SI TË SILLEMI ME KONFLIKTIN BASHKËSHORTOR?

Nov 12 • Familja

Nga Pavao BRAJSHA

Është shumë me rëndësi të dallohet sjellja kundrejt konfliktit bashkëshortor nga zgjidhja e tij. Shumë konflikte bashkëshortore janë të pazgjidhura sepse janë shkaktuar nga probleme që çiftet bashkëshortore nuk janë në gjendje t`i shmangin, që nuk janë në gjendje t`i zgjidhin. Nëse kjo është e vërtetë, e unë jam i bindur se është, atëherë sjellja kundrejt konflikteve, që në të vërtetë i përgjigjet asaj që e quajmë grindje (zënkë), është shumë më e rëndësishme sesa vetë zgjidhja e saj.

Qysh tani, mund të theksojmë që pikërisht ky fakt i ekzistimit të problemeve të pazgjidhura në sjelljen/veprimin e çifteve martesore, imponon nevojën e ekzistimit të grindjes si pjesë përbërëse e jetës së përditshme dhe reale në martesë. Logjikisht nga kjo rrjedh që të paktën po aq me rëndësi, nëse jo edhe më e rëndësishmja, është që të mësohesh të grindesh në mënyrë humane dhe të ndershme sesa t`i zgjidhësh problemet ndërnjerëzore.

Martesa pa konflikte bashkëshortore gati është e pa imagjinueshme. Shtypja e konflikteve bashkëshortore është më e dëmshme sesa e dobishme. Zgjidhja e tyre në shumë raste gati është e pamundur. Për këtë arsye, nëse çiftet martesore dëshirojnë të jetojnë në martesë në mënyrë cilësore, nevojitet të mësohen edhe të grinden cilësisht, d.m.th. në mënyrë cilësore humane të sillen me konflikte bashkëshortore. Çdo sjellje jocilësore kundrejt konflikteve bashkëshortore e bën grindjen vijuese bashkëshortore edhe më të vështirë. Me kohë ndër partnerët bashkëshortorë mblidhet gjithnjë e më shumë material konflikti me një gatishmëri gjithnjë e më të theksuar të njërit dhe tjetrit çift martesor për grindje të re dhe gjithnjë e më të ashpër.

Konflikti bashkëshortor mund të jetë i mbuluar dhe evident. Është me rëndësi të dallosh problemet e njëmenda që kanë çuar deri te ai nga vështrimet, interpretimet dhe përjetimet emocionale subjektive të konfliktit të atyre që në të marrin pjesë. Po ashtu duhet dalluar sjelljen kundrejt konfliktit nga zgjidhja e konfliktit. Sjelljen kundrejt konfliktit brenda martesës e quajmë grindje bashkëshortore.

A ekzistojnë konflikte në martesën time? A i shtyp, i mbuloj dhe i mohoj, apo ballafaqohem me to? A jam në gjendje ta dalloj në mënyrë të njëmend dhe objektive, atë çfarë ka çuar deri te to nga ajo subjektive, personale dhe emocional në sjelljen time kundrejt tyre? A jam i gatshëm me partnerin bashkëshortor të bisedoj jo vetëm për zgjidhjen e problemit dhe konfliktit por edhe për sjelljen time dhe të tij kundrejt tij (konfliktit)? A jam i gatshëm të bisedoj me partnerin për mënyrën e grindjes sonë të përbashkët?

Të gjejmë kohë edhe për bisedim për grindjet në martesën tonë! T`ia parashtrojmë vetes pyetjet e përmendura dhe të provojmë, të fitojmë një pasqyrë rreth mënyrës sonë të grindjes!

Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »