A JE I PASUR NË KRISHTIN?
7 nëntor 2015 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.
Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë.
Liria
O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.
Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.
Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën e kaluar, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderohem.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lus për falje.
Fjala
Lk 16, 9-15
9 Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.
10 Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. 11 Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? 12 Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve:
Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”
14 Të gjitha këto po i dëgjonin farisenjtë që s’i ngin gjë me para dhe e përqeshnin. 15 Jezusi u tha:
“Ju dini të paraqiteni para njerëzve të drejtë, porse Hyji i njeh zemrat tuaja! Veçse, çka është e madhërueshme para njerëzve, është ndyrësi para Hyjit.
Çka po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Të ecësh rrugës së ngushtë të besnikërisë dhe drejtësisë s`është e lehtë; të jesh shkëndijë, i vërtetë për vetveten dhe i ndershëm për të tjerët, është një detyrë në të cilën të gjithë ne duhet të punojmë. Jezusi na tregon se s`mund t’u shërbejmë dyzotërinjve; nuk mund të ulemi në gardh. Duhet zbritur për t`u vënë në anën e drejtësisë ose do të privohemi nga të gjitha të mirat.
– O Zot, po kërkon që të besojmë në ty, që të kemi besim në mirësinë tënde dhe të kujdesemi për njëri-tjetrin. Shiko në zemrat tona, o Zot, dhe largo prej nesh çdo gjë që na pengon, atë që na bën të marrim në thua ose të rrëzohemi, dhe gjatë ecjes sonë nëpër rrugët e jetës, na ndihmo t`i mbajmë sytë tanë të drejtuar kah ti.
Bashkëbisedimi
Ç`ndodh në mua kur lus?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?
E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje
dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndiej.
Përfundimi
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.