“VENDE TË HOLLA”

Oct 28 • Këndvështrime

Keltët e lashtë kishin një prirje për botën e shpirtrave. Të talentuar me imagjinatë e gjetën pragun mes kësaj bote të dukshme dhe asaj të padukshme, duke menduar se ishte shumë lehtë për ta kaluar. Ata dinin të thoshin se qielli e toka janë vetëm nja dy-tre metra larg njëri-tjetrit, dhe se në disa vende të holla distanca është edhe më e vogël. Shprehja “vende të holla” mund t`i referohet përvojave tona se përtej mundësive tona jemi të përfshirë në diçka që është e vështirë të shprehet me fjalë – jemi të tërhequr nga një Mister. 

Nuk është çudi që kemi përvoja të tilla. Krijimi, pas të gjithave, është intensivisht i lidhur me hyjnoren. Hyjnorja na përshkon dhe zbulon veten duke na u dëftuar, në mënyrë të paparashikueshme nëse kemi sy për të parë. Veli mes botës së Hyjit dhe asaj që ne e quajmë “botës sonë” shpesh tërhiqet për të na dhënë të paktën një moment për të shikuar atë që është “përtej” (ose “prapa” a “lart”). Thomas Merton me të drejtë thotë se dyert e qiellit ndodhen kudo.

Vende të bukura, peizazhe të egra, male të vetmuara, perëndime madhështore të diellit, net xixëlluese apo dhe deti i zhurmshëm mund të na magjepsin dhe kënaqin.

Në nivele të tjera, rënia në dashuri mund të hapë një botë të transformuar, ose një depërtim hyjnor përmes një buzëqeshjeje, përmes një gishti të vogël të foshnjës, bukurisë njerëzore, një komplimenti, një tingulli muzikor. Fytyra e një lypësi, sytë e një fëmije të uritur, momenti i vdekjes së një personi që e kemi dashur gjithashtu mund ta thyejnë e ta hapin derën e zemrës. Ji i/e ndjeshëm/e ndaj “vendeve të holla”, momenteve të tilla, sepse Zotin mund ta gjejmë në të gjitha gjërat. Edhe momentet e shenjta – lutja e përditshme, na udhëzon çdo ditë drejt Jezusit në të cilin njerëzorja dhe hyjnorja janë të lidhura në mënyrë të përsosur për të formuar një person.

(“Sacred Space”; Përktheu: Shtjefen Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »