AMSHIMI GJENDET NË FJALËT E JEZUSIT

Nov 13 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXXIII gjatë vitit (B)

Leximi i parë (Dan 12,1-3)

Lexim prej Librit të Danielit profet

Në atë kohë do të ngritët Mikaeli, Princi i Madh, që i mbron bijtë e popullit tënd. Kjo do të jetë një kohë ngushtice të madhe. E tillë nuk qe qysh se filluan të jetojnë popujt e deri në atë kohë! Në këtë kohë populli yt do të shpëtojë: secili që do të gjendet i shkruar në Libër.  Një numër i madh i atyre që flenë në tokën e pluhurit do të zgjohen: disa për jetën e pasosur e disa për turpin e përhershëm. Dijetarët do të shkëlqejnë porsi kthjelltësia e kupës qiellore, e ata që ua kanë mësuar shumëve drejtësinë, do të shkëlqejnë porsi yjet në amshimin e përhershëm.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 16

Ref: Më ruaj, o Zot, sepse në ty shpresoj.

———————————————————-

Zoti është pjesa e trashëgimit tim

dhe gota ime,

në dorën tënde është fati im!

Zotin e kam gjithmonë para sysh,

më rri në të djathtë,

nuk kam sesi të rrëzohem!

———————————————————–

Prandaj galdon zemra ime,

gëzon shpirti im,

mbarë trupi im pushon në qetësi.

S’do të ma lësh shpirtin në nëntokë,

as s’do të lejosh

që Shenjti yt të kalbet në dhe.

————————————————————-

Ti do të ma tregosh udhën e jetës,

gëzimin e plotë para fytyrës sate,

kënaqjen e amshueshme

nëtëdjathtëntënde.

————————————————————-

 

Leximi dytë (Heb 10,11-14.18)

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli, të cilat assesi s’mund t’i shlyejnë mëkatet. Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme, rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtetisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit. Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to!

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Rrini zgjuar, thotë Zoti,

sepse nuk e dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj.

Aleluja!

 

Ungjilli (Mk 13,24-32)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Jezusi u tha nxënësve të vet: “Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden.  Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me lavdi. Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet e do t’i bashkojë të zgjedhurit e vet nga katër anët e botës – prej skajit të tokës deri në skaj të qiellit.  Mësoni prej shëmbëlltyrës së fikut: Posa i lëngëzohen gemat e qet gjethe, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto, dini se është afër – te dera! Përnjëmend po ju them: nuk do të kalojë kjo brezni pa u bërë të gjitha këto. Qielli e toka do të kalojnë, e fjalët e mia nuk do të kalojnë.  Sa për atë ditë e për atë orë, s’di askush, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë:

Libri i Danielit profet, u shkrua në ditët e përgjakshme që përjetonte populli hebre, koha kur mbret ishte Antioku IV pagan. Ai, me dhunë dëshironte t‘ua imponojë kulturën dhe besimin pagan. Populli hebre i kundërshtoi me luftë e cila ishte e përgjakshëm edhe e rënd.

Edhe Danieli profet luftonte për ruajtjen e besimit në një Zot të vetëm. Veç tjerash ai mësonte dhe shpallte që do të vijnë ditët e paqes për popullin në vuajtje dhe keqbërësit do të ndëshkohen prej Zotit.

Leximi dytë

Libri drejtuar hebrenjve, bënë një krahasim në mes flijimeve të besëlidhjes së vjetër dhe flijimit të vetëm të Jezu Krishtit, që tej kalon çdo kusht dhe flijim të BV. Ky flijim i Krishtit, Birit të Zotit shlyen mëkatet e njerëzve. Dhe, vërtetisht, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit.

Ungjilli

Në fund të çdo viti liturgjik, lexojmë fjalët e Jezusit, që paraqesin të ardhmen e botës. Këto fjalë, janë të rënda dhe të tmerrshme:“Porse, në ato ditë, pas aso vështirësie, dielli do të terratiset, hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet, yjet do të bien prej qiellit, e trupat qiellor do të lëkunden…(Mk 13,24…).

Këto fjalë të Jezusit, kanë karakter këshille për të krishterët. Kisha, nuk dëshiron t’u bashkohet atyre që gjithmonë flasin e bëjnë propagandë për mbarimin e botës, e po ashtu, nuk dëshiron që të frikësojë njerëzit, por dëshiron që të vetëdijesojë njerëzimin, se, e ardhmja e botës, është në duar të Zotit, dhe besimtari i vërtetë nuk ka aspak frikë për të ardhmen e vet, sepse beson në Zotin dhe shpreson në Të.

Në kohen e Jezusit flitej, predikohej dhe shkruhej shumë për përfundimin e botës, ata thoshin: Hyji do të bëjë pluhur e hi çdo gjë dhe do të ndërtohet një botë e re.

Kjo nuk do të ndodh, sepse Hyji dërgon Birin e vet që bota të ndërrohet, njerëzit të ndërrojnë stilin e jetës, të besojnë dhe jetojnë sipas mësimeve të Krishtit.

Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovën tonë: lufta e cila ka shkatërruar shumë shtëpi, ka dëbuar shumë njerëz nga vendlindja, ka krijuar frikë dhe tmerr në të gjithë, dhe e ardhmja nuk ishte e sigurt.

Në atë kohë, ishte besimi dhe shpresa që do të shpëtonin dhe shumë shpëtuan.

Edhe pse ka qenë një rrezik i madh, Hyji nuk është larguar nga ne, por na ka ndihmuar dhe ja sot pas asaj kohe jemi në kushte të mira.

Pas të gjitha gjërave që do të ndodhin, atëherë vjen Biri i Zoti në lavdi, dhe kjo ardhje neve na mbush me gëzim, sepse Krishti çdo ditë vjen në sakramentin e Kungimit, është afër nesh në sakramentin e rrëfimit për të na falur, është i pranishëm në zemra të sa e sa besimtarëve të devotshëm: Krishti, kurrë nuk është larguar nga ne.

Diku, në një shtet të Amerikës në fillimin e shekullit XX ishte një kuvend, dhe ja në mes të ditës qytetin e kaplon një errësirë.. Të gjithë bërtitën dhe u frikësuan u ngritën nga ulëset e filluan të largohen secili në drejtim të vet. Kryetari ishte mjaft i përmbajtur dhe me gjakftohtësi tha: Zotërinj ekzistojnë vetëm dy mundësi, ky mund të jetë mbarimi i botës, ose nuk mund të jetë. Nëse është atëherë të ulemi në vendet tona dhe të vazhdojmë të punojmë që Hyji të na gjej në punë. Nëse nuk është fundi i botës, atëherë nuk ka vend për frikë.

Njerëzit i frikësohen gjyqit në të cilin do të dalin një ditë para Zotit. Kjo është e natyrshme sepse nuk mund të jemi të sigurt sa jemi të drejtë para Zotit për të na shpërblyer. Por nuk duhet të harrojmë një gjë që është shumë e nevojshme për ne: të dëgjojmë dhe zbatojmë mësimet e Krishtit për të fituar Mbretërinë qiellore, sepse Mbretëria e qiellit është në mes nesh (Lk 17,21). Jezus me ketë dëshiron të na thotë që nxënësi veç tash e përjeton mbretërinë e Hyjit, nëse është në paqe dhe dashuri me Të.

Prandaj si i krishterë e kemi për të detyrë që të angazhohemi  për realizimin e Mbretërisë së Hyjit në botë.

Dhe për fund për ta kuptuar porosinë e të dielës së sotme ja një ngjarje:

Ishte një libër i mrekullueshëm në botë në të cilën ishin të gjitha misteret e suksesit në jetë. Këtë libër e gjeti një njeri dhe i lumtur, i cili mendoj që i zgjidhi problemet e jetës. Me nxitim u nis për shtëpi duke dashur të studioi këtë libër. Rrugës hasi në një shtëpi duke u ndezur, e vendosi librin me një skutë dhe ju bashkua njerëzve për t’ u ndihmuar fikin zjarrin. Posa e kryen punën ky më nuk e gjeti librin.

Jetoi në frikë por edhe në kujdes që jeta e tij t’ i pëlqej Hyjit.

Kur një ditë vdiq ky njeri doli para Zotit. Mendonte në vete t’ i thoshte se si e kishte një libër që mësonte misteret e suksesit të jetës, por i kishte humbur e nuk kishte arrit ta lexonte dhe tani tha nuk di a kam jetuar denjësisht dhe drejtësisht. Me fal o Zot, i tha njeriu. Kur doli para Zotit, Zoti ju tha engjëjve të vet, me sjellin librin e tij! Dhe kur ky mendonte se prapë do ta shihte librin që e kishte humbur, para tij ju dëftuan njerëzit që kishte ndihmuar në jetë e ishin të shumtë. Dhe në fund u dëgjua zëri i Zotit: Ky është libri yt. Ti ke kuptuar edhe pa lexuar.

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t’ ia drejtojmë lutjet tona Hyjt, Krijuesit të të gjitha sendeve që shihen e që nuk shihen dhe të themi së bashku:

 O Atë i amshuar, ki mëshirë për ne!

– Për Kishën: që e udhëhequr nga barinjtë të shkoj në takim Krishtit, Mbret dhe gjykatës, të lutemi:

– Për të gjithë udhëheqësit e shteteve, që me sinqeritet të përkujdesen për paqe, drejtësi dhe solidaritet ndaj të gjithëve, të lutemi:

– Për të gjithë ata që vuajnë, që mundimet e veta t’ i bashkëangjesin Krishtit të vuajtur dhe të kryqëzuar dhe kështu të japin kontribuar në përhapjen e Mbretërisë së Hyjit, të lutemi:

– Për të gjitha ata që jetojnë pa shpresë, në depresion dhe pa vullnet për jetë që Shpirti yt, o Hyj, ti nxitë në reflektim të jetës si dhuratë dhe t’ i focojë në fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi:

– Për këtë bashkësi këtu të bashkuar që kremton misteret e shenjta që me fuqinë e Shpirtit shenjtë të të shërbej pa frikë dhe me shumë kujdes, të lutemi:

– Për të vdekurit tanë që sipas mëshirës sate t’ i pranosh në Mbretërinë tënde, të lutemi:

O Zot, Hyji ynë, Zotërues i të gjitha kohrave, ti i njeh fare mirë mendimet, fjalët dhe veprat tona. Nëpër mes Shpirtit tënd na ndihmo të jemi besnik në ndërtimin e mbretërisë sate në tokë, dhe në ardhjen tënde të dytë të na pranosh në mbretërinë tënde të amshuar. Që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »