MBRETËRIA E HYJIT BRENDA TEJE

Nov 12 • Meditimi i ditës

12 nëntor 2015 – e enjte, Shën Jozafati, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Vetëdija

 

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht për mua.

 

Lk 17, 20-25

 

20 I pyetur prej farisenjve: “Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?” ai iu përgjigj:

“Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!”

22 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Ja, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni! 24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij]. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  – Pyetja e farisenjve supozon se Mbretëria e Hyjit ende nuk është arritur dhe se ajo do të shihet si një mbretëri tokësore. Jezusi iu përgjigjet se Mbretëria është tashmë e pranishme, por është e padukshme: “Mbretëria e Hyjit është mes jush.” Një tjetër mënyrë për të shprehur këtë është: “Mbretëria e Hyjit është në ju.”

 – Duke folur me nxënësit Jezusi i inkurajon të mos lejojnë të preokupohen me punë dhe të mos jenë shumë të shqetësuar në lidhje me fundin e botës dhe ardhjen (e dytë) të Birit të Njeriut. I fton që të përqendrohen në këtu dhe tani dhe të mendojnë për mësimin e Jezusit: se Biri i njeriut”së pari duhet të vuajë shumë dhe të refuzohet nga kjo brezni”. Kjo së shpejti do të realizohet në Jerusalem. 

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »