TË JETOSH PËR(K)ULUR

Oct 26 • Meditimi i ditës

26 tetor 2015 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.

Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.

Çfarë bekimi i mrekullueshëm!

Nuk kam nevojë për telefon apo e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

Lehtë është të bihet në grackën e pasurive të kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia, grykësia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë s`mund të blihen – ato janë falas.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe shoqërimi.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo, o Zot, të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmes njerëzve të tjerë ma ke shfaqur përkujdesjen tënde.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 13, 10-17

 

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – A jam duke e vërejtur se sa lehtë është për të ndihmuar kur kjo më përshtatet, e për të gjetur arsye kur kjo nuk më përshtatet?

– Është mirë të ngrihemi mbi veten tonë dhe t’i përgjigjemi nevojës së dikujt.

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe. Amen.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »