DRUAJTJA VRET DHUNTITË MË TË MIRA TË NJERIUT

Nov 5 • Opinion

Shkruan: M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Druajtja lind nga paaftësia për t’u shoqëruar dhe për të komunikuar me një farë spontaniteti dhe natyrshmërie. Druajtja, në fakt, është një koncept i paqartë. Sa më afër që ta vëzhgojmë, aq më shumë lloje  të saj zbulojmë. Ajo është një problem vetjak, i cili po arrin përmasa epidemike në atë masë sa mund të quhet sëmundje. Është një pengesë mendore, ashtu sikur  për fizikun janë çalimi ose pengesat e tjera të rënda.  Është një gjendje e ndërlikuar me një gamë të gjerë efektesh që fillon nga shqetësimi i lehtë deri te një frikë irracionale, që vepron në mënyrë misterioze duke goditur edhe ata persona që nuk e kishin vuajtur më parë.

Druajtja, është një problem vetjak, nuk është as shqetësim, as turbullim  i kotë sikur shumë herë kështu mendohet por, është një problem i vërtetë. Është ajo që e bën të vështirë ose e pengon njohjen me njerëz të rinj, krijimin e  miqësive dhe përjetimin e përvojave të reja e  pozitive. Është ajo që pengon personin të mbrojë të drejtat e veta, të shprehë opinionin dhe vlerat në të cilat beson. Është ajo që lë në hije cilësitë, vlerat, virtytet e personit. Është ajo, që vështirëson shumë mendimin e kthjellët dhe komunikimin në mënyrë efektive. Është ajo që varros intelektin e personit.

Druajtja është ajo që e bën personin të mbyllur në vetvete, të shurdhër, dhe të verbër ndaj gjithçkaje  që ndodh rreth e rrotull. Është ajo, që e bën personin të humbasë jo vetëm aftësinë e të folurit, por edhe atë të kujtesës dhe të të perceptuarit. Është ajo që vret në embrion dhuntitë më të mira të njeriut.

Shpeshherë ndodh  që druajtja të  ngatërrohet me egoizmin ose me mendjemadhësinë. Por, kjo nuk do të thotë se njerëzit e druajtur janë të tillë. Personat e druajtur etiketohen të tillë, egoistë, mendjemëdhenj për shkak të mosnjohjes.

 

Kush është i druajturi?

Nga studimet e bëra, rezulton se personat e druajtur janë, ata që nuk e fillojnë asnjëherë bisedën, por kanë prirje ta pengojnë, flasin me zë të ulët, kanë frikë të shprehin opinionet ose të thonë  JO. Janë në siklet me seksin e kundërt, nuk mbajnë kontaktin me sy dhe shoqërohen vetëm me një  rreth të ngushtë. Personat e druajtur, shfaqen të qetë dhe të heshtur, kurse në brendësi mendimet gërshetohen si rrugë të ngatërruara.

Të jesh i druajtur do të thotë, të kesh frikë nga njerëzit, kryesisht nga ata  që  duken kërcënues në nivelin emotiv. I druajtur është një person me vullnet të dobët,  është  ai që gjithmonë gjërat i shtyn për nesër. Është ai person të cilit i mungon prania e shpirtit të humorit.

Njerëzit e druajtur izolohen nga ngrohtësia e marrëdhënieve njerëzore dhe kanë shumë vështirësi kur marrëdhëniet ndërpersonale marrin kuptimin e intimitetit seksual. Kështu që, takimet seksuale përbëjnë kërcënim të madh për personin e druajtur. I druajtur është ai person, që largohet  nga gëzimet e komunitetit shoqëror për t’u izoluar në atë që nuk është jetë. Druajtja është më shumë e pranishme tek gjinia femërore sesa te ajo mashkullore.

Tek personi i druajtur gjithçka është kontradiktë psikologjike, kontradiktë ndërmjet dëshirës dhe bindjes se nuk është i zoti për përpjekjen që do të realizonte një gjë të tillë. Njerëzit e druajtur, janë ata që krijojnë bindjen se, ata janë krejtësisht të papërshtatshëm për profesonin e zgjedhur, shpikin argumente qesharake, nga më të ndryshmet. Ata nuk arrijnë të komunikojnë në mënyrë të lirshme, të hapur transparente dhe spontane.

 

Njeriu lind i druajtur apo bëhet i druajtur?

Është një pyetje që shumëkush ia drejton vetes ose të tjerëve. Por shpesh është e vështirë të gjesh përgjigje. Nga studimet e bëra, thuhet se të druajturit nuk lindin të tillë por bëhen. Druajtja nuk është natyrore. Ajo manifestohet tek fëmijët kur një edukatë e paaftë i ka bërë të egjër e mosbesues për vetë meritat e tyre. Prindërit do të duhej të mbanin mirë parasysh se përshtypjet e para fëmijërore kanë një ndikim të madh në njeriun e nesërm. Sepse nga mosedukimi ose mosformimi i mirë i fëmijëve, përfundojnë në të rritur të druajtur.

 

Disa simptoma psikologjike të druajtjes

Disa nga simptomat psikologjike fillojnë që nga ndjesia e  herëpashershme e ngathtësisë në praninë e të tjerëve, e arrijnë deri tek ato episode traumatike ankthi, të cilat e shkatërrojnë jetën e njeriut. Kështu që druajtja mund të shndërrohet në një formë të rëndë neuroze, në një paralizë mendore.

Një pikë tjetër që shfaqet është se personat e druajtur  zmadhojnë rëndësinë e personalitetit të tyre përballë të tjerëve, e kudo që kalojnë kanë përshtypje se të gjithë i shikojnë, të gjithë merren me ta, e të gjithë pëshpëritin diçka për ta. Gjithashtu druajtja dallohet edhe nga ato forma të quajtura natyrore si: humbja e vullnetit, sedra e tepruar, frika se mos ngjall keqardhje apo nuk shkëlqen si duhet, ndjenja e një lloj ngathtësie, vështirësi e analizës, dembelizëm për t’u përpjekur, e vështirësi në koordinimin e mendimeve.

 

Druajtja mund të mposhtet

Druajtja mund të mposhtet, por kërkohet një angazhim me këmbëngulje. Nëse personi do të realizojë një ndryshim tek vetja pikësëpari duhet të jetë thellësisht i bindur se ndryshimi është i mundshëm. “Të veprosh o të mos veprosh” kjo është çështja që i druajturi duhet të zgjedhë. Gjithashtu për të mposhtur druajtjen është e nevojshme që personi të lëvizë e jo të qëndrojë në vend numëro.

Në jetën aktuale për të mposhtur druajtjen është e nevojshme të fitohet siguria në vetvete. Sepse druajtja rrënjët i ka te mosbesimi në vetvete, tek një dyshim i vazhdueshëm për forcat e veta.

I druajturi kërkohet të fillojë të luftojë defektin kryesor që është ai i të menduarit tepër, prandaj të druajturit kërkohet që të evitojnë me çdo kusht të menduarit përtej masës, e pa qenë nevoja. Gjithashtu i druajturi kërkohet që të ruhet nga eksituesit si: kafeja, duhani dhe  alkooli në masa të tepruara. Gjithashtu nevojitet të evitojnë uniformitetin në punë.

Druajtja është një dobësi në jetë. Nuk duhet të ngatërrohet me vetëpërmbajtjen me të cilën ka shumë pika kontakti. Vetëpërmbajtja është një dhunti e lakmueshme sepse është një virtyt dhe një forcë e madhe. Është ajo që ndihmon personin për të arritur shumëçka. Vetëpërmbajtja është virtyti moral që bën të përmbajmë tërheqjen e kënaqësive dhe e bën njeriun të aftë për ekuilibër. Është ajo që mban instiktet dhe dëshirat brenda kufijve të ndershmërisë. Kurse druajtja është ajo që pengon dhuntitë dhe vlerat e personit. I druajtur është ai person që është i mbyllur në guackën që është vetvetja. Ai nuk merr ndihmë, këshilla, dashuri për të cilat të gjithë kemi nevojë.

Për të ndihmuar personin e druajtur duhet ta zhveshësh nga personaliteti i tij, mos ta vësh re apo më mirë të injorosh gafat e tij, kështu ai do të rifitojë kurajo, forcë, besim e dalngadalë do të arrijë të çmontojë frerin e tmerrshëm pengues.

Fjalët që i druajturi duhet t’i ketë gjithmonë para vetes si moto janë:

Guxim! Unë dua! Unë mundem! Unë di!

 Këto janë fjalët që nevojitet t’ia thotë vetes jo vetëm një herë, por shumë herë në ditë. GUXO!!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »