TË LUMËT NË PRANINË E ZOTIT

Oct 31 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e të gjithë shenjtërve

Leximi  i parë Zb 7, 2-4.9-14

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngrihej nga lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”

Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”

Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24

Ref. Lum ata që janë të pastër më zemër,

sepse ata do ta shohin Hyjin

———————————————————

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

———————————————————

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? 

Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,

ai që nuk përbehet në rrenë.

———————————————————

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

———————————————————-

 

Leximi i dytë 1 Gjn 3,1-3

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër.

Fjala e Zotit

Aleluja!

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur

prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.

Aleluja!

 

Ungjilli   Mt 5, 1-12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!

Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Engjëlli i Zotit trokiti në derën e një njeriu. Urdhëroni, hyni u dëgjua zëri nga brenda. Të kam pritur, përgjigj njeriu.

Nuk kam ardhur të flas edhe aq shumë me ty, ia kthej engjëlli, por kam ardhur që të sjell tek Hyji, kam ardhur të ta marr jetën.

E çka do të mundesh të më marrësh më tepër se jetën?

Nuk di i përgjigj engjëlli. E di një gjë: kur shkoj tek njerëzit për t’i marrë nga kjo jetë, duan të japin krejt çka kanë, vetëm e vetëm të qëndrojnë ende në tokë. Po ta dije çfarë oferta ofrojnë!

Unë, tha njeriu, nuk jap kurrfarë oferte. Nuk kam asgjë që të mund të të jap. Gëzimin që dikur e kisha më nuk e kam, sepse e kam shpenzuar. Vështirësitë ia lëshova erës e ajo i barti, dyshimet dhe shqetësimet i hedha në zjarr që në flaken e shpresës të ngrohem. Të mira tokësore nuk kam, iu kam rënë mohit kah moti.

Buzëqeshjen iu kam dhuruar atyre që kishin nevojë. Zemrën jiu kam dhënë atyre që i kam dashur dhe me kanë dashur. Shpirtin tim ia kam besuar Hyjit.

Merre ti jetën time, i tha njeriu, sepse tjetër gjë nuk kam të jap.

Engjëlli e mori mbi supat e veta njeriun dhe ju duk i lehtë sikurse ndonjë pendël, e po ashtu edhe përqafimi i njeriut iu duk shumë miqësorë dhe i ëmbël.

Hyji hapi derën e parajsës sepse në të hyri një shenjtë i ri.

Sot kur festojmë ditën e të gjithë shenjtërve kujtojmë një shumicë të madhe njerëzish që kanë jetuar në tokë sikurse ne, por deri sa jetonin në tokë mëndja dhe sytë e tyre ishin të lartësuar kah qielli nga edhe pritnin shëlbimin.

Kush janë këta?

Janë njerëzit e lumtur, janë ata që ishin në shpirt të varfër, që qanin, ata që ishin të butë, që kishin uri, që ishin të mëshirshëm dhe që e ruanin zemrën të pastër, për takimin e tyre me Hyjin.

Hyji është i shenjtë dhe ai fton që edhe njerëzit dita ditës të shenjtërohen. Shembull janë shumë shenjtër që mund të ndërmjetësojnë dhe të ndriçojnë mendjen dhe zemrën tonë për ta ndjekur rrugën e tyre.

Festa e sotme, ka edhe një qëllim, të na bëjë të vetëdijshëm përcaktimin tonë për jetë me Zotin, i cili na shenjtëron çdo ditë. Prandaj Kisha nuk dëshiron të na kthen në të kaluarën për të parë jetën e shenjtërve, e as në të ardhmen t’ i shikojmë dhe mendojmë për shenjtërit, por të mendojmë për vetveten dhe thirrjen tonë për shenjtëri. Dëshiron të na thotë: çdo i krishterë është i ftuar të jetë i shenjtë dhe kjo mund të realizohet në jetë. Është detyrë e çdo njërit prej nesh, është mundësi dhe tendencë për jetën e plot me Zotin.

Natyrisht, ne njerëzit, jemi me të meta, por Hyji përkujdeset për ne që të marrim ilaçin e shërimit, në sakramentin e rrëfimit dhe të Kungimit që na ndihmojnë të përparojmë në përshpirteni dhe shenjtëri.

Jezusi na thotë: “Jini të shenjtë sikurse Ati im është i shenjtë”!

Të jemi të shenjtë do të thotë të kujdesemi për jetën që të jetë në disponim të së mirës së përbashkët.

Të jemi të gatshëm, në kryerjen e përgjegjësive me nderë dhe dashuri. Sepse në punë dhe veprime të mira dhe të ndershme ne realizojmë thirrjen e të qenurit të krishterë i mirë.

Shenjtërit, nuk janë vetëm shembull për ne, por janë edhe ndërmjetës, janë ata të cilët nëse ju lutemi i paraqesin lutjet tona para Zotit Atë që të realizohen.

Le të na nxjerrin shenjtërit e Hyjit shumë hire për një jetë sa më të mirë që çdo ditë të shenjtërohemi në të vërteten. Amen.

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, të rrethuar me shumë vëllezër dhe motra, të cilët Hyji Atë i kurorëzoi me lavdinë qiellore, duke  falënderuar Zotin, t’ i lutemi që të na shenjtëroi edhe neve:

Na shenjtëro në të vërteten tënde, o Zot!

 –Për Kishën shenjtë, në krye me papën Françeskun, ipeshkvijtë tanë, meshtar, rregulltar dhe rregulltare që të shenjtërohen çdo ditë në të vërtetën tënde, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, që të dimë të nxjerrim hire nga burimi i jetës së krishterë dhe çdo ditë të përparojmë në vepra të mira, të cilat janë dëshmi shenjtërie dhe dashurie, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë që të kuptojnë jetën si dhuratë të Zotit dhe të përparojnë në vlera shpirtërore, të cilat e ndihmojnë shenjtërimin e tyre, të lutemi:

– Për të gjithë ata që vuajnë, janë të nëpërkëmbur, të sëmurë, mëkatarë dhe të humbur në errësirat e botës, që Shpirti i Hyjit të qëndrojë në jetën e tyre, për t’ i ndihmuar, aftësuar dhe begatuar me hire të veta, të lutemi:

– Për të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë që Hyji i shenjtë t’i shenjtëroj, duke i pranuar në bashkësinë e shenjtërve, të lutemi:

 

O Hyj, Ti je i shenjtë, na ndihmo që edhe ne dita ditës të shenjtërohemi duke kryer vullnetin tënd e duke jetuar sipas dhuratave tua. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »