PARAJA, SHËRBËTOR I MIRË, POR ZOTËRUES I KEQ

Nov 6 • Meditimi i ditës

6 nëntor 2015 – e premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet çfarë do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çka Hyji kërkon prej meje.

 

Vetëdija

 

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj avash

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Lk 16, 1-8

 

1 U thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. 2 E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’

3 Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih… ? Nuk mundem! Të dal e të lyp… ? Më vjen turp! 4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’

5 Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ 6 Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ 7 Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’

8 E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ky është një krahasimi çuditshëm. Duket sikur ndodh në përputhje me sistemin e vlerave “të fëmijëve të kësaj kohe. ” Kur mbarështuesi (menaxheri) i pandershëm përpiqet që të merret me pasojat e shkarkimit të vet të afërt, ai e bën këtë duke bërë një pandershmëri tëre. Për këtë atë e lavdëron madje punëdhënësi i tij “sepse punoi aq me shkathtësi. ” Në botën e biznesit vlerësohet zgjuarsia, dinakëria dhe zhdërvjelltësia, edhe pse nganjëherë ato mund të jenë moralisht të diskutueshme.

– Brenda një sistemi të ndryshëm vlerash të “bijve të dritës” a e kemi të njëjtin nivel shkathtësie dhe dinakërie (por të ushtruar moralisht) sikurse ky mbarështuesi (administratori) i shëmbëlltyrës?

 

Bashkëbisedimi

 

Sa lehtë shpërqendrohemi dhe largohemi nga Zoti. Kjo botë na bën aq shumë kërkesa, dhe ato kërkesa siç duket janë konstante.

Të angazhuarit e vetvetes në drejtim të Zotit është një punë e rëndë, por nuk është e pamundur.

Angazhimi për te rruga e Zotit mund të bëhet çdo natë para se të shkosh të flesh dhe çdo mëngjes kur fillon dita.

Krejt çka duhet bërë është ta drejtojmë vëmendjen tonë kah veprimi i Zotit në jetët tona. Mendoje, shprehe, zbatoje këtë.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »