I FTUAR APO/DHE I DETYRUAR

Nov 3 • Meditimi i ditës

3 tetor 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezus i dashur, sot në mënyrë të veçantë kam nevojë për ty.

Kryesisht kërkoj prej teje ndonjë shërbim.

Sot dëshiroj vetëm që të jem me ty.

Zemra ime t`i përgjigjet dashurisë sate.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i/e hapur se çka kërkon Hyji prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Vetëdija

 

Në praninë e Hyjit që më do

e shpështjell ditën që po mbaron,

duke filluar prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, nga çasti në çast.

I kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.

I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 14,15-24

 

15 Një njeri prej të grishurve në tryezë, kur i dëgjoi këto fjalë, tha:

“Lum ai që do të marrë pjesë në gostinë e Mbretërisë së Hyjit!”

16 Jezusi i tha:

“Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe grishi shumë vetë. 17 Në kohën e darkës çoi shërbëtorin e vet t’u thotë të grishurve: ‘Ejani se gjithçka është gati!’ 18 Por të gjithë ‑ si të ishin marrë vesh ‑ zunë të përligjen: i pari tha: ‘Bleva një arë, më duhet të shkoj ta shoh, të lutem: më arsyeto!’ 19 I dyti tha: ‘Bleva pesë pendë qe e po shkoj t’i sprovoj. Të lutem, më arsyeto!’ 20 I treti tha: ‘U martova e prandaj s’mund të vij!’

21 Shërbëtori u kthye dhe ia tregoi të gjitha zotërisë së vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, i zemëruar, i tha rrogëtarit të vet: ‘Shko vrap në tregje e rrugëve të qytetit e bjer këtu lypës, të gjymtë, të verbër e të shqeptë!’ 22 Shërbëtori i tha: ‘Zotëri, si urdhërove ti u bë, por vend ka më.’ 23 E zotëria i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugë e afër gardheve e shtrëngoji njerëzit të vijnë e të ma mbushin shtëpinë.’

24 Unë po ju siguroj se asnjë prej atyre njerëzve që qenë të grishur, s’do ta shijojë darkën time!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Përshkrimi i Mbretërisë së Hyjit si një vakt festiv apo darkë e madhe është diçka e zakonshme në Bibël. Ne e pranojmë ftesën: “Ejani se gjithçka është gati.” Cila do të jetë përgjigja jonë?

– Darka është gati, por a jemi ne gati? Cilat janë prioritetet tona? A dëshirojmë të hyjmë në Mbretërinë ku sundon Hyji apo na pëlqen më shumë të ndjekim rrugën tonë egoiste? Nëse nuk dëshiron ta pranosh ftesën a e ke shkruar letrën e “përligjjes (arsyetimit)”?

– Vë re se si ftesa bëhet gjithnjë e më përfshirëse gjatë kohës që tregimi zhvillohet. Mund të befasohemi kur të shikojmë se kush qenka pranë nesh kur të ulemi në tryezën e gostisë qiellore. Ai përfshinë mikpritja jonë edhe të tjerët?

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »