PRESIDENTI I AUSTRISË HEINZ FISCHER VIZITON KATEDRALEN E PRIZRENIT

Oct 30 • Kisha në Kosovë

Në kuadër të vizitës dy ditore në Republikën e Kosovës, Presidenti i Austrisë, Zotëri Heinz Fischer, me një delegacion përcjellës, ka vizituar Katedralen e Prizrenit (29 tetor 2015). Në përcjellje të Presidentes së Kosovës Znj. Atifete Jahjaga, Zotëri Fischer u prit nga Ipeshkvi i Kosovë, Imzot Dodë Gjergji, Kancelari i Ipeshkvisë, Don Shan Zefi, Sekretari Don Fatmir Koliqi, meshtarët e dekanatit të Prizrenit: Don Ndue Ballabani, famulltar i Zymit, Don Robert Jakaj, famullitar i Velezhës, Don Alfred Sokoli, ndihmësfamullitar i Prizrenit, Pater Axel Bödefeld, SJ, drejtor i Loyola Gymansium,  disa murgesha dhe besimtarë.

Don Shan Zefi, i cili kryen edhe detyrën e famullitarit të Prizrenit, paraqiti për të gjithë mysafirët austriakë, një historik të shkurtër të Katedrales, punimet rreth renovimit të Katedrales, gjurmimeve arkeologjike rreth saj, që është një pasuri e madhe për lashtësinë e këtij qyteti, pasi aty janë zbuluar mure të një bazilike, që mendohet të jenë të shekullit 6 (gjurmimet ende vazhdojnë).

Ndërsa, Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, e njoftojë Presidentin Fischer për trashëgiminë kulturore dhe kishtare që ka ky vend, katedrala dhe kompleksi rreth katedrales, që në fakt janë kontribut i Austro-Hungarisë. Austria është vend që ka rimëkëmbur qytetërimin e krishterë europian në këto treva, kur mendohej se otomanët e kishin fshirë nga toka një qytetërim të tërë të shqiptarëve. Presidenti Fischer mbeti i gëzuar që gjendet në një vend të këtillë kulturor, me vlera europiane, prandaj edhe u shpreh se Kosova do të përkrahet nga vendi i tij – Austria, për t’u pranuar në UNESCO, që këto ditë do të votohet, sepse dëshirojmë – siç u shpreh – të ruajmë këtë trashëgimi të çmueshme për Kosovën  dhe për Europën.

Presidenti, pas vizitës së Katedrales, së bashku me delegacionin e tij, Presidenten Jahjaga, Ipeshkvin Dodë Gjergji, u drejtuan këmbë drejt Xhamisë së Sinan Pashës, ku u pritën nga Naim Tërnava, Myftiu i Kosovës, me bashkëpunëtorë të tij.

Teskti: Revista Drita

Fofografitë: Lekë Laçi


Shpërndaje

Comments are closed.

« »