MARRËDHËNIA ME ZOTIN NUK DURON TREGTI

Nov 9 • Meditimi i ditës

9 nëntor 2015 – e hënë, Kushtimi i Bazilikës së Lateranit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment, i vetëdijshëm se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton me praninë e Hyjit.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë

që t`i harroj brengat e mia,

që të jem i hapur ndaj asaj çfarë Hyji kërkon prej meje,

që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 2, 13-22

 

13 Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. 14 Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe këmbyes të hollash duke ndenjur aty. 15 Atëherë punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Këmbyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. 16 Shitësve të pëllumbave u tha:

“Hiqini këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim, shtëpi tregtie!”

17 Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrimin e shenjtë:

“Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”

18 Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën:

“Ç’shenjë na jep duke vepruar kështu?”

19 Jezusi iu përgjigj:

“Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!”

20 “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli ‑ iu përgjigjën judenjtë ‑ e ti do ta ndërtosh për tri ditë?”

21 Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. 22 Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit të shenjtë e fjalës që tha Jezusi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Tregtia ishte e domosdoshme për të mirëmbajtur adhurimin e Hyjit në tempullin e tij. Kafshët ishin për t’u shitur për fli; paratë romake duhej ndërruar në ato hebraike në mënyrë që të paguhej taksa e tempullit. Ku duhej të bëhej kjo tregti? Jo në ambientet e tempullit! Jezusi është i zemëruar që “shtëpia e Atit” ishte kthyer në një treg.

– Jezusi e shpreh zemërimin e tij në mënyrën e duhur? Çfarë mund ta njollosë vendin tonë të lutjes sot?

– Ungjilli i Gjonit shpesh përdor fjalë me kuptime të dyfishta. Këtu, në bisedë midis Jezusit dhe Hebrenjve, lindi një ndërprerje komunikimi. Hebrenjtë me termin “tempull” nënkuptonin ndërtesën në të cilën po qëndronin. Jezusi këtë term e aplikon edhe për trupin e vet dhe profetizon ringjalljen e vet. Kjo do të duhet të jetë një shenjë që ata po e kërkonin.

– A ke hasur ndonjëherë një moskuptim të ngjashëm gjatë bashkëbisedimit për disa çështje fetare?

 

Bashkëbisedimi

 

I/e ndërgjegjshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çka ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »