SHKALLËZIMI I DISKRIMINIMIT DHE PERSEKUTIMIT TË TË KRISHTERËVE NË BOTË

Nov 6 • Kisha në botë

Eminenca juaj, kardinali Kurt Koch

Kryetar i Këshillit Papnor për nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve

Përshëndes ju dhe gjithë pjesëmarrësit e Konsultimit të Forumit Global Kristian, që mbahet në Tiranë, nga 2 deri më 4 nëntor 2015, ndërsa reflektoni mbi temën “Diskriminimi, persekutimi, martirizimi i të krishterëve: të ndjekim Krishtin së bashku”.

Në veçanti, dua të përshëndes vëllezërit dhe motrat e traditave të ndryshme të krishtera, që përfaqësojnë bashkësi, të cilat vuajnë për shkak të besimit të tyre në Jezu Krishtin, Zotin dhe Shëlbuesin tonë.

Mendoj me trishtim të madh për shkallëzimin e diskriminit dhe të persekutimit kundër të krishterëve në Lindjen e Mesme, në Afrikë, në Azi dhe në anë të tjera të botës. Mbledhja juaj tregon se si të krishterë, ne nuk jemi indiferentë për vëllezërit dhe motrat tona që vuajnë.

Në pjesë të ndryshme të botës, dëshmia për Krishtin, deri në gjakderdhje, është kthyer në një përvojë të përbashkët për katolikët, ortodoksët, anglikanët, protestantët, ungjillorët dhe pentekostalët, gjë që është më e thellë dhe më e fuqishme se ndryshimet, të cilat akoma i ndajnë Kishat dhe bashkësitë tona kishtare. “Communio martyrum” është shenja më e fuqishme e udhës sonë të përbashkët.

Njëkohësisht, mbledhja juaj u jep zë viktimave të kësaj padrejtësie dhe dhune, si edhe përpiqet të gjejë rrugën që do ta nxjerrë familjen njerëzore nga kjo situatë tragjike. Me këto ndjenja, unë ju siguroj afërsinë time shpirtërore.

Martirët e sotëm, që u përkasin traditave të ndryshme të krishtera, na ndihmofshin të kuptojmë se të gjithë të pagëzuarit janë gjymtyrë të të njëjtit Korp të Krishtit, të Kishës së Tij. Le ta shohim këtë të vërtetë të thellë si thirrje për ta vazhduar udhëtimin tonë ekumenik drejt bashkimit të plotë e të dukshëm, duke e shtuar gjithnjë e më shumë dashurinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë.

Nga Vatikani, 1 nëntor 2015.

FRANCISCUS PP

———————————————————–

*Letër e Papa Françeskut Forumit Global Kristian, që u mblodh në Tiranë nga 2 deri më 4 nëntor mbi përvojën e përbashkët të fesë me temën: “Diskriminimi, persekutimi, martirizimi i të krishterëve: të ndjekim Krishtin së bashku”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »