MONUMENT I MIKUT PËR MIQTË

Nov 2 • Recension

(Don Lush Gjergji: Miqtӫ e mi nӫ amshim, “Drita”, Prishtinӫ,  2015)

 

Shkruan: Nuhi  Ismajli

                

Krijuesi dr. dom Lush Gjergji (1949), studiues i teologjisë e filozofisë dhe i doktoruar në Psikologji në Universitetin Shtetëror të Romës “La Sapienza”, është autor i shumë veprave të problematikës fetare, humaniste, filozofike, psikologjike, sociologjike, kombëtare etj. Ai shkruan shqip, italisht e kroatisht. Mjaft vepra të tij janë botuar në shumë gjuhë të huaja, si në italisht (15), kroatisht (17), anglisht (10), frëngjisht (3), spanjisht (3), sllovenisht (5), gjermanisht (3), polakisht (5), hungarisht (2), rumanisht (1). Para pak kohësh, ky autor botoi në shqip edhe veprën e njëzetetetë të tij, një vepër të rëndësishme, me titull: Miqtë e mi ne amshim (“Drita”, Prishtinë, 2015).

Vepra Miqtë e mi në amshim është vepër biografike për figurat e mëse dyzet personaliteteve të njohura shqiptare e të huaja, si: Don Dominik Ramaj, Ernest Koliqi, papa Pali VI, atë Zef (Giusepe) Valentini, don Rrok Matej, prof. Pjetër Gabrani, dr. don Gaspër Gjini, don Pjetër Berisha, prof. dr. Josip Turčinovič, imzot Nikollë Mini, Gesuino Serra, atë Kolë Berishaj, Lin Delija, Simon Shiroka, prof. Anton Ҫetta, imzot Nikë Prela, kardinal Mikel Koliqi, Nënë Tereza, Azem Shkreli, don Simon Filipaj, Bajram Kelmendi, atë dr. Vinҫenc Malaj, Asim Lokaj, Jakup Ceraja, don Gjergj Berisha, don Prek Ndrevashaj, prof. Jak Mita, papa Gjon Pali II, imzot Mark Sopi, dr. Ibrahim Rugova, dr. Engjëll Sedaj, Ibrahim Kodra, don Jak Prenku, mons. Eleuterio Fortino,  Carlo Maria Kardinal Martini, Ali Podrimja, Fehmi Korҫa, dr. Gani Demolli, Idriz Kakruku – Kosova e atë Emanuele Giordano.

Figurat të cilat bëhen objekt i trajtimit në veprën e përmendur janë personalitete të veçanta e tejet të shquara të fushave të ndryshme të veprimtarive njerëzore, si nga fusha religjioze, kulturore, shkencore, artistike, juridike etj. Prandaj, subjekte të biografisë së përmendur janë figurat e priftërinjve, ipeshkvijve, papëve, humanistëve, studiuesve, artistëve (siç janë shkrimtarët, piktorët, skulptorët etj.), juristëve, mjekëve, botuesve etj.

Si kriter për radhitjen e biografive të figurave të veprës së tij, autori, në pajtim me titullin e veprës, pra në pajtim me synimin e tij për të bërë monument të përjetësimit e të përkujtimit të miqve të tij të çmuar e figurave të rëndësishme njerëzore e vlerave të tyre, tashmë të ndjerë, merr për bazë momentin e ndërprerjes së jetës së tyre tokësore, apo si do të shprehej autori, kalimit të tyre në amshim.

Dyzet biografitë e personaliteteve të shquara dhe të fushave të veprimtarive të ndryshme, të cilat zënë vend në veprën Miqtë e mi në amshim, shquhen për koncizitetin dhe ngjeshurinë përmbajtjesore. Autori bën biografi të shkurtra, por tejet të plota për subjektet që trajton, duke i dendur ato me të dhënat e nevojshme dhe tejet esenciale. Kështu, në biografitë e figurave të trajtuara mësojmë për origjinën e tyre, vendlindjen, rrethin familjar e shoqëror, kushtet jetësore, formimin, profesionin, veprimtarinë, idealet, arritjet, vlerat etj.

Të dhënave tekstore autori ua shton edhe pamjet e shumta nëpërmjet fotografive, të cilat ia shtojnë veprës edhe më tepër vlerën dokumentare, artistike etj. Vepra Miqtë e mi në amshim është një vepër e frymëzuar nga dashuria, respekti dhe vlerësimi i thellë i mikut për miqtë, tani në amshim. “Me dashuri – thotë autori – kam përgatitur këtë “Sofër” që e quajta “Miqtë e mi në amshim”. (Parathënie, f. 5).

Vepra është e frymëzuar fuqishëm edhe nga ndërgjegjja e mendimtarit e krijuesit dhe veçmas nga ndërgjegje e mikut të sinqertë, i cili ndjen thellë obligimin të bëjë diç për hir të vlerave të miqve të çmuar, për kujtimin dhe përjetësimin e tyre. Prandaj, vepra e përmendur, në radhë të parë, përbën kuptimin dhe vlerat e një monumenti për miqtë e çmuar.

Vepra Miqtë e mi në amshim është njëherazi edhe një vepër e mbresave të thella dhe e një vlerësimi të një autori të shquar për vlerat e dyzet figurave të ndryshme shqiptare e të huaja, si dhe fryt i meditimit të mendimtarit për jetën njerëzore dhe vlerat njerëzore të përhershme, apo vlerat e mbetura në kohë. Parathënien e veprës autori e fillon kështu: “Jeta kalon, thënë ndryshe, fluturon! E pyetja, të cilën shpeshherë ia bëjmë vetvetes dhe që kumbon fuqishëm, është: ne, ku mbetemi? …E veçmas, pas 1999 e këndej, kur “shoqërohem” me miq të mi, të cilët tashmë janë në amshim.” (Parathënie, f. 5).

Duke qenë njëkohësisht vepër për rrethin e dyzet miqve të autorit, ajo është po ashtu vepër e cila vetëcilëson, vetëvlerëson e dëshmon edhe vetë autorin e saj e rrugën e tij jetësore, si dhe konceptin e tij për dashurinë njerëzore, si shprehje të dashurisë ndaj Zotit: “Në këtë retrospektivë, nëpër të kaluarën…Gjatë këtij “shtegtimi”, kam takuar shumë njerëz të njohur dhe të panjohur; kam udhëtuar në shumë vende dhe vise të botës; kam bashkëpunuar me shumë miq, shokë, njerëz vërtet të shquar dhe të dalluar. Ata, në jetën time, më kanë dhënë shumë – kanë lënë gjurma të pashlyeshme, ma kanë dhuruar miqësinë, mirëkuptimin, vëllazërinë, dashurinë…Unë këto thesare – perla – nuk guxoj t’i harroj… Nëpërmjet tyre, kam përjetuar praninë, kujdesin, dashurinë e Zotit…Me zemër, i kam përjetuar, pranuar dhe pëlqyer aq saqë kam pasur dëshirë që gjurmëve të tyre të shkoj dhe kurrë mos t’i harroj.” (f. 5).

Vepra Miqtë e mi në amshim shquhet për përmbajtjen e saj tejet të rëndësishme dhe interesante. Kemi të bëjmë këtu me dyzet histori të veçanta personale, të figurave të ndryshme shqiptare e të huaja, të cilat, me veçantinë e peshën e tyre, kanë lënë gjurmë të thella në kohë dhe në përjetimet e mendimet e autorit të veprës.

Janë këto figura, të cilat, si thotë autori, janë si lulet më të bukura të zgjedhura për vete, lexuesit dhe veprën e tij, si një kurorë kujtimesh, janë njerëz e figura që kanë mahnitur e frymëzuar autorin, figura të përzgjedhura me fe për vlerën dhe virtytet e tyre, përmes së cilave synohet të shpaloset jeta e vepra jonë, një pjesë e historisë dhe edhe më shumë, synohet të shpaloset jeta dhe vepra që Zoti e ka zbuluar dhe dhuruar (Parathënie, f. 5).

Përmbajtjeve të rëndësishme të biografive të dyzet figurave të veprës iu shtohen edhe mendimet e përsiatjet e thella të autorit veçanërisht për kalimin e jetës e vlerat e saj, të cilat, përveç tjerash, zënë mjaft vend edhe në Parathënien e veprës.

E shkruar nga autori me shumë dashuri e nderim për figurat e trajtuara, vepra Miqtë e mi në amshim është shembulli i një monumenti të mikut për miqtë.

Nëse për miqtë e tij në amshim, dr. dom L. Gjergji ka realizuar një mision të lartë njerëzor e intelektual, duke i përjetësuar në një monument të rëndësishëm, siç është libri, për lexuesit, me veprën Miqtë e mi në amshim, ai ka bërë një vepër përmbajtjesore tejet interesante e tërë frymëzim fisnikërie njerëzore, sa edhe një monument nderimi për vetveten.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »