TË DHUROSH ME ZEMËR, JO ME KRENARI!

Nov 6 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXXII gjatë vitit (B)

Leximi parë (1 Mbr 17,10-16)

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve 

Në ato ditë, Elia u çua e shkoi në Sareptë. Kur arriti te dyert e qytetit, gjeti një grua të vejë duke mbledhur dru. Elia e thirri e i tha: “Ma sill pak ujë në katrovë që të pi.” Kur u nis ajo për t’i sjellë ujë, ky e thirri prapë dhe i tha: “Të lutem, më sill edhe një kafshatë bukë në dorë!” Ajo iu përgjigj: “Pasha Zotin, Hyjin tënd, unë nuk kam bukë, por vetëm një grusht miell në tinar dhe pakëz vaj në qyp. Ja, po i mbledh dy-tre dru e do të shkoj në shtëpi për ta gatuar për mua e për djalin tim, do ta hamë e do të vdesim.” Por Elia i tha: “Mos ki frikë aspak por shko e bëj siç the; porse më parë ma piq mua një kulaç të vogël me atë miell që ke e ma sill, dhe pastaj gatuaj për vete e për djalin tënd. Sepse kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: ‘Në tinar mielli s’do të mbarojë, në qyp vaji s’do të mbarojë – derisa të vijë dita që Zoti të falë shi mbi tokë’.” Ajo shkoi e bëri si i tha Elia. Dhe u ushqye ajo, Elia dhe familja e saj për shumë ditë. Tinari i miellit nuk u mbarua as qypi i vajit nuk u pakësua sipas fjalës së Zotit që e tha me anë të Elisë.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 146

Ref. Lum skamnorët në shpirt: sepse e tyre

është Mbretëria qiellore.

————————————————————

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

————————————————————-

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

————————————————————–

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

————————————————————–

 

Leximi dytë (Heb 9, 24-28)

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shembëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; – përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes.

Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.              

Fjala e Zotit

Aleluja!

Ejani të bekuarit e Atit tim, thotë Zoti, merren në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 12,38-44)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” Pastaj u ul kundruall arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, domethënë një të katërt të asit.

Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha: “Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën para në arkë. Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”         

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Elinë profetë e përcjellin shumë telashe dhe probleme, por besimi tek ai nuk zbehet, jeton i frymëzuar prej Hyjit dhe në të e ka shpresën. Shpeshherë i është dashur të braktisë vendin dhe të lëvizë, sepse nuk ishte i mirëseardhur në popull pagan, që besonin në zota të rrejshëm dhe ju flijonin atyre.

Kush ishte Elia? Elia ishte profetë që profetizonte dhe dëshmonte një Zot të vetëm, ishte ai që luftonte për të vërtetën dhe ishte ai që profetizonte në emër të Zotit. Në pjesën e sotme të leximit e shohim Elinë të lodhur dhe të uritur; ai kërkon bukë dhe ujë nga një grua e vejë dhe skamnore dhe ajo, edhe pse kishte krejt pak ushqim, i jep njeriut të Zotit. E Zoti e shpërblen për bujarinë që tregoi.

Kjo ngjarje për ne të krishterët duhet të jetë nxitje për të qenë solidar dhe të kemi zemër për ata që kanë nevojë për ne. Nëse nuk mundemi t’u ndihmojmë materialisht duhet t’u ndihmojmë shpirtërisht: të lutemi për ta.

Thotë një fjalë e urtë: çka i japim të varfëritë, i huazojmë Hyjit dhe ai nuk na mbetet borxh.

Letra e dytë e Shën Palit, apostull, flet për Krishtin si fli dhe shenjtërore, i cili na shfajësoi duke e derdhur gjakun e vet për ne dhe shëlbimin tonë. Ja arsyeja pse ne duhet të jemi të vetëdijshëm për dashurinë që Krishti ka për ne, i cili na do dhe dëshiron të ecim rrugës së tij.

Në Ungjillin e sotshëm Krishti na tregon dhe mëson se si duhet të ruhemi prej skribve dhe farisenjëve:  “të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin tjerët në sheshe, të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e këndej kinse thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” 

Edhe në kohen e sotme ka shumë skribë dhe farisenjë, që duken të ndershëm dhe të mirë, të kujdesshëm, por në realitet janë plot rrëmujë dhe mëkate në brendinë e tyre, kanë hipokrizi e dyftyrësi, janë sikurse ata të kohës së Jezusit. Një gjë duhet ta dimë dhe atë kërkon Zoti nga ne: e rëndësishme është çfarë dukemi ne para Zotit në saje të brendisë sonë, sepse nga të mirat apo të metat që rrjedhin nga zemra do të gjykohemi për shëlbim apo dënim.

Prandaj, Zoti shikon zemrën dhe shpirtin, e jo pamjen e jashtme.

Ne duhet të kemi parasysh mos të ndodhë që me shpirt mëkatar t’i mashtrojmë njerëzit kinse jemi të mirë, dhe kërkojmë dhe kënaqemi duke na nderuar e respektuar, sepse ne mashtrojmë vetëm veten.

Pjesa e dytë e Ungjillit na flet për njerëzit që ishin të bashkuar në lutje. Ata pas lutjes qitnin lëmosh për mirëmbajtjen e Tempullit. Të gjithë qitnin sipas mundësisë dhe sipas dëshirës, por kishte edhe te tillë që qitnin nga krenia, ose të pasurit nga tepricat.

Është interesante se si Jezusi, në atë masë të madhe të njerëzve, e vëren një grua të moshuar dhe të varfër që qetë krejt pak në krahasim me tjerët, por që e lavdëro: “qiti gjithë çka pati për jetesë”, që do të thotë, nuk kurseu asgjë për vete, por ia dhuroi Zotit.

Të pasurit, duke bërë zhurmë e duke hedhur të holla në arkë, mendonin se do ta detyrojnë Zotin që t’u ndihmojë, sepse dhanë shumë, por jo, para Zotit vlen vetëm ai/ajo që jep nga zemra e penduar dhe e përvuajtur, sikurse ishte zemra dhe dhurata e vejushës.

Kisha ka nevojë për ndihma dhe lëmosha, po ashtu edhe personeli i Kishës, por nezrat, meshët, dhe gjithçka që jepet duhet të jepet me njet të mira dhe me zemër të përvuajtur dhe të penduar.

Këtu do të ndalem të meshët që japin njerëzit. Besimtarët paguajnë për të kremtuar një meshë për nejtin e tyre, por nuk marrin pjesë kur të caktohet mesha. Prandaj duhet pyetur, a është në rregull kjo? Natyrisht që jo.

Pse mos të marrin pjesë në meshë familjaret që bashkërisht të lutemi për njetin e dhënë, ose për shpirtin e anëtarit të familjes së tyre?

Zotit do t’ i pëlqej një gjë e tillë, prandaj duhet që njeti të jetë i plotë me pjesëmarrje në meshë apo lutje të caktuara.

Tregohet një shembull se si një mbret kishte dashur të ndërtojë një kishë dhe kishte dhënë urdhër që askush mos të jap kurrfarë lëmoshe, sepse dëshironte ta kryente me vetkontribut. Kështu filloj dhe mbaroj puna. U ndërtua një kishë e bukur. Dhe tani duhej bërë një pllakë, në të cilën do të shkruhet emri i donatorit, në këtë rast i mbretit. Kur në të ishte i shënuar edhe emri i një gruaje. Mbreti u tërbua për këtë, duke thënë se kam dhënë urdhër që mos të ndihmojë askush, dua vet ta krye këtë kishë.

Gruaja ishte e panjohur për mbretin dhe dha urdhër të gjendet dhe të sillet tek ai. Kur e gjeten gruan dhe e sollën te mbreti, mbreti i tha kam dhënë urdhër që mos të jap askush asnjë ndihmë për ndërtim të kishës, pse kë dhënë ti?

Gruaja  ishte e sinqertë: unë thotë s’kam dhënë asgjë për kishë, unë vetëm ju kam dhënë ushqim shpesh herë kuajve që bartnin lëndët, si ka dal emri im aty, nuk e di.

Mbreti duke parë sinqeritetin e kësaj gruaje dhe se ishte e varfër, i dha shumë të madhe të të hollave sa që më nuk kishte probleme materiale për vete dhe familjen e saj.

Shtrohet pyetja, sa qesim ne në arkën e Hyjit, çka depozitojmë? Sa jemi të sinqertë ndaj Zotit dhe sa ndihmojmë Kishën me lutje dhe njete të ndryshme? Kisha ka nevojë për besimtarë të mirë, të devotshëm, për ata që e përkrahin dhe natyrisht edhe besimtarët e mirë e ndiejnë Kishën si Nënë e cila përkujdeset për të gjithë. Zoti shpërblen dhe kthen shumë fish ndihmën që japim qoftë për të varfëritë, për nevojtarët, apo qoftë për Kishën.

Prandaj, t’i dhurojmë Zotit zemrën e penduar dhe të sinqertë, të jetojmë sipas urdhërimeve të Tij dhe të jemi të bashkuar në ndihmë njëri ndaj tjetrit, për të pasur thesare në qiell, që u jep Zoti atyre që e meritojnë.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t’i lutemi Atit tonë qiellor, i cili nëpër Birin e vet Jezu Krishtin na zbuloi vlerat e mirësisë dhe dashurisë. Të themi së bashku:

O Zot ki mëshirë!

– Për Kishën tënde: që gjithmonë të jetë e hapur ndaj të varfërve dhe të përvuajturve, dhe kështu të dëshmojë besnikërinë ndaj Mësuesit të vet, të lutemi:

– Për njerëz që kanë ndikim dhe forcë, që të jenë të gatshëm të ndihmojnë të gjithë ata që kanë nevojë, të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë që të mirat materiale mos t’i mashtrojnë për t’i humbur të mirat shpirtërore, të lutemi:

– Për ata që janë të varfër, të nëpërkëmbur dhe të lënë pas dore, që t’u dhurosh fuqi në bartjen e jetës së rënd, bëj që të jenë të ngushëlluar dhe ndihmuar nga njerëzit bujar, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, që të jemi zemërgjerë dhe bujar, sikurse gruaja e vejë nga Ungjilli, të lutemi:

– Për të vdekurit tanë, që sipas mëshirës sate të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

 

O Hyj i gjithëpushtetshëm, Ti na fton të shërbejmë me sinqeritet dhe zemërgjerësi. Na forco në këtë ndjenjë shërbimi dhe bujarie, që të jemi gjithmonë të mëshirshëm ndaj të gjithë atyre që kanë nevojë për ne. Këtë të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »