TË SHKOSH PAS JEZUSIT KUSHTON

Nov 4 • Meditimi i ditës

4 nëntor 2015 – e mërkurë, Karl Boromeu, ip., MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës apo të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

 

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon,

madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem,

edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Vetëdija

 

Kur e ndjej ngrohtësinë e diellit në fytyrë,

jam i vetëdijshëm për praninë tënde në këtë botë.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 14, 25-33

 

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

– Jezusi është duke folur këtu për çmimin e ndjekjes së mësimit të tij. Kjo është paraqitur duke treguar historinë e një ndërtuesi dhe një mbreti. Një dishepull/nxënësi vërtetë nuk ecën nëpër jetë pa menduar, por është i vetëdijshëm për seriozitetin e detyrës së tij.

– Disa njerëz kanë qenë kundër që Jezusi e ka përdorur fjalën “urrej” (rr. 26). Ai përdor një mjet retorik (zmadhimin e qëllimtë) për të theksuar mesazhin tuaj. Te Mt10,37 shpjegon rëndësinë e kësaj: “Kush e do të atin e të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua!” Është çështje prioritetesh.

– Çfarë kryqi kërkohet nga ti që ta bartësh për Jezusin?

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »