E ARDHMJA SI KATASTROFË, APO ÇLIRIM PËRFUNDIMTAR

Nov 13 • Meditimi i ditës

13 nëntor 2015 – e premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

 

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Vetëdija

 

Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
A ekziston diçka për të cilën do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 17, 26-37

 

26 Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut: 27 njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë. 28 Po ashtu, siç ndodhi në kohën e Lotit: sodomasit hanin, pinin, blenin, shitnin, mbillnin, ndërtonin, 29 por, atë ditë, kur Loti doli prej Sodomës, ra zjarr e sulfur prej qiellit e i zhduku të gjithë. 30

Ashtu do të ndodhë atë ditë, kur Biri i njeriut të dëftohet ashtu siç është në të vërtetë.

31 Atë ditë, kush të ndodhë mbi pullaz e gjërat t’i ketë në shtëpi, të mos zbresë t’i marrë. E kush të gjendet në fushë, të mos kthehet prapa. 32 Le t’ju kujtohet gruaja e Lotit! 33 Kushdo që të mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë, e kush ta humbasë, do ta ruajë.

34 Unë po ju them: atë natë, prej dyve që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35 Dy gra që do të bluajnë së bashku, njëra do të merret e tjetra do të lihet. ”[36]

37 Atëherë e pyetën:

“Ku, o Zotëri?”

“Ku të jetë kufoma ‑ iu përgjigj ‑

aty do të mblidhen edhe shqiponjat.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Historia e Noehut dhe përmbytjes, Lotit dhe shkatërrimit të Sodomës, ishin pjesë e traditës gojore në Izrael. Jezusi dëshiron që dëgjuesit e tij ta vërenin se si jeta rridhte normalisht, njerëzit ishin të preokupuar me aktivitetet e përditshme deri sa nuk ndodhi fatkeqësi Pa paralajmërim, ndonjë shenjë, pa ndonjë plan për arratisje. Kështu Biri i njeriut do të vijë, befas dhe papritur.

– E vetmja mënyrë që njeriu të jetë gati është që ta jetojë një jetë të mirë të bazuar në dashuri. Pastaj ardhja e Birit të Njeriut nuk do të jetë një katastrofë, por çlirimi ynë përfundimtar.

 

Bashkëbisedimi

 

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »