si Mision, me dinjitet të mbajmë emrin e saj. Por kjo sjell edhe përgjegjësi. Përgjegjësi që të ndjekim dhe zbatojmë mësimin e saj. E mësimi i saj është që, sikurse ajo, ta jetojmë dashurinë në të përditshmen, ta ushqejmë atë me gjeste të vogla bamirësie, solidariteti, mirëkuptimi, duke filluar nga familja, rrethi ku jetojmë e pastaj edhe më gjerë, sepse siç thotë ajo: “është lehtë t’i duami personat që janë larg, të mendoni për njerëzit që vdesin nga uria në Indi, por më parë duhet të shikoni a mbretëron dashuria në shtëpinë tuaj, në shtëpinë e fqinjit tuaj, në lagjen ku banoni, në qytetin ku jetoni”.

Pas fjalës përshëndetëse, folën edhe z. Lekë Preçi, z. Tahir Shabani, z. Albert Bisaku. Të pranishmit i përshëndetën edhe znj. Donika Gërvalla, kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, z. Stefan Schwarz, i cili shprehi kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë bashkësi e cila shpalos vlerat shqiptare, traditën dhe kulturën e vet.

Dhe fjalën kryesore e pati i ftuari i posaçëm nga Kosova, Don Lush Gjergji, i cili bëri një sintezë të ngjeshur të personalitetit të Nënë Terezës.

Për këtë rast, në fund të akademisë u bë edhe shpërndarja e dhuratave nga z. Lon Karrica, z. Tahir Shabani dhe moderatorja e akademisë znj. Leonita Lasku. Të përmendim se Akademinë artistikisht e përcolli, artisti dhe koreografi nga Mirdita z. Gjergj dhe Arber Lleshaj , pastaj grupi i të rinjve (Kori i Misionit) me kostume kombëtare, që pa dyshim ia madhështinë kësaj ngjarje kulturore.

Në mbarim të akademisë u organizua një kokej rasti, si rast i mirë i shkëmbimit të bisedave miqësore dhe vëllazërore.

 

E gjithë kjo ngjarje u përcoll nga RTK.

(Revista Drita)

1

2

3

4

5

6

7

Shpërndaje

Comments are closed.

« »