PSE KAM FRIKË NGA VDEKJA?

Nov 8 • Këndvështrime

Njeriu në jetën e tij konkrete e takon një realitet të tmerrshëm, që në shikim të parë është në kundërshtim me mallëngjimin e tij të thellë për të jetuar: vdekjen. Shën Pali pohon se vdekja «ka hyrë në botë me anë të mëkatit» (Rom 5,12). S’është Zoti që e ka dëshiruar vdekjen, por njeriu është ai që e nxiti atë duke u larguar me mëkat prej Hyjit. Ndoshta njeriu, për shkak se është krijesë e kufizuar, do të ishte ashtu-kështu i vdekshëm, mirëpo pa ndjenjën e frikës. Prandaj njeriu jo vetëm që vdes, por jeton me tmerrin e vdekshmërisë. Vdekja nuk i duket mbarim i natyrshëm i rrjedhës së tij tokësore, por ankth, diçka e panjohur dhe pakuptim. Vdekja frikëson, sepse njeriu është viktimë e mëkatit. Jezu Krishti me vdekjen e vet në kryq e liroi atë nga frika e vdekjes dhe ia përtëriti seriozitetin në lidhje me vdekjen. Me Jezu Krishtin e ngjallur njeriu është i aftë të vdesë me seriozitet, por edhe me gëzim. Dëshmia e martirëve dhe e atyre që qenë përndjekur për fenë e tyre, flet mjaft nga kjo pikëpamje. Vetë përndjekësit e të krishterëve për këtë arsye mbetën të habitur. Për të krishterin vdekja është dritare e hapur kah amshimi, kalim i detyrueshëm, që çon në jetën pa mbarim, jetën e pasosur.

Antonio Ugenti

(Përktheu: Sh. D.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »