DHURIM I GUXIMSHËM

Nov 8 • Meditimi i ditës

8 nëntor 2015 – e diela 32-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Vetëdija

 

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin, pastaj do të dëgjoj…

 

Mk 12, 38-44

 

38 Pastaj në mësimin e vet u thoshte:

“Ruajuni prej skribëve, të cilëve u pëlqen të shëtisin në petka të gjata, t’i përshëndesin të tjerët në sheshe, 39 të zënë selitë e para në sinagoga e kryet e vendit në gosti. 40Ata i përlajnë shtëpitë e vejushave, e bëjnë gjasme thonë uratë të gjata! Këta do të gjykohen veçanërisht rreptë!” 

41 Pastaj u ul përballë arkës e vërente si populli qitte para në arkë. Shumë pasanikë qitnin shumë. 42 Erdhi gjithashtu një vejushë skamnore. Ajo qiti dy lepta, d. m. th. një të katërtën e asit. 43 Atëherë Jezusi i grishi nxënësit e vet dhe u tha:

“Për të vërtetë po ju them: kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që hodhën para në arkë. 44 Sepse të gjithë qitën prej tepricës, kurse kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet.”

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Gratë e veja përmenden në të dy pjesët e ungjillit. Ato paraqesin grupin e njerëzve më të varfër dhe më të rrezikuar në shoqëri. Por ata që “gllabërojnë shtëpitë e vejave” dhe shumojnë vuajtjet e tyre mund të shihet sesi shfaqen në publik–madje edhe duke u lutur në publik duke kërkuar që të tjerët t`i nderojnë. Një hipokrizi të tillë Jezusi e urren.

– Jezusi e shikonte vejushën e varfër sesi po i hidhte në arkën e tempullit disa monedha të saja të fundit që i kishin mbetur (“tërë pasurinë e vet”). Ai është i mahnitur dhe bujarinë e saje vë në kontrast me disponibilitetin, jo domosdo të keq, të të pasurve të cilët jepnin donacione të mëdha”nga teprica e tyre.” Ai kritikon autoritetet fetare për shkak të presionit që ua bënin njerëzve për të ndarë nga ajo që këta nuk ishin në gjendje ta përballonin.

– A i vlerësoj cilësitë që mund t`i kenë gratë e veja dhe njerëzit e tjerë të varfër në botën time?

 

Bashkëbisedimi

 

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

më kujtohen ngadalë fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »