DUHET TË BËJMË MË SHUMË PËR TRASHËGIMINË TONË

Nov 11 • Editorial

Nga Don Lush GJERGJI

Kosova, si vend i lashtë historik dhe strategjik, me begati dhe trashëgimi të shumta dhe të rralla natyrore dhe arkeologjike, me kulturë dhe traditë iliro-shqiptare, arbërore, është pjesë e çmuar dhe e rëndësishme për Mesdheun – Ballkanin dhe më gjerë. Ky vlerësim dhe synim duhet të jetë pikënisja e orientimit tonë për t’u bërë edhe “de iure” e “de facto” pjesë e ligjshme e trashëgimisë botërore nëpërmjet UNESCO-s.

Pa këtë bindje dhe vetëdije, pa identitet dhe personalitet, Kosova do të jetë në rolin e “lypësit” ose të “mëshirës”, sikurse të tjerët do të duheshin të na bënin ndonjë lloj “shërbimi”, nderi, mos të them edhe favori. Ne nuk kemi nevojë për një gjë dhe qëndrim të tillë, por për njohjen, ruajtjen, paraqitjen sa më të mirë dhe të dinjitetshme të identitetit dhe integritetit tonë historik, kulturor, trashëgimor, për të cilin s’kemi nevojë vetëm ne, por edhe bota e kulturuar dhe e qytetëruar.

Zbulimet tona arkeologjike, të cilat janë pothuaj në fazën nismëtare, në shumë vend-gjurmime të Kosovës, “nëna tokë” i ka ruajtur me kujdes dhe xhelozi gjatë shumë shekujve, siç janë gjurma  romake, ilire, krishterimi i hershëm nga kohët apostolike, dyndja dhe prania e botës sllave, sundimi shekullor turko-otoman.

Nga kjo shihet dhe hetohet se Kosova është një “mozaik” i rrallë, për shumëçka edhe unik, historik dhe arkeologjik, kulturor dhe shpirtëror. Pa këtë njohuri, vetëdije, informim dhe formim, së pari për ne, për vete, pastaj kuptohet, edhe për të tjerët, në “matemi me kandarin e pazarit” do të thotë populli ynë, apo jemi “tregtarë” të dobët me mall të mirë.

Vërtet, humbën një rast të mirë, të parin, për t’u paraqitur në “arenën” ndërkombëtare të trashëgimisë, kulturës dhe qytetërimit botëror, nëpërmjet pranimit dhe anëtarësimit tonë si pjesë fuqiplote e UNESCO-s. Mirëpo, nuk është kjo fundi i botës për ne. Jemi të mërzitur për këtë gjë, por assesi jo të dëshpëruar.

Bile, ndoshta edhe më mirë, sepse na vetëdijeson dhe ndihmon që të përgatitemi edhe më mirë për ta njohur, pranuar, paraqitur vetveten, rrënjët apo “djepin tonë”  ndër ne dhe në botë. Na vetëdijëson që mos të kërkojmë sa të tjerët kanë bërë për ne, por të angazhohemi që të bëjmë ne më shumë për vetën tonë.

Falënderojmë 92 shtete mike që na kanë përkrahur në Paris në këtë “duel” Kosovë – Serbi, në këtë kërkesë të ligjshme dhe natyrore. Mesdheu, Evropa, bota, pa ne, pa “tokën” dhe trashëgimin, traditën, kulturën, qytetërimin tonë është e mangët, si edhe ne pa botën, UNESCO-n, jemi të privuar dhe të kufizuar.

Hera tjetër, vjen shpejt, pas dy viteve, në vitin 2017, që shpresojmë dhe urojmë të na gjejë më të organizuar, përgatitur, vetëdijesuar dhe bashkuar, kurse botën më të hapur dhe më të gatshme  për përkrahjen e të mirës së përbashkët.

Historia, tradita, kultura, trashëgimia, qytetërimi i Kosovës, nuk na përket vetëm neve, por mbarë njerëzimit, sikurse ne jemi dhe duam të jemi pjesë sa më e mirë e kulturës, traditës dhe qytetërimit botëror. Kjo është e drejta dhe detyra jonë themelore, për të cilën duhet të punojmë sa më shumë dhe më mirë, kuptohet, të bashkuar dhe të vëllazëruar.

Të jemi vetvetja, pa ia mohuar askujt të drejtën që të jetë vetvetja, është parim i shenjtë i lirisë dhe demokracisë. Ne, në asnjë mënyrë, nuk mund të heqim dorë prej vetvetes dhe të vërtetës. Sa më parë ta kuptojmë dhe pranojmë ne këtë realitet, aq më shpejt dhe më mirë do të na pranojë neve bota, gjithnjë në kontekstin tonë historik dhe aktual të “bashkimit në dallime”.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »