PURGATOR – DHIMBJE PASTRUESE
2 nëntor 2015 – e hënë, Përkujtimi i të gjithë të vdekurve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
Shpirti im shumë e dëshiron praninë tënde, o Zot.
Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,
e gjej paqen dhe pushimin.
Liria
O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.
Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.
Vetëdija
Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – raporte, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.
Fjala
O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.
Mt 25,1-13
1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.
5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’
10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’
13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Të vdekurit për të krishterët nuk janë larguar nga jeta përgjithmonë. Ata vazhdojnë të ekzistojnë dhe të jenë anëtarë të bashkësisë sonë. Disa e gëzojnë plotësinë e jetës me Krishtin në qiell. Të tjerët janë duke pritur atë gëzim në gjendjen që katolikët e quajnë purgator. Sot lutemi që pritja e tyre të bëhet sa më e shkurtër.
– Ungjilli mund të mbështesë lutjen tonë.
Bashkëbisedimi
Fjalët tua, o Zot, më mësojnë se si duhet të lus.
Urata e mrekullueshme Ati ynë
përmban gjithçka dua të them.
Përfundimi
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.