TË MOS HARROSH TË THUASH “FALEMINDERIT”

Nov 11 • Meditimi i ditës

11 nëntor 2015 – e mërkurë, Shën Martini nga Toursi, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjatë kohës ndërsa jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,

të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.

Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.

 

Liria

 

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma përkujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Vetëdija

 

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

 

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 17,11-19

 

11 Duke udhëtuar për Jerusalem, kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat [i] dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki mëshirë për ne!”

14 Kur i pa u tha:

“Shkoni e paraqitjuni priftërinjve!”

E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh lartë. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi. E ky ishte samaritanas. 17 Jezusi mori fjalën e tha:

“Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko ‑ i tha ‑ feja jote të shpëtoi!”

 

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  – Vëreje se si Luka nxit vëmendjen te gjendja e margjinalizuar e të lebrosurve (të gërbulurve). I mbanin për të papastër dhe i detyronin për të jetuar për jashta qyteteve dhe fshatra. Edhe kur iu afruan Jezusit mbanin distancën e tyre. Jezusi duke e shëruar të gërbulurin e kthen atë te bashkësia.

 – Vë re, gjithashtu, se vendi i ngjarjes(rajoni në mes Samarisë dhe Galilesë) mund ta shpjegojë përzierjen e pazakontë raciale në grupin e të lebrosurve. Sikur margjinalizimi i përbashkët lejon që armiqësia dhe mos besimi reciprok që ekzistonte midis Judenjve dhe Samaritanëve, të mund të përballohet.

– Të dhjetë lebrosët kishin besim, por vetëm njëri shpreh mirënjohje të thellë. Samaritani kthehet te Jezusi për ta falënderuar personalisht. Sa prej bekimeve të Hyjit i marrim lehtë, ose edhe më keq, i marrim si të ishin e drejta jonë?

 

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »