FAKTE RRETH KRIJIMIT TË ZOTIT

Oct 30 • Këndvështrime

Të krijosh është të bësh gjëra nga asgjëja, nga hiçi, pa përdorur fare material. Ne nuk mund të pyesim: përse Zoti ka pritur kaq gjatë para se ta krijonte botën, për shkak se para krijimit s`ekzistonte koha. Koha është një matje e ndryshimit në një shkallë prej para dhe pas (Aristoteli, Fizika 4,11). Prandaj, në qoftë se fare mund ta përdorim këtë fjalë kur flasim për përjetësinë, kur nuk kishte asnjë ndryshim, s`ekzistonte koha. Koha filloi së ekzistuari kur krijesat ndryshuese erdhën në ekzistencë. Koha është një seri e vazhdueshme jo e qetë ndryshimesh. Përpara është një moment që ne e quajmë e ardhmja, ajo shpejt ndryshon duke u bërë e tanishme, pastaj shpejt ndryshon duke u bërë e kaluar. 

Hyji mund të ketë krijuar një botë të përjetshme, pa fillim apo mbarim. Por ai zgjodhi për të krijuar një botë me një fillim, kohë “më parë”, ku s`kishte asgjë. Libri i Zanafillës 1,1 na tregon: “Në fillim Hyji krijoi qiellin dhe tokën.” Dhe Krishti iu drejtuar të Atit të vet: “Ti më deshe para se të krijohej bota” (Gjoni 17,24). 

Pse Hyji krijoi? Qëllimi i botës së krijuar është i lidhur me qëllimin e njeriut. Shën Ireneu pat shkruar: “Në fillim Hyji e formoi Adamin, jo pse Ai kishte nevojë për njerëz, por sepse kështu Ai mund të kishte dikë, që do të mund t`i merrte përfitimet e Tija.” (“Kundër herezive”, 4. 14. 1). Pra, ne mund të themi që Ai gjithmonë na ka dashur, pasi ai gjithmonë na ka dashur të mirën më themelore, ekzistencën. Përtej kësaj, vullneti i Tij është që “të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës.” (1 Timoteut 2, 4). Nëse t`ia duash të mirën një tjetri do të thotë të dashurosh, atëherë kjo është një dashuri e vërtetë. Por kur ne dashurojmë, kemi nevojë për një iniciativë, ne kemi nevojë të shohim diçka të mirë ose të bukur te tjetri. E pra Hyji na ka dashur kur ne ende s`ekzistonim. 

Kur themi se Ai krijoi për lavdinë e Tij, duhet t`i kuptojmë këto fjalë siç i kuptonte Koncili I i Vatikanit: “Ai bëri krijesa që për nga natyra e vet do t`i jepte lavdi Hyjit, edhe pse Hyji s`fiton asgjë me këtë lavdi.” (Këtë e lexojmë në aktet dhe dekretet e Vatikanit I, gjendet te “Collectio Lacensis”, VII, 116). Në mënyrë të ngjashme, Ai dëshiron që ne të bindemi për shkak se të gjitha mirësitë thonë se krijesat duhet t’i binden Krijuesit të tyre, dhe për shkak se, siç ka thënë Shën Ireneu, Ai donte që të ketë dikë ndaj të cilit të mund të ishte bujar në mirësinë e pafund – por ne duhet të bashkëpunojmë për të marrë dhuratat e tij. 

Hyji i mban të gjitha gjërat në ekzistencë me të njëjtën fuqi me të cilën Ai i nxori ato nga hiçi. “E si do të mbetet në jetë ndonjë gjë, po të mos doje ti?” (Libri i Urtisë 11, 25). Varësia jonë nga Ai për ekzistencën tonë të vazhdueshme është si ajo e imazheve të filmit në ekran nga projektori.

(Përktheu: Shtjefen Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »